“Ndjeva një zhurmë të lehtë”, zbardhet plagosja në Durrës, flet pronari i shtëpisë: Hajduti nxori pistoletën nga brezi

474
Sigal

Është zbardhur tentativa e grabitjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku mbeti i plagosur pronari i banesës.

Burime për Fax News bëjnë me dije se autori i ngjarjes është Astrit Thaçi, 27 vjeç, banor në lagjen 13 të qytetit bregdetar, i cili pasi hyri në banesën e Rexhep Terziut, qëlloi mbi këtë të fundit.

Vetë Terziu ka rrëfyer për policinë ngjarjen.

Ai ka treguar se sapo ishte kthyer nga puna kur ka dëgjuar zhurmë të lehtë në banesë.

Ka dalë jashtë në pjesën e oborrit ku ka diktuar grabitësin. Ky ka dalë menjëherë jashtë për tu larguar por sapo ka dalë në rrugë është arritur nga Terziu i cili është përleshur me të.

Për një moment grabitësi është shmangur dhe ka nxjerrë pistoletën nga brezi me të cilën ka qëlluar në këmbë Terziun duke e plagosur atë. Më pas grabitësi është larguar me vrap nga vendngjarja.

Familjarët e Tereziut kanë njoftuar spitalin dhe policinë njëkohësisht.

Njoftimi i plotë i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 13, Durrës, ku mbeti i plagosur me armë 42-vjecari R. T.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjeti që ka përdorur autori i dyshuar, një palë veshje dhe prova të tjera që shërbejnë për dokumentimin e ngjarjes.

Shërbimet e Policisë Durrës, menjëherë pas ngjarjes se ndodhur në lagjen nr. 13, Plazh, ku një person i maskuar dhe me armë zjarri pistoletë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit R. T., plagosi në këmbë me armë zjarri të zotin e banesës dhe u largua me shpejtësi, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, si dhe u ngritën pika kontrolli të shumta dhe u zhvilluan kontrolle në banesa e objekte të ndryshme.

Falë veprimeve të shpejta nga grupi hetimor u bë e mundur që brenda pak orëve të zbardhej ngjarja dhe të identifikohej autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Th., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.