Koçi Vasi:Ja si e krijuam Brigadën e VIII Sulmuese më 25 prill 1944

    429
    Sigal

    INTERVISTA/ Rrëfen për “Telegraf”, ish-partizani Koçi Vasi: “Një nga bazat e forta të Brigadës sonë qe edhe batalioni ‘Çamëria”

    Koçi Vasi në moshën 77-vjeçare ende merret me bahçen e tij në shtëpinë që ka në qendër të qytetit, një banesë që nuk ka pësuar ndryshime qysh kur është ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore. Aty gjen pemë nga më të ndryshmet dhe Koçin me vegla pune në dorë. Thotë se në këtë banesë nuk do të ketë ristrukturim deri sa ai të iki nga kjo botë, se aty janë kujtimet dhe kujtimet nuk duan ristrukturime. Është banesa, ku lindi dhe prindërit e ndërtuan pasi erdhën nga Gjirokastra të merreshin me tregti e biznes. Ai ka qenë partizan dhe rrëfehet për jetën e tij luftarake si partizan i Brigadës së VIII Sulmuese e deri në çlirimin e atdheut nga nazi-fashistët, puna e tij në administratën shtetërore si në PTT, peshkim, sport, estradë e gjetkë deri sa doli në pension. Është një familje e lidhur tërësisht me LANÇ-in dhe jo vetëm kontribuues, por edhe derdhur gjak, pasi kushëriri Themo Vasi është hero, babai dhe kushëriri i bashkëshortes, Zoicës, përsëri dëshmorë Pano e Spiro Xhamballa, njëri i vrarë në Mirditë dhe tjetri vdekur nga torturat në burgun e Tiranës. Ai rrëfen disa kujtime për gazetën “Telegraf”, lidhur me veprimtarinë e Brigadës së VIII Sulmuese krijuar më 25 prill 1944.

    Si lindi lëvizja NAÇL në Sarandë dhe si kontaktuat për herë të parë me idetë komuniste? Cilat ishin veprimet e para tuajat?

    Formimi i PKSH më gjeti 16 vjeç. Në atë kohë funksiononin dy grupe me idetë komuniste apo veprimtarë të kësaj ideje mund të them (të mëdhenjtë dhe të vegjlit, në këtë grup futej edhe grupmosha jonë). Bënim mbledhje, aty ku sot është plazhi i ri i qytetit dhe ndanim detyrat, të cilat kryesisht praktikoheshin me shpërndarje komunikatash dhe ngjitje traktesh, por edhe ndonjë vëzhgim i personave të dyshuar si spiunë të fashizmit apo të dëmshëm për lëvizjen e sapo nisur. Më kujtohet se një nga bashkëmoshatarët tanë, Koço Zera, kishte një motoçikletë dhe e përdornim për lëvizjet tona, na ndihmonte shumë. Hipnim në të dhe duke xhiruar rrugëve këndonim edhe këngë. Tani, më kujtohet se përhapësi i parë i këtyre ideve në Sarandë ka qenë Muzafer Asqeriu nga Gjirokastra me vëllain e tij Ziniun, Skënder e Hajro Malile që ishin si përgjegjës. Kishte shumë shokë, madje edhe nëpunës në nënprefekturë që punonin për lëvizjen. Muzaferi erdhi dhe hapi një dyqan në qytet. Por ka ardhur në këtë kohë edhe Nako Spiru, Qemal Stafa e të tjerë, po këta njiheshin si udhëheqës të lëvizjes në atë kohë. Ne nuk e dinim që ai qe përgjegjësi i celulës komuniste, por kjo u mor vesh kur ai kaloi në ilegalitet dhe karabinieria fashiste e shpalli në kërkim si person të rrezikshëm duke ngjitur afishe në gjithë qytetin. Në korrik të vitit 1942 na futën edhe në burg nja 30 veta të “grupit të të vegjëlve”. Kështu vazhduam deri sa dolëm partizanë…

    Dhe kur ndodhi kjo, që ju vendosët të dilnit partizan në mal?

    Fillimisht në mars të 1943 –it kam dalë partizan me një shokun tim, Piro Mosi. Ika në Zagorie, por nuk na mbajtën nga mosha. Kështu u ktheva në Sarandë pas dy javësh dhe përsëri në qershor 1943 shkova në Konispol në çetën “At Stath Melani”, me komandant Tefik Koron. Kjo çetë me krijimin e batalionit “Çamëria” më 18 qershor 1943 u inkuadrua në këtë batalion, ku komandant u caktua Haki Rushiti dhe komisar Qazim Kondi. Dhe kështu, luftime pas luftimeve ky batalion ndërroi shumë komandantë si: Fadil Çuçi, Kadri Aliu, Hasbi Koro, Edip Çuçi, Ramadan Hysi etj., deri sa u krijua Brigada e VIII Sulmuese më 25 Prill 1944. Vlen për t’u theksuar se batalioni “Çamëria” reflektoi një bashkëpunim të ngushtë të njësive partizane të Çamërisë me njësitë partizane të minoritetit grek në Shqipëri. Qendrën batalioni ynë e kishte në kalanë e Libohovës.

    Çfarë mbani mend nga 25 Prilli 1944-s, dita kur formuat Brigadën e VIII Sulmuese të LANÇ-it?

