Jovan Bizhyti/ Vllehët e Shqipërisë, origjina dhe kontributi i tyre

    2461
    Sigal

     

    Voskopoja ishte nga kryeqendrat e qytetërimit vllah nga fundi i shek. të XVIII-të

    Një nga popujt e hershëm që kanë bashkëjetuar me shqiptarët në trojet e tyre, janë vllahët. Origjina e tyre shtrihet që me pushtimet e perandorisë Romake. Kanë shkruar për këto histori shumë studiues dhe autorë të ndryshëm. Më të plotë e më të hershëm  me studimet e tyre kanë qenë, Streboni, Eugjen Borene me studimin “Shënime mbi Vllehtë” në vitet 1869, dhe veçanërisht murgu francez Zhan-Klod Faverial me librin “Vllehtë e Pindit” në vitin 1864 dhe “Historia e Vllehve” në vitin 1891. Ky autor ka shkruar, gjithashtu, të parën vepër “Historia e Shqipërisë” (Histoire de l’Albanie), botuar në origjinal në gjuhën frënge,  si një ndër veprat e para të periudhës së hershme të Shqipërisë deri      në gjysmën e dytë të shek. të XIX-të.

    Këta autorë kanë shtruar pyetjen, se kush ka qenë Maqedonia e Aleksandërit të Madh, hipotezë, e cila është ende e errët në historinë    tonë ? Në një nga përgjigjet Faverial thekson se, “Maqedonasit e Greqisë ishin Pellazgë”. Kurse Streboni thekson se,“Maqedonasit flisnin të njëjtën    gjuhë me Epirotët”. Pra nuk flisnin greqisht dhe për t’u marrë vesh me grekët ishte i nevojshëm një përkthyes. Pellazgjishtja e tyre ishte më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten. Streboni thekson, se rreth vitit 168 p.e.s. veç romanizimit të fiseve Ilire, në atë periudhë u shpërngulën në një eksod masivë rreth 150 mijë banorë e kryefamiljarë nga Iliria në Gadishullin Apenin në Itali. Në vend të tyre romakët dërguan kolonë të tjerë romakë dhe këta romen u quajtën romano-vlleh.

    Po ashtu kësaj popullsie iu bashkëngjitën edhe mbeturinat e ushtrive romake nga lufta midis Pompeit dhe Çezarit në betejën e famshme të Frasalës, ku këto mbeturina të ushtrive u quajtën vlleh-farserotë dhe që dallohen nga vllehtë e tjerë nga theksi frëngjisht i germës R dhe që shumë vite më vonë krijuan dhe fshatra me emrin Frashër, si në Shqipëri, në Bullgari e tjera.

    Historiani rumunë, Teodor Capidan në studimet e tij “Romani Nomadi” dhe “Farseroti”, i quan vllehtë e Shqipërisë autoktonë me rrënjë trako-romane të asimiluar shekuj më parë me shqiptarët dhe që kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet e tyre. Ai i ndanë vllehtë e Shqipërisë në tri degë : – vllehtë me origjinë nga trevat e Pindit, – vllehtë e Gramozit me shtrirje në Voskopojë e përtej, dhe vllehtë e Myzeqesë në lëvizjet e mëvonshme. Gjuha e folur e vllehve është dialekt popullorë i latinishtes. Zhan-Klod Faverial shkruan se: “Ata lëvronin latinishten ballkanike që ishte dialekt popullorë dhe kjo e folur përdorej nëpër familje. Kjo gjuhë vllahishte ruhet e tillë edhe sot, duke patur huazime sipas shteteve, ku jetojnë vllahët”. Për  ruajtjen e gjuhës vllahe si dhe të shqipes, është bërë një luftë e madhe ndaj qarqeve shoviniste greke e sllave, që kanë dashur t’i eliminojnë këto gjuhë.

    Në vitin 1708 princi i Hongro-Vllahisë, Gjergj Kosturi, nxori një akt themelimi për hapjen e dy shkollave vllahe në Kostur. Në kishën metropolitane të Elbasanit, gjendet një dokument i hershëm i vitit 1736, ku metropoli i Beratit, Metodi, shkruan për inspektimin që bëri në kishën e Shën Mërisë së Neokastrës (Elbasanit), për funksionimin e shkollës vllahe. Elbasani shkurtimisht nga vllehtë është quajtur Neoksa. Një dokument i tillë për shkollat vllahe është dhe për Kavajën, Tiranën,  e Durrësin. Këto janë dokumente të hershme të shkollave vllahe.

