Nonda Buxhuku/ Mbi 80 % e atyre që dalin në pension do të marrin më pak se me ligjin aktual

    402
    Sigal

    Skema e re e pensioneve/ Ja pensioni sipas pagës që merr

    Reforma në pensione është e domosdoshme. Buxheti i sigurimeve shoqërore, me të ardhurat nga kontributet, nuk mbulon dot shpenzimet. I duhet qeverisë të shtojë rreth 400 milionë dollarë për të përballuar pagesat për pensionet. Prandaj dhe masat e parashikuara në skemën e re të pensioneve: Për rritjen graduale të moshës së pensionit për gratë fillimisht dhe pastaj bashkërisht me burrat për të arritur moshën 67 vjeç; si dhe rritja nga 35 në 40 vjet e punës së siguruar për të dalë në pension të plotë, do të rrisin të ardhurat nga kontributet, por edhe do të pakësojnë shpenzimet. Pra, do të punohet 7 vjet më shumë nga gratë dhe 2 vjet më shumë nga burrat (shtohen të ardhurat për këtë periudhë) duke pakësuar shpenzimet që do të bëheshin për këtë periudhë kohe (pensionistëve u shkurtohet koha e përfitimit të pensionit).

    Reforma

    Rritjes së moshës së pensionit dhe e rritjes së vjetërsisë në punë të siguruar, si dhe parimit tjetër se kush paguan më shumë kontribute do të marrë pension më të madh (është hequr dhe tavani i pensionit maksimal), ndërsa kush paguan më pak kontribute do të marrë pension më të vogël, u është bërë propagandë shumë e madhe dhe diskutimet “pro” e “kundër”, si gjithmonë për çdo reformë të re, nuk janë të pakta. Ndërsa janë gjithmonë e më të paqartë se sa dhe në çmasë do të jenë pensionet, sipas skemës së re. Pra pyetjet janë: Duke filluar nga viti 2015, sipas skemës së re, sa do të marrin konkretisht, do të marrin më shumë apo më pak nga sa jep ligji i sotshëm i sigurimeve shoqërore? Nga cila pagë mesatare mujore fillon përfitimi më i madh i pensionit, kundrejt atij të sotmit? Me pak fjalë, qytetarët janë të interesuar, pak a shumë, të dinë se sa do të marrin, aq më tepër që rritet si mosha e daljes në pension ashtu edhe vjetërsia në punë e siguruar.

     Tabela, masa e përftimit të pensionit sipas skemës së re

    Në këtë shkrim jam munduar që këtë dilemë, që kanë punonjësit, e veçanërisht ata që janë në prag të pensionit, ta qartësoj me të dhënat e pasqyrës së mëposhtme.

    Të dhënat në pasqyrë i referohen çdo punonjësi që pret të dalë në pension në vitin 2014, në moshën e pensionit 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat dhe ka 35 vjet vjetërsi të siguruar në punë dhe kërkon pension të plotë pleqërie.

    Në pasqyrë llogaritjet janë bërë si me skemën e re të pensioneve që është përgatitur, ashtu dhe sipas ligjit në fuqi të sigurimeve shoqërore. Për t’u kuptuar më mirë nga çokush, llogaritjet janë bërë me lekë të vjetra.

    Shuma e pensionit të plotë të pleqërisë (në lekë të vjetra)

    Sipas skemës së re

    Sipas ligjit në fuqi

     
    Nr. Paga mesatare mujore Shuma e pensionit social Shtesa 1% për çdo vit pune Shuma e pensionit Paga mesatare mujore Shuma e pensionit minimal Shtesa 1 % për çdo vit pune Shuma e pensionit Diferenca në + ose –
    1 200.000 51.530 70.000 121.530 200.000 120.240 75 % 150.000 -28.470
    2 250.000 51.530 87.500 139.030 250.000 120.240 75 % 187.500 -48.470
    3 300.000 51.530 105.000 165.530 300.000 120.240 75 % 225.000 -68.470
    4 350.000 51.530 122.500 174.030 350.000 120.240 75 % 240.470 -66.440
    5 400.000 51.530 140.000 191.530 400.000 120.240 140.000 240.470 -48.940
    6 450.000 51.530 155.750 207.280 450.000 120.240 155.750 240.470 -33.190
    7 500.000 51.530 175.000 226.530 500.000 120.240 175.000 240.470 -13.940
    8 600.000 51.530 200.000 261.530 600.000 120.240 210.000 240.470 +21.060
    9 700.000 51.530 245.000 296.530 700.000 120.240 245.000 240.470 +56.060
    10 800.000 51.530 280.000 331.530 800.000 120.240 280.000 240.470 +91.060
    11 900.000 51.530 315.000 366.530 900.000 120.240 315.000 240.470 +126.060
    12 1.000.000 51.530 350.000 401.530 1.000.000 120.240 350.000 240.470 +161.040