    Brigada u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ-it të firmosur nga Komandanti i Përgjithshëm Spiro Moisiu dhe Komisari Enver Hoxha, strukturë ushtarake drejtuese e LANÇ-it dalë nga konferenca e Labinotit të 10 Korrikut 1943, për të ndryshuar në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944. 25 Prilli i 1944-s qe një ditë e bukur pranvere, ku syri të kapte lulëzim e gjelbërim. Batalione nga krahina të ndryshme ishim mbledhur në Sheper të Zagories. Brigada u krijua nga pjesa më e madhe e batalionit Çamëria nga batalioni Perlat Rexhepi, Koto Hoxhi, dy kompani nga batalioni minoritar Thanas Ziko, pra katër batalione krijuan këtë brigadë që la gjurmë të lavdishme në historinë e LANÇ-it dhe vlen të theksohet se vetëm 70 partizanë ishin të rinj, të tjerët ishin partizanë të vjetër, çka i dha suksese brigadës në luftime përvoja e tyre. Atë ditë u rreshtuan nëpër këngë e gëzim, në një atmosferë që e sillte ardhja e afërt e lirisë, rreth 900 partizanë, ku rreth 100 ishin kuadro të kalitura në luftime me armikun, e po kaq mesa më kujtohet, ishin shoqe, por kishim edhe nënë moshë një 50 të rinj, ndërsa komunistët partizanë arrinin tek 100 e ca veta, gjithmonë mesa mbaj mend nga komunikata e asaj dite, se u bënë vite. Dhe detyra e parë që morëm dhe e kryem me sukses ishte mbrojtja e Kongresit historik të Përmetit, por edhe kalimi me sukses i Operacionit armik të Qershorit me zhvillimin e një muaji luftime të pandërprera si në mësymje, mbrojtje, përplasje, goditje të befasishme shtabesh dhe përqendrime artilerie të armikut. Këtu mund të përmend si detaj të veçantë përballimin e operacionit gjerman “Uhu” i planëzuar posaçërisht për Brigadën tonë, ku megjithëse e rrethuar, doli pa asnjë humbje. Kështu vijuan luftimet për spastrimin e zonës deri në çlirimin e qytetit të Gjirokastrës më 18-19 korrik, e për të ardhur tek çlirimi i Konispolit në gusht 1944, e më pas çlirimin e qytetit të Beratit, ku pritëm edhe qeverinë e Parë Demokratike të dalë nga Kongresi i Përmetit. Më pas çliruam Lushnjën dhe marshuam drejt Tiranës për të marrë pjesë në çlirimin e kryeqytetit. Brigada jonë mori pjesë në luftimet e 10-17 Nëntorit. Më pas shkuam në luftime në Mal të Zi e deri në Bosnjë, deri në çlirimin e Vishegradit. Kështu brigada jonë kreu 108 lloje luftimesh dhe ranë në fushën e betejës 148 dëshmorë e shumë inventare të tjera që nuk i mbaj mend si të plagosur nga ne e armiku, rrugë të përshkuara e armatim i kapur.

    Edhe në fund, po ju kujtohet dhe në qoftë se keni pasur rast, a je takuar me udhëheqjen si të luftës, ashtu edhe të pasçlirimit?

    Nuk kam patur takime, se partizan i thjeshtë isha. Po më kujtohet se në Berat kur erdhi qeveria demokratike na caktuan roje dhe isha nga të parët në pritje të qeverisë demokratike dhe të Enver Hoxhës në pritjen në qytetin e Beratit. Qe një trupmadh, i qeshur e i gëzuar, u fliste të gjithëve. Kam qenë afër edhe të tjerëve, po pa patur takime.

    Betejat më të rënda, çlirimi i Konispolit, Gjirokastrës dhe Tiranës

    Dua të them se dy beteja të rënda, çlirimi i Konispolit dhe i Gjirokastrës janë të pashlyeshme. Por dua të them se, rezistenca konispolate qe frontale, ballë-përballë me armikun edhe ajo e Gjirokastrës pasi ne ishim dislokuar në kodrat e Lazaratit, të cilët qenë me Ballin dhe na goditën. Nuk kemi qëndruar në luftëra sporadike, kemi qenë në front. Natyrisht këto beteja kanë patur gëzimin e fitores, por edhe hidhërimin e humbjes së shokëve. Qe luftë e armiku ishte më i sofistikuar. Në Tiranë u ngarkuam dhe zumë gjithë rrugën e Elbasanit të mos lejonim kalimin e gjermanëve. Në Tiranë u futëm natën tek kazermat e Ali Rizait. Autoblindat armike nuk pushonin, por megjithatë neve luftuam se, megjithëse, kishim pritën në rrugën e Elbasanit që mos të futeshin gjermanët në Tiranë, kishim edhe mbrojtjen e rrugës për në Shkodër që mos të lejonim ikjen e tyre, kështu luftuam deri sa u çlirua Tirana. Pas kësaj filluan organizimet e reja, ku ndër të tjera u krijua edhe një repart i mbrojtjes, ku u caktova edhe unë. Ky formacion kishte mbrojtjen e kufijve shtetërorë si detyrë. Nuk qëndrova gjatë këtu pasi u transferova në Brigadën e 19 Sulmuese në Malësi të Madhe. Kështu vijuan lëvizjen deri në artilerinë bregdetare të Durrësit, ku u shkëputa përfundimisht nga formacionet e Brigadave NAÇL deri në Prill 1949 kur u lirova nga ushtria dhe kreva punë në administrata deri edhe në sport e estradë. E, ja këto kujtoj si më të rëndësishme …