Prag skandali/ Maskat “3.5 mln euro” të “Farma Net Albania” false? Dyshimet mbi origjinën e tyre

559
Sigal

 

Kompania farmaceutike “Farma Net Albania” mund të jetë në telashe të mëdha, nëse konfirmohen disa të dhëna mediatike se ajo ka furnizuar qeverinë shqiptare me maska mbrojtëse COVID-19 të prodhuar në vend, ndërkohë që ka nënshkruar kontratën 3.5 milionë euro për të sjellë këtë produkt nga Franca.

Burime të “Ora News” deklaruan për televizionin se “maskat mbrojtëse nuk janë importuar nga Franca, por ato janë prodhuar në një qytet bregdetar në Shqipëri”

Gjithashtu, të njëjtat burime deklaruan për televizionin se “maskat janë siguruar në kompani të paçertifikuara”, duke ngritur dyshime të forta se kompania “Farma Net Albania” dhe “Euromed” janë përfshirë në një kurs falsifikimi gjigand.

Në rast konfirmimi të këtyre dyshimeve, atëherë ato do të jenë pika e fundit në një tender skandaloz, për të cilin “Boldnews.al” ka raportuar edhe më parë.

Dyshimet mbi tenderin 3.5 milionë euro
“Boldnews.al” ka raportuar më parë mbi dyshimet që qëndrojnë mbi tenderin sekret, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë, në datat 17-18 Mars 2020.

Në një tender një-ditor, Ministria e Shëndetësisë, në mungesë të plotë transparence, shpalli bashkimin e operatorëve “Farma Net Albania” dhe “Euromed” si fituese të tenderit të drejtëpërdrejtë për “blerje maska dhe doreza mbrojtëse për COVID-19”.

Për zhvillimin e tenderit, pjesëmarrësit dhe fituesit, gjithçka u mbaj sekret për tre ditë. Më pas, qeveria, nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 241, dt. 21.03.2020, njoftoi se kishte miratuar kontratën ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimit të operatorëve “Farma Net Albania” dhe “Euromed”, me vlerë rreth 3.5 milionë euro.

LEXO EDHE  U votua në parlament – Burg kush shkel karantinën/ Çfarë parashikojnë ndryshimet në Kodin Penal

Edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk kishte asnjë detaj transparent për zhvillimin e procedurës, si edhe për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit.

Një dokument konfidencial i Ministrisë së Shëndetësisë, i siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”, tregonte se kompania “Farma Net Albania” kishte paraqitur çmimin më të lartë për maskat dhe dorezat, në një procedurë ku ishin ftuar të merrnin pjesë vetëm 5 kompani private.

Në përfundim, Ministria e Shëndetësisë vendosi të shpallte fituese kompaninë “Farma Net Albania”, megjithëse ajo kishte paraqitur ofertën më të lartë.

Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” treguan se Ministria e Shëndetësisë kishte ftuar një numër të kufizuar operatorësh ekonomikë për të paraqitur ofertat e tyre, ndër to edhe “Farma Net Albania”, e cila nuk është depo farmaceutike, por rrjet farmacish.

Falsifikimi me maskat?
Ministria e Shëndetësisë vijon të ruajë “sekretin” e kontratës me “Farma Net Albania” dhe “Euromed”, ndërkohë që në media u publikuan dyshimet se kompania private mund të ketë falsifikuar vendin e origjinës së maskave mbrojtëse.

Në rast se dyshimet konfirmohen, atëherë përgjegjësia penale duket se do të shkojë shumë lart. Gjithësesi, mbetet për t’u parë reagimi i Prokurorisë Speciale-SPAK, e cila, deri më tani, ka mbajtur pozicionin e “pritësit” të kallëzimeve për rastet e dyshuara korruptive.

Nga BoldNews.al