ITALI/ Studentët e huaj lejeqëndrimi për gjithë kohëzgjatjen e studimeve

    478
    Sigal

    Dokumentet për qëndrimin për studime për të gjitha vitet

     E thotë dekreti mbi arsimin i konvertuar në ligj mëngjesin e sotëm. Por duhet pritur për disa muaj para se të kalohet nga teoria në praktikë

    – Konvertimi në ligj i dekretit mbi arsimin, i miratuar përfundimisht mëngjesin e sotëm në Senat, sjell risi të rëndësishme për studentët e huaj në Itali. Ndërhyn në fakt mbi kohëzgjatjen e lejeve të qëndrimit për motive studimi, që deri më sot zgjat vetëm një vit. Këtej e tutje nuk mund të jetë “më e ulët se periudha e frekuentimit, edhe shumëvjeçar, të një kursi studimi të instituteve shkollore, universitare dhe të formimit të lartë artistik, muzikor, koreografik, ose për formim të certifikuar”. Por gjithnjë një kusht: “verifikimi vjetor i përparimit në provime”. Do të thotë, për shembull, që një student universitar duhet sidoqoftë të marrë çdo vit një numër të caktuar provimesh për të ruajtur të drejtën e qëndrimit në Itali. Një risi tjetër: “Leja e qëndrimit mund të zgjatet me dymbëdhjetë muaj përtej përfundimit të viteve të universitetit apo kursit të formimit”, normë që do t’u japë ndonjë mundësi më shumë atyre që pas viteve të studimeve duan të hyjnë në tregun e punës. Mbeten akoma pa përgjigje disa pikëpyetje mbi mënyrën se si do të zbatohet ligji i ri. Për shembull, për të treguar se po vazhdon të përparojë me provime, studentëve do t’u duhet të kërkojnë çdo vit një certifikatë për ta paraqitur në Zyrën e të huajve, apo Universiteti e Kuestura do të dialogojnë mes tyre në rrugë telematike? Një tjetër çështje është ajo financiare. Sa do të kushtojë lejeqëndrimi i ri? Deri tani, duke qenë dokument njëvjeçar, taksa mbi lëshimin e përtëritjen ishte 80 euro. Këtej e tutje ka shumë mundësi që bashkë me kohëzgjatjen t’i rritet edhe kostoja pasi ligji i ri specifikon që “ky nen nuk mund të sjellë barrë të re e më të lartë në ngarkim të financave të shtetit”. Si do të rikuperohen atëherë paratë që shteti do të humbasë me rënien e numrit të përtëritjeve? Do të shumëfishojë taksën në përpjesëtim me kohëzgjatjen e dokumentit?Qeveria duhet t’u përgjigjet këtyre e të tjera pyetjeve në gjashtë muaj, duke modifikuar rregulloren zbatuese të Tekstit Unik mbi imigracionin. Dhe vetëm 15 ditë pas atij modifikimi do të hyjnë më në fund në fuqi normat e reja mbi kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit për studime.

    E. Pasca

     ITALI/ Si plotësohen kriteret e sigurisë të kërkuara nga ligji

     Si bëhet kërkesa për shtetësinë italiane

    Kam paraqitur kërkesë për shtetësinë italiane në dhjetor 2012, por akoma nuk më kanë thirrur për të më marrë në pyetje apo, e thënë ndryshe, për intervistën. Miq të mi, që kanë paraqitur kërkesë pak muaj para meje, i kanë thirrur për një bisedë në Kuesturë.

    – Me qarkoren 12220 të 5 prillit 2013, Ministria e Brendshme ka vendosur që për njohjen e shtetësisë për rezidencë (neni 9 i ligjit 91/92), Kuesturat nuk duhet t’i bëjnë më intervistën të huajit që ka paraqitur kërkesë.

