Naim Balluku/ Emigrantët që s’kanë 5 vjet rezidentë në Shqipëri, nuk përfitojnë dot pension social

    372
    Sigal

    EMIGRANTËT E KTHYER DHE RIINTEGRIMI I TYRE

    Situata e vështirë që po kalon Europa, si rezultat i krizës ekonomike, ka bërë që një numër i madh emigrantësh të kthehen në Shqipëri. Aq me keq që kriza më e madhe ekonomike ka mbërthyer dy shtetet fqinjë, Greqinë dhe Italinë.

    Në kuadrin e 5-6 viteve të fundit, janë kthyer rreth 134 mijë emigrant, nga të cilët rreth 33 mijë nga Italia dhe 90 mijë nga Greqia. Kthimi i tyre në Shqipëri vjen si rezultat i papunësisë dhe pamundësisë për të krijuar të ardhura për jetesë.

     Kriza ekonomike dhe papunësia e emigrantëve në Itali

    Pa dyshim që kriza ekonomike shoqërohet me rritje të papunësisë e cila lidhet drejtpërsëdrejti me problemet e emigrantëve. Këtë e tregon fakti se, niveli i papunësisë në Itali është mjaft i lartë, që sillet rreth 12.5 për qind, ndërsa për emigrantët shqiptarë është mbi 18.8 për qind. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19.7 për qind. Për të rinjtë në moshë 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej 43 për qind. Fakti që rritja ekonomike, këto 3 muajt e fundit në Itali, është në vlera negative, -2 për qind dhe inflacioni rezulton në nivele tepër të ulëta në masën 0.1 për qind, ose shumë në prag deflacioni, tregon se ende nuk mund të shpresojmë për një përmirësim të shpejtë.

     Papunësia e emigrantëve në Greqi

    Po kështu niveli i papunësisë në Greqi është më tepër i lartë se në Itali. Me gjithë një farë përmirësimi, niveli i papunësisë arrin në një masë prej 26.6 % (nga 27.9 që ishte para 6 muajsh), duke qenë më i larti në Europë. Jashtëzakonisht e lartë është papunësia për moshat e reja 16 deri 24 vjeç, që kap nivelin e 53 për qind. Edhe në Greqi rritja ekonomike është në vlera negative ende në recension, me një vlerë – 2 për qind, ndërsa inflacioni është në prag deflacioni në masën 0.1 për qind.

     Problemet sociale të emigrantëve të kthyer

    Nisur nga këto kushte, një pjesë e emigrantëve, po konsumojnë ato pak kursime prej vitesh, duke shpresuar për të gjetur një vend pune, vetëm e vetëm, se kanë krijuar një bazë jetese dhe për efekt të shkollimit të fëmijëve.

    Pjesa më e madhe e emigrantëve, me gjithë problemet tepër të mëdha që ndeshen, gjejnë rrugën e vetme, kthimin në Shqipëri. Por, edhe në Shqipëri ballafaqohen me një sërë problemesh, që lidhen me punësimin, strehimin, mbasi një pjesë e mirë kanë shitur shtëpitë, me arsimimin e fëmijëve, mbasi ata kanë studiuar në shkolla të shteteve ku kanë banuar dhe aq më tepër që ka shumë fëmijë që nuk njohin gjuhën shqipe. Pra, në një farë mënyre fëmijët vuajnë gabimet e prindërve, të cilët nuk u kanë mësuar gjuhën shqipe.

     Punësimi

    Problem tepër i madh i emigrantëve të kthyer, është punësimi dhe krijimi i mjeteve të jetesës. Në kushtet e një papunësie të madhe dhe në vendin tone ( 17.7 për qind ) e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Pa dyshim ka dhe emigrantë, që duke shfrytëzuar, specializimin në vendet ku kanë jetuar, kanë filluar biznese të suksesshme, por numri i tyre, krahasuar me fluksin tepër të madh të të kthyerve është tepër i vogël.

     Pensionet

    Një pjesë e tyre, në moshë pensioni apo afër kësaj moshe, paraqiten në zyrat tona, duke kërkuar të dalin në pension të parakohshëm. Por kjo kërkesë është e parealizueshme, mbasi për të përfituar pensionin e parakohshëm, nevojiten të paktën 35 vite, vjetërsi kontributive. Kërkojnë informacion, për të përfituar pensionin social në vitin 2015, por edhe për përfitimin e kësaj të ardhure do të kërkohet që të kenë qenë rezidentë në Shqipëri 5 vitet e fundit. Në këtë mënyrë, emigrantët në moshë pensioni, i nënshtrohen pensioneve të pjesshme, mbasi shumë të pakët janë ata që kanë plotësuar 35 vite me vjetërsi kontributive, për të përfituar pension të plotë. Edhe në shtetet, ku kanë jetuar dhe punuar, nuk përfitojnë pension, sepse nuk plotësojnë kushtet për një vjetërsi kontributive të kërkuara nga legjislacionet respektive të këtyre vendeve. Një pjesë e mirë, duke mos gjetur mjete jetese i nënshtrohen aplikimit për ndihmë ekonomike, duke u përballur me një varfëri ekstreme.

