Ministri Niko Peleshi jep 800 milionë lekë tender për materiale mirëmbajtjeje për repartin Nr. 4001

192
Sigal

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, duket se “pe leshi” ka vetëm mbiemrin, pasi në të vërtetë rezulton të jetë mjeshtër i vërtetë në kopsitjen e tenderave prej qindra milionë lekësh. Dhe jo tendera dosido, por tendera që kapin vlerë prej 800 milionë lekësh. Natyrisht kur flitet për vlera të larta edhe vetë tenderi është i dyshimtë. I tillë është edhe ky rast, ku për çudi nga 6 firma pjesëmarrëse, 4 kanë ofruar vlera më të ulëta sesa fituesi. Por ndoshta Nikos i kanë zënë “lesh” sytë dhe nuk i ka parë mirë ofertat e tjera. Por për çfarë bëhet fjalë? Rezulton se Komanda Mbeshtetëse, Reparti Ushtarak Nr. 4001, ka organizuar një tender me numër reference REF-36386-07-15-2022 dhe me objekt “Blerje materiale për mirëmbajtjen e përgjithshme” për një fond limit prej 79,773,160 lekësh të reja ose rreth 950 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke parë dokumentat e kësaj procedure shikohet se një kompani nuk ka ofruar fare vlerë, ndërsa 3 të tjera kanë ofruar më pak se sa fituesi. Ky i fundit është shpallur firma LIQENI VII në pronësi të shtetasit Ramazan Kalia për vlerën e ofruar prej 67,686,778 lekë të reja pa TVSH ose rreth 800 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë kjo vlerë rezulton të jetë sa 85% e fondit limit të tenderit, gjë që rrit akoma më tej dyshimet se fituesi ka qenë i paracaktuar.