    Për të garantuar që kërkuesi përmbush vërtet kriteret e sigurisë të kërkuara nga ligji, kuestura përcjell, përmes sistemit telematik të parashikuar për thjeshtimin e procedurave, një raport të plotë lidhur me praninë e rregullt në territorin italian të kërkuesit dhe të familjarëve; gjendjen gjyqësore të të interesuarit si edhe çdo lajm tjetër që ka të bëjë me sigurinë, si për shembull sinjalizime krimi përcjellë autoriteteve gjyqësore, ndjekje të mundshme penale, papranueshmëri në territorin Schengen, apo çdo gjë tjetër që mund të gjendet në bankat e të dhënave të Policisë. Madje, edhe përpara shpalljes së dekretit përfundimtar të shtetësisë apo lajmërimit zyrtar të tij, Kuestura duhet të sinjalizojë çdo detaj që ka të bëjë me kërkuesin që ka ndodhur pas transmetimit të raportit të parë. Natyrisht informacionet që interesojnë janë heqja e të drejtës së lejes së qëndrimit, arrestimi, lajme paditjesh, veprash penale e dënimesh që padyshim bien ndesh me integrimin pozitiv të të huajit në shoqëri. Veç këtyre, është mirë të kujtohet që falë procedurës së thjeshtimit, i huaji që kërkon shtetësinë mund të vetëcertifikojë, në bazë të dekretit të presidentit të republikës 445/2000, të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me jetën e tij në Itali për të cilat zyrat publike mund të verifikojnë vërtetësinë. Kështu, të gjitha certifikatat që duhen bërë në Itali për praktikën e shtetësisë (e ndjekjeve penale dhe e kartotekës së gjykatës, ajo historike e rezidencës etj.) mund të vetëcertifikohen drejtpërdrejt në kërkesë. Vetëcertifikimi nuk është i mundur për asnjë nga informacionet dhe aktet e lëshuara nga vende të tjera (akti i lindjes, i martesës, certifikata e ndjekjeve penale dhe e kartotekës së gjykatës) të nevojshme për marrjen e shtetësisë italiane dhe që duhet të legalizohen (me vulë apostille në rastin e dokumenteve shqiptare) dhe të përkthyera në italisht.

    M. Arguello

    ITALI/ Lejeqëndrimi i ri elektronik sipas modelit BE

     Siguria me shenjat e gishtërinjve

      Mbërrin lejeqëndrimi i ri elektronik italian, i ngjashëm me letërnjoftimin elektronik shqiptar. Përmban një sërë të dhënash të mbajtësit, përfshirë shenjat e gishtërinjve. Për ministrinë e Brendshme, “inovacioni teknologjik i detyrueshëm për t’iu përshtatur direktivave të Bashkimit Europian mbi karakteristikat teknike, elementet biometrike dhe të sigurisë së dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga shtetet anëtare”

    – Leja e qëndrimit në format elektronik, që kanë në xhep pjesa dërrmuese e të huajve në Itali shumë shpejt do të ndryshojë. Do të bëhet dokument më i sigurt dhe do të përmbajë të gjitha të dhënat e mbajtësit (fotografi, emër, mbiemër, data e vendi i lindjes, gjinia, kombësia, numri i pasaportës, kodi fiskal, emrat e fëmijëve), motivin e lëshimit të lejes së qëndrimit, datën e vendin e lëshimit, kohëzgjatjen e dokumentit dhe siglën e shtetit që e ka lëshuar, si edhe një microchip, ku veç të dhënave të mësipërme do të regjistrohen edhe shenjat e gishtërinjve. Kjo risi parashikohet nga dekreti i ministrisë së Brendshme mbi “rregullat e sigurisë lidhur me lejet e qëndrimit” që më 6 nëntor është botuar në Gazetën Zyrtare. “Pasi u mor pëlqimi i Garantit për mbrojtjen e të dhënave personale, ky hap përbën në thelb një seri inovacionesh teknologjike dhe procedurale që përshtatin modelin ekzistues të lejes së qëndrimit që përdoret në Itali, me atë të Bashkimit Europian” thuhet në një komunikatë të ministrisë së Brendshme. Praktikisht, lejeqëndrimi i ri do të jetë shumë i ngjashëm me atë ekzistues, me përmasat e një karte krediti. Do të përmbajë një microchip “contactless” që mund të lexohet për shembull gjatë kontrollit të Policisë thjesht duke e afruar në një aparat leximi. Në kujtesën e microchip-it do të jenë të regjistruara elemente biometrike parësore (si fotografia e fytyrës) dhe dytësore (shenjat e dy gishtërinjve, zakonisht të dy gishtave tregues), dhe të gjithë elementët identifikues të dokumentit. Të dhënat personale dhe identifikuese të lejes së qëndrimit, bashkë me foton e mbajtësit do të regjistrohen edhe në arkivin e informatizuar të lejeve të qëndrimit pranë Qendrës elektronike  kombëtare. Nëse është fjala për një lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë, të dhënat do të ruhen për të gjithë kohëzgjatjen e tij, për llojet e tjera të lejeve, maksimumi dhjetë vjet. Në të njëjtin arkiv do të përfundojnë edhe shenjat e gishtërinjve, por kundrejt më shumë masave mbrojtëse. Në fakt, siç lexohet në dekret, shenjat e gishtërinjve do të mbahen në arkiv, vetëm “për kohën e nevojshme për përmbylljen e procedurave administrative të lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit” Akoma nuk ka një datë të saktë mbi futjen e lejes së re elektronike të qëndrimit. Me siguri do të kalohet përmes një faze eksperimentimi në një a më shumë provinca italiane, e më pas dokumenti do të shtrihet gradualisht në të gjithë Italinë. Një gjë është e sigurt, të gjitha dokumentet e qëndrimit që të huajt kanë në xhep do të jenë të vlefshme deri në datën e tyre të skadencës.