    Në vitin 1878 Sulltani i shkruante Valiut të Selanikut dhe të Janinës, “Ne jemi bërë me dije se vllahët e Epirit, Thesalisë, Maqedonisë, Trikallës, e Selanikut, dëshirojnë të ngrenë shkollat e tyre në gjuhë amtare. Kërkoj të ngrini aq shkolla vllahe sa ta shihni të arsyeshme.” Në vitin 1884 në Korçë kishte shkolla shqipe dhe vllahçe. Vllehët qytetit të Korçës i thoshin Kërçao, Kavajës Këvalja, Beratit Villardi, Fierit Ferka dhe Vlorës Avllona.

    Në vitin 1770 në Venecia u botua një fjalor Greqisht-Vllahisht    -Shqip me 1070 fjalë me autor Teodor Kavaliotin, protopap i Voskopojës. Studjuesi Hammer thoshte se: “Në mesin e shekullit të XVII-të, një voskopojar i quajtur Dhimitër Prokopi, lëvronte në vllahishte me mjaft sukses.” Ndërsa studiuesi Pakimer shkruan, “Vllehtë shtriheshin nga rrethinat e Kostandinopojës deri në Bizi e më tutje. Ata pëlqejnë të jetojnë në vende të pa arritshme, ku ushqejnë kopetë e bagëtive, si dhe janë të zot në përdorimin e armëve.”

    Vllehtë në territorin shqiptarë ndodhen të përqendruar në pjesën jug-lindore, në atë të mesme dhe jug-perëndimore të Shqipërisë. Po ashtu ata shtrihen edhe në shtetet e tjera të Ballkanit si, në Greqi, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Serbi, deri dhe në SHBA, në Gjermani, Kanada, Australi, Argjentinë e tjera si emigrant ekonomik ndër vite. Në Fraiburg të Gjermanisë, është qendra e studimeve Vllah-arumune me në krye profesor V. Barben.

    Besimi fetar i vllehve është ai ortodoks. Bizanti bëri të gjitha përpjekjet të konvertonte popujt në Helenë, ata që Roma i kishte kthyer dikur në Romakë. Po ashtu dhe latinishten e gjuhët e tjera vendase,  i zëvendësuan me gjuhën Greke. Helenizimi morri autorësinë dhe të krishterimit, ku çdo i  krishterë  quhej  grek. Profesionet e vllehve kanë qenë kryesisht blegtorë, zejtarë, tregtarë, mirëmbajtës kanalesh, ujësjellësve, ndërtues banesash urbane e kishtare, si dhe urave.

    Popullsia shqiptaro-vllahe ka bashkëjetuar në harmoni të plotë,   si në përpjekjet për zhvillimin shoqërorë të tyre dhe në atë politikë. Mbretëria shqiptaro-vllahe e Prespës ka qenë një nga bashkëjetesat e suksesshme në luftërat e tyre të përbashkëta për ekzistencë, nën drejtimin e Kontit Samuel në vitet 976-1017, duke patur si kryeqendra Ohrin dhe Durrësin.

    Voskopoja ishte nga kryeqendrat e qytetërimit vllah nga fundi i shek. të XVIII-të e fillimet e shek. të XIX-të. Ajo u bë lakmia e rajoneve    të tjera dhe e rrethinave të saj që përjetonin varfërinë. Kjo çoi në atë  fund tragjik të sulmeve vandaliste, plaçkitjes e djegies nga bandat e dhunshme të Kolonjës e Dangëllisë, të mbështetura dhe nga feudalët       e rrethinave, si dhe nga kreditorët e voskopojarëve. Voskopoja ishte kryeqendra për vllehtë e Pindit të sipërm, ndërsa Mecova ishte për   vllehtë e Pindit të poshtëm. Të dy këto kryeqendra vllahe nuk patën të njëjtin fat e rëndësi. Mecova ekziston dhe sot, ndërsa Voskopoja u dogj   e u shkatërrua. Ja çfarë shkruan profesori klerik Zhan-Klod Faverial    për Voskopojën : “Po çfarë nuk do kish shkruar Pukëvili mbi Voskopojën, në se do kish arritur ta vizitonte këtë qytet kur ishte me 45 mijë banorë,    i pari i atyre kohëve në gjithë Shqipërinë para se të plaçkitej e të katandisej në një fshat me 250 familje.”

     Një  delegacion  vllah  në  Kostandinopojë.

    Në vitin 1878 nga Kongresi i Berlinit u shkëputën shumë krahina nga shtete të ndryshme, që u aneksuan vendeve të tjera dhe që e  ndryshuan hartën e Europës. Kështu u aneksuan dhe Epiri e Thesalia   që i kaluan Greqisë. Profesor Faveriali në veprën e tij shkruan : “Po aq sa dhe Epiri e Thesalia kurrë njëherë s’i kanë përkitur Greqisë. Vllehtë iu kundërvunë aneksimit të këtyre krahinave me po ato arsye të drejta si dhe  shqiptarët  ndaj  aneksimit  të  Epirit.”