     A e meritojnë emigrantët një trajtim të tillë?

    Emigracioni shqiptar, ka patur një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimet social-ekonomike të vendit tonë, duke amortizuar në mënyrë të konsiderueshme problemet e mëdha social-ekonomike gjatë gjithë viteve të tranzicionit dhe vazhdojnë të japin kontribut të konsiderueshëm në ekonominë e vendit. Me mijëra familja kanë mbijetuar vetëm në sajë të dërgesave nga familjarët e tyre emigrantëve. Po kështu, emigracioni ka patur një ndikim të konsiderueshëm, për mos rritjen më të madhe të papunësisë. Mjafton të kujtojmë se në Itali janë të punësuar 260 mijë emigrant shqiptarë dhe po aq dhe në Greqi. Po ta marrim në mënyrë hipotetike, çdo të bëhej, nëse e gjithë kjo masë punonjësish të ishte në Shqipëri? Pa asnjë diskutim që tregu i punës do ta kishte të pamundur të absorbonte këto forca pune dhe kriza ekonomike do të ishte e pashmangshme.

     Të ardhurat nga emigrimi

    Për rolin e madh të emigracionit mjafton të përmendim, se remitancat nga emigrantët për vitin 2007, ishin 952 milionë euro, ndërsa në vitin 2013 ishin në masën 497 milionë euro. Dhe këto, janë vetëm remitanca të dërguara nëpërmjet bankave. Megjithatë, ne të gjithë jemi dëshmitarë, se pjesa më e madhe e tyre, dërgohet personalisht, gjate kthimit në pushimet verore, apo në festat e fundvitit. Pavarësisht uljes së remitancave, si rezultat i krizës ekonomike, apo dhe të bashkimeve familjare në këto vende, edhe shuma prej afro 500 milionë dhe po kaq e supozuar të kthyer dorazi, janë ende një faktor i rëndësishëm në jetën social ekonomike të vendit, të cilat amortizojnë mjaft problem sociale.

    Në këto kushte u jemi borxhli emigrantëve, të cilët kanë punuar në vende pune tepër të vështira, shpesh duke rrezikuar shëndetin dhe jetën për të krijuar ato të ardhura.

     A duhet t’ua kthejmë, qoftë në një masë të vogël kontributin e tyre?

     Pa dyshim, që është e domosdoshme dhe do të ishte humane. Është e pafalshme për gjithë shoqërinë tonë, që emigrantët t’i lëmë në fatin e tyre dhe të kujtohemi për këtë kategori, që nuk është e vogël, por 1/3 e vendit, vetëm për votën e tyre. Mendoj se është e domosdoshme që në hartimin e legjislacionit, të merret parasysh se kemi një komunitet të rëndësishëm shtetas shqiptarë në emigracion. Është e pavlerë, vetëm të flasim për emigracionin dhe shpesh të qajmë hallet e tyre. Hallet ata i dinë më mirë se ne, mbasi i kanë në kurriz. Problemi shtrohet ç’po bëjmë dhe ç’do bëjmë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

    Përballja e emigrantëve në moshë pensionimi me varfërinë

     

    Nuk përfitojnë dot pension të parakohshëm se nuk kanë 35 vjet punë

    Nuk marrin dot pension social se nuk kanë qenë rezidentë 5 vitet e fundit në Shqipëri

    Nuk përfitojnë pension në vendet ku emigruan, se nuk plotësojnë kushtet për një vjetërsi kontributive të kërkuar nga legjislacionet respektive të këtyre vendeve

     INFO

     134 000 emigrantë janë kthyer 5-6 vitet e fundit

    33 000 emigrantë janë kthyer nga Italia

    90 000 emigrantë janë kthyer nga Greqia

    Papunësia në Itali

    12.5 % papunësia në Itali

    18.8 % papunësia për emigrantët në Itali

    19.7 % papunësia për gratë

    43 % papunësia te të rinjtë nga 15-24 vjeç

    Papunësia në Greqi

    26.6 % niveli i papunësisë

    53 % papunësia për moshat 16-24 vjeç

     

    Remitancat (të ardhurat nga emigrimi) nëpërmjet bankave

    952 milionë euro për vitin 2007

    497 milionë euro për vitin 2013