Marte Ndreca, 108-vjeçarja nga Kukësi që kërkon të lidhë pension

    478
    Sigal

    Shteti duhet të gjejë mundësinë për ta ndihmuar me ndihmë mjekësore dhe me punonjës të kualifikuar socialë

    Disa javë më parë, për arsye profesionale, u gjenda në një institucion publik ku, për nevoja shumë jetësore, të paktën një herë në jetë shkojnë pothuajse të gjithë. Ndonjëherë edhe kot, por nga emri që ka, “Sigurime Shoqërore”, njeriu shpreson. Në atë zyrë prisnin shumë njerëz, midis tyre ishte dhe një i moshuar rreth të 70-tave, që me sa duket më njihte për shkak të profesionit tim si avokat. Më tregoi hallin me shpresën  se mund të merrte ndonjë mendim ligjor pozitiv për t’i siguruar nënës së tij pension, ose asistencë ekonomike. Këto fjalë më tërhoqën vëmendjen: një 70- vjeçar kërkonte pension për nënën. Ai ishte një njeri i thjeshtë, i zgjuar, i varfër por ndjente dashuri të madhe për nënën e tij. Ai e nuhati habinë time, edhe pse reagova me mimikë, pa folur. Duke qeshur më tha se ishte me fat që e kishte nënën të dl. 6 tetor 1905 dhe është plot 108 vjeç. “Nëna ime e festoi 100-vjetorin e saj 8 vjet më përpara se 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në fillim nuk m’u duk e besueshme, por edhe këtë e nuhati bashkëbiseduesi dhe menjëherë më dha letërnjoftimin e nënës së tij. Letërnjoftimi ishte lëshuar në dt. 21 tetor 1982 nga Zyra e Gjendjes Civile Gjegjan dhe certifikatë familjare të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile Durrës. Tek të dyja lexova Marte Ndreca e Nikollës dhe Prenës lindur në 06.10.1905, vendi i lindjes Shëngjin-Kukës. Ajo që në fillim nuk e besova, kur e pashë dhe u binda se ishte e vërtetë, më  dha kënaqësi dhe në moment solla në mendje Kukësin dhe te gjithë zonën për atë terren të bukur me male, pyje, kullota, burime me ujë të ftohtë, klimë të freskët në behar dhe të ftohtë në dimër, me borë dhe akull, por të shëndetshme. Një zonë me të gjitha të mirat që i ka dhënë Zoti, por edhe me Rrugën e Kombit që u ndërtua vitet e fundit.

    Jetesa e mbushur me vështirësi

    Marte Ndreca tërë jetën e saj e ka kaluar në zonën Kukës-Pukë, në mes bjeshkëve. Kuptohet, si të gjithë, edhe ajo në jetën e saj ka kaluar të mira dhe halle, sidomos varfërinë që e ka edhe sot duke qenë pa asnjë ndihmë. Ajo është ushqyer me ato që kishte mundësi të siguronte në fshatin e kolektivizuar, më shumë me perime, fruta, bulmet, në të shumtën e herëve me pakicë, por ishin të gjitha natyrale, ose siç i themi sot Bio. Për vetë Marten dhe njerëzit e saj 108 vjet nuk janë pak, por njeriu është ndërtuar për i tillë që jetën ta dojë dhe asnjëherë nuk ngopet me të jetuar. Ajo vetë nuk ka asnjë pension apo ndihmë nga shteti, por edhe ato pak sa për të mbijetuar e mban fëmija më i vogël që edhe ai ka të ardhura minimale. Me sa duket i ka sfiduar vitet, sepse ka shëndet që lëviz normalisht, shikon mjaft mirë, dëgjimin e ka pak të dobësuar në njërin vesh; oreksin e ka shumë të mirë, madje i pëlqen të pijë edhe nga një gotë raki, sikur të ishte jo 108, por 50 vjeçe. Ajo e ka bërë atë që i takon për vetë, por duhet ndihmuar që të bëhet me vlere edhe për shoqërinë. Për një rast si ky duhet gjetur medoemos mundësia për ta ndihmuar këtë grua me mjete për të jetuar, me ndihmë mjekësore, me asistencë nga punonjës të kualifikuar socialë për të jetuar sa më gjatë dhe, pse jo, rekordin për jetëgjatësi ta ketë një grua shqiptare. Ky është edhe një rast i mirë studimi për të zbuluar ata faktorë që ndikojnë për jetëgjatësinë e njeriut. Një thirrje kjo e drejtpërdrejtë për ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.

    Kërkesa për ndihmë

    Kjo grua ka patur fatin e saj në jetë që të jetojë gjatë, por ka sot më shumë nevojë se kurrë që të ketë një ndihmë minimale që të jetojë edhe më shumë. Kjo e moshuar, është një vlerë për kombin, është një simbol mbijetese dhe një burim optimizmi për të cilin shoqëria shqiptare ka aq shumë nevojë. Pavarësisht nga shpenzimet, dobia është shumë më e madhe. Marte e ka bërë atë që kishte mundësi dhe deri këtu ka ardhur me shpenzimet e saj, këtej e tutje duhet të shpenzojë shoqëria, sepse jetëgjatësia e saj është më shumë në të mirën e kombit, se sa të kësaj gruaje shumë të moshuar. Më vjen mirë që ky rast i kësaj gruaje të thjeshtë të vlejë për të nxitur shtetin dhe shoqërinë për ta uruar dhe ndihmuar për jetë sa më të gjatë por atë dhe vitet e saj ti bëjnë me të vërtetë pasuri kombëtare. Rastin e Marte Ndrecës ta vlerësojmë edhe si për një garë sportive të jetëgjatësisë dhe duke i bërë shërbimet, ajo me moshën e saj deri tani mbi 108 vite të jetojë sa më shumë dhe të zërë vendin e parë në botë.

    AV. Rifat Aliu/ Durrës

    LIBRI GUINESS/ Rekordin për jetëgjatësi duhet ta ketë një grua shqiptare

    Kjo grua ka të drejtë të kërkojë si edhe një i ri, por atë duhet ta ndihmojë dhe ta mbrojë edhe shteti që të rrojë sa më shumë. Ajo edhe me moshën deri tani me 108 vjet zë vend nderi për jetëgjatësi, por po të ndihmohet nga ana ekonomike për të përmirësuar strukturën e të ushqyerit ose me asistencë më të kualifikuar dhe llojet e njohura të terapive të ndryshme, Marta jonë mund të hyjë në Librin Guiness si gruaja më jetëgjatë në botë dhe të kthehet me të vërtetë në një pasuri kombëtare me shumë vlera. Ajo është disa herë gjyshe dhe katragjyshe, fëmijën më të vogël e ka rreth 70 vjeç dhe për fatin e saj gëzon një shëndet shumë të mirë, edhe pse me mundësi dhe mjete shumë të pakta.