    Një delegacion vllah shkoi në Kostandinopojë për të marrë takim me ambasadorët e disa shteteve të mëdha, për t’u ankuar ndaj këtyre padrejtësive. Një takim i tillë u bë me ambasadorin rus. Ai u tha :

    -“Kini mendjen, ju keni marrë përgjegjësi të madhe mbi vete”.

     Ata u përgjigjën :

    -“Shkëlqesi, ne i kemi menduar mirë, por jemi mes jetës dhe vdekjes. Dhe midis këtyre të këqijave, duhet të zgjedhim më të voglën, ndaj kemi parapëlqyer shpresën për jetën ndaj vdekjes”. Në takimin me ambasadorin italian, Konti de Kortin, ata i thanë :

    -“Po, Europa na garanton zotërimin e disa fushave, maleve e shkrepave, por ajo nuk na del dorëzanë për kombësinë tonë romane, gjuhën e zakonet tona. Dhe për ne kanë rëndësi këto vlera më shumë se të tjerat. Ne vllaho-romanët me t’u përfshirë nën Greqinë, pa dyshim do biem pre e tyre dhe në se ndokush kërkon të mbetet roman, ai me hir apo me pahir do detyrohet të emigrojë. E shihni zoti ambasador,  se në se forma ndryshon, thelbi mbetet i njëjtë. T’u lihen tokat tona grekëve, do të thotë të lemë në dorë të tyre kombësinë, gjuhën e zakonet tona, me  një  fjalë  ajo  çka  është  më  e  shtrenjtë  për  ne.”

    Shumë e rëndësishme është dhe Proklamata që vllahët i drejtuan shqiptarëve në 4 gusht 1888, ku shkruhet : “…dhe ti dëshmojmë botës   së qytetëruar, se shumica e popullsisë në Shqipëri e Maqedoni janë shqiptarë e vlleh dhe aspak grekë”. Edhe Kongresi i Vllehve i mbajtur në Frajburg të Gjermanisë në vitin 1993, e deklaroi me argumente shkencor definitivisht se, “Vllahët nuk janë as rumunë e as grekë”.

     Kush  është  studiuesi  francez  Zhak-Klod  Faverial ?

    Ai ishte një prift francez i dërguar në patriarkanën e Ohrit. Që në vitet 1858-‘67 kish filluar të mblidhte një bibliotekë historike me libra të rralla për shqiptarët, bullgarët e vllahët. Ishte njeri i ditur dhe interesohej shumë për historinë dhe anekdotat e udhëtarëve mbi këta popuj. Interesohej kryesisht për historinë e popujve të Ballkanit të jugut. Në vitin 1884, ai vizitoi Shqipërinë së bashku me Apostol Margaritis, ku themeluan disa shkolla vllah-arumune në Berat, Korçë dhe Prizren.

    Ai ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe vllehve. Nga viti 1867 dhe deri sa vdiq në vitin 1893, punoi si profesor në liceun vllah të Manastirit, ku jepte mësim të gjuhës frënge dhe filozofi. Vepra kryesore   e tij është “Historia e Shqipërisë” (Histoire de l’Albanie) e botuar në origjinalin frëng, si e para vepër e lashtë deri në gjysmën e dytë të    shek. të XIX-të. Në vitin 1909 biblioteka e tij e madhe u dogj në qendrën lazariste të Manastirit në shkurt të atij viti.

     Teodor  Kavalioti, personalitet  i  shquar  i  Voskopojës

    Ai u lind në 1718 dhe vdiq në 1789-n, në Voskopojë. Mbaroi kolegjin Marusian të Janinës dhe u emërua mësues në Voskopojë. Me iniciativën e tij dhe të disa profesorëve të tjerë, u ngritë Akademia e Re e Voskopojës dhe ky më pas u bë drejtor i saj. Ishte me kulturë të gjerë enciklopedike. U bë udhëheqës i mbarë lëvizjes kulturore në Voskopojë si dhe në mbarë Shqipërinë e mesme dhe të jugut, duke qenë një përkrahës i flaktë i   ideve iluministe. Jepte leksione në filozofi, logjistikë, matematikë, fizikë e filologji. Hodhi bazat racionaliste të një kulture të re, kundër skolastikës mesjetare. Bëri orvatjet e para për t’i dhënë kishës ortodokse shqiptare  një karakter shqiptarë.

    Përktheu “Dhjatën e Re” në shqip. Botoi në Venecia në vitin 1770 fjalorin tri gjuhësh Greqisht-Vllahisht-Shqip me 1070 fjalë dhe e ribotoi atë në Leipzig të Gjermanisë. Ka hartuar dhe tekste të ndryshme për shkollat shqip e vllahishte. Gjithë jetën e kaloi në qytetin e lindjes në Voskopojë, ku vdiq në 11 gusht 1789. Jeta e tij është e pasqyruar dhe në Kodikun e Manastirit të Shën Prodhomit, kisha më e vjetër e Voskopojës.