     Interpretimi i tabelës

    Për llogaritjen e shumës së pensionit sipas skemës së re, pensionit social prej 51.530 (pa kompensimet) i është shtuar 1 % për çdo vit pune të siguruar, mbi pagën mesatare për 35 vjet, pra, shtesa është baras me 35 % të pagës mesatare. Ndërsa llogaritja sipas ligjit në fuqi të sigurimeve shoqërore, është bërë duke i shtuar pensionit minimal prej 120.140 lekësh shtesën prej 35 % të pagës mesatare me kushtin që të mos kalohet tavani prej 240.470 lekësh, i barabartë me dyfishin e pensionit bazë (minimal), siç kërkon ligji sot si dhe të mos jetë më shumë se 75 % e pagës mesatare të 3 vjetëve me radhë gjatë 10-vjeçarit të fundit të punës (Neni 32).

    Nga pasqyra e mësipërme rezulton se kush ka pagë mesatare mujore për 35 vjet nga 200-500 mijë lekë do të marrë më pak sesa garanton ligji i sotëm në fuqi dhe se përfitojnë më shumë pagat mesatare nga 600 mijë e lart.

    Sipas ligjit në fuqi, me pagë mesatare 350 mijë lekë përfiton pension maksimal prej 240.470 lekë, ndërsa sipas skemës së re do të marrësh 174.030 lekë ose 66.440 lekë më pak. Po më pak do të marrin dhe ata deri në paga mesatare mujore prej 540 mijë lekësh, në një kohë që me këto paga përfitohej pensioni tavan, maksimal. Punonjësit që dalin në pension vitin e ardhshëm do të marrin pension më të vogël nga sa garanton ligji në fuqi i sigurimeve shoqërore. Dhe kjo kuptohet lehtë… Tani lind pyetja se sa nga punonjësit, që do të dalin në pension vitin tjetër, do të kenë pagë mesatare deri 540. 000 lekë që të paktën të marrin atë që u takon sot?

     Skema e re, përfitime më të ulëta për pensionistët e rinj

    Sot pensionistët me të drejtë ankohen për nivelin e ulët të pensioneve dhe mbanin shpresa për rritje të tyre. Tani ngelet të ngushëllohen kur të shohin pensionistët e rinj me më pak pension. A mund të shpjegohet kjo gjendje, ky përkeqësim për moshën e tretë? A mund të themi se po ndiqet një politikë sociale me këtë shtresë?

    Skema e re e pensioneve është dhe një farë thirrje që u bën pensionistëve që janë sot: Ju i keni mirë pensionet, mos prisni më rritje! Të tjerët pas jush do të jenë më keq, prandaj mos u ankoni! Pra, ky është vlerësimi për moshën e tretë. Por mos të harrojë asnjë, që këtë moshë do ta kalojnë të gjithë, prandaj duhet menduar që sot për nesër. Por këtë mundësi e kanë pak njerëz. E kanë të pasurit, politikanët e pushtetarët me të ardhura të larta. Të varfrit nuk kanë mundësi të kursejnë. Ata me paga të ulëta dhe që përbëjnë shumicën, me vështirësi përballojnë jetesën. Por në pension do të jetojnë dhe më keq. Shteti që duhet të mendojë për ta, pak ose aspak shpresa jep me skema apo reforma të tilla.

    Në përfundim, dua të them se grupi i punës që ka punuar për këtë skemë, me siguri që është i kamur, pra me paga të larta. Ata kanë menduar më shumë për vete se për të tjerët, shumicën, të varfrit, pensionistët.

    Rekomandoj organet përkatëse që do të merren me shqyrtimin e miratimin e këtij drafti deri në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të mos e miratojnë formulën e llogaritjes së pensionit duke hartuar skemë të re, që të paktën qytetarët të mos marrin më pak nga sa përftohet sot, edhe pse niveli i pensioneve të sotme është i ulët dhe i pamjaftueshëm për shumicën e  e pensionistëve për një jetë të pranueshme. Pensionistët sytë i kanë vetëm nga qeveria, ajo duhet të mendojë më shumë për ta. Ata gjithmonë mendojnë, nuk i kanë humbur shpresat. Të presim…