Ilmi Jupe, gazetari -‘arkiv’ 50- vjeçar i Konispolit dhe Sarandës

    509
    Sigal

    Jupe: Ishte jetë e vështirë, por kishte bukurinë e saj, punonim me idealizëm e përkushtim

    Pajtim Çaushi dhe Bardhyl Bejko

     (Pjesa e dytë)

     Jeta e Ilmi Jupes, gazetarit që ushtroi këtë profesion më shumë se 5 dekada, është e vrullshme, e mbushur me vështirësi, por dhe me gëzime e sadifaksion që të jep jeta aktive e gazetarit…

    KUJTIME TË GAZETARIT…

    Ilmiu kujton se, kur kishte dërguar një foto për ta stampuar me shofer Milton, nga një fushatë e shirjes së orizit në Pal të Vurgut, që doemos duhej për ilustrim të një shkrimi redaksional, ai e kishte marrë foton me vete në Ballsh. Kjo i kushtoi shumë. Dhe për mos t’i dështuar gazeta kishte shkuar vetë mbi një kamion me qymyr deri në Gjirokastër dhe kostumi i bardhë i ishte shndërruar në të zi nga pluhuri i qymyrit. -Kur vinte ndonjë nga udhëheqja ne dhe gardistët mbeteshim pa gjumë, – tregon Ilmiu. Sa herë mësonim se drejt Sarandës ishte nisur ndokush nga Byroja Politike ne fillonim planëzimet e masat deri në ekstrem. Qëndronim në zyra të gatshëm, ditë natë. Na duhej që pas orës 22:00, sa mbaronte një aktivitet, të zbardhnim fjalimet e të lanim fotot. Po ku të gjeje një magnetofon që të dëgjoje fjalimin dhe pasi ta zbardhje kush do guxonte ta dërgonte tek shefi që qëndronte në vilë për të marrë konfirmimin. Se nëse bëje ndryshe ai të përcëllonte se kishe shtrembëruar fjalët dhe kontekstin e fjalimit me qëllim. Dhe i shkreti Aristidh, drejtori i bibliotekës së qytetit, e di mirë sa herë e kemi mbajtur tërë natën për një fjalim që nga e folura të hidhej në letër e mandej në faqet e gazetës. Po ankthi në gazetë në ato vite nuk ishte i një dite. Ishte i tërë vitit. Kur qytetarët festonin Vitin e Ri na duhej të qëndronim zgjuar për të mësuar lindjen e parë në shtëpinë e lindjes ashtu si do mësonim si kishin festuar kufitarët, apo peshkatarët, se i kërkonte doemos numri i gazetës ditën e nesërme…

    ANKTHI I GAZETARISË

    Dilte numri i ri i gazetës dhe prisje në korridoret e redaksisë para zyrës së kryeredaktorit, i cili i mbledhur sa një grusht priste se ç’do të thoshte komiteti i Partisë. Po siç kujton Ilmiu gazeta kishte edhe bukurinë e vet, ditët që të jepnin krahë e krenari. Ishte koha kur të duhej të ndihmoje e të edukoje korrespodentët e shumtë që ishin, barinj, kooperativistë, marangozë apo peshkatarë. Se zëri i masës në faqet e gazetës duhej të vinte drejt e nga frontet e punës. Po në këtë numër të shumtë “gazetarësh” nga terreni kishte edhe talente të spikatura. Ilmi Jupe tregon për miq, që vinin nga Varfaj i largët siç ishte Bardhua (Hasan Nikolla) me vargjet e shkruara në letër çimentoje se tjetër ku të gjenin, apo nga Muzina Koçua, që i sillte bejtet në letrat e cigares se i shkruante mbi timon sa ndalte kamionin në buzë të rrugës me një laps kopjativ. Po ato që ata sillnin ishin nxjerrë nga sepetet e xhevahireve dhe nga thellësia e shpirtit të popullit. Në to vinte jeta dhe njerzillëku. Në ato vargje plot nerv dhe sharm, thumbuese dhe ngacmuese, tallëse dhe vënie në lojë kishte një filozofi, që zor se mund ta prodhonte dikush në katër muret e redaksisë. Ato bejte dhe vargje, ato shkrime të shkurtra tërë esencë, ishin lezeti i gazetës, ishin qershia mbi tortë në numrin e radhës.

    NË GAZETËN LOKALE

    Bota e këtyre njerëzve të thjeshtë, që merrnin lapsin dhe shkruanin, vinte në siklet profesionistët. Unë, – tregon Ilmiu, i prisja me shumë dashuri, i doja si miq dhe i konsideroja kolegë të talentuar. Ata zbusnin gazetën nga ashpërsia dhe sillnin në faqet e saj erën e re e të freskët të jetës. Në to vinte hijerëndë populli, njeriu i ugareve, vinte opinga dhe rakia, xhamadani e burokrati, sorollatësi dhe i miri, inatçiu dhe i serti, servili dhe kapadaiu. Pena e tyre ishte e ngjyer në blunë e pyjeve dhe thellësinë e deteve në jetën e hallet e njerëzve. Korrespodentët edhe pse jo profesionistë,- tregon Miçja, ishin gazetarët e të vërtetës ata, që i thoshin problemet e mungesat pa asnjë ndrojë dhe frikë. Se ata nuk e kishin shumë problem se mos rrudhnin buzët zyrtarët e politikës në komitet. Ishin ata, që sillnin në gazetë hallet e shumta dhe talljet me shefat, që nuk bënin asnjë gram punë. Ata që tregonin se si në merkaton e fruta- perimeve, vetëm fruta dhe perime nuk kishte, ata që tregonin se në dyqanet e mishit, kur hyje brenda dhe gjeje jo mishin, po kasapin. Se mishi “ishte larguar në drejtim të paditur”, ashtu si kafeja apo gjalpi. Dhe Ilmiu tregon me shumë emocion për ditët që këta shkrues të së vërtetës e bënin gazetën të fluturonte ditën që në të ishin shkrimet e tyre. Ata i jepnin gazetës jo vetëm dimension ndryshe, por edhe freski dhe elegancë. Ai vet i redaktonte këto perla, vet i shtypte në makinën e vjetër me germa të dëmtuara e po vetë i hidhte në faqet e gazetës.

    PAS VITIT 1990

    Po Ilmiu nuk iu nda shtypit edhe kur “Fitorja” uli siparin dhe palosi fletën e fundit. Ai nuk ishte gazetari që në vitin 1990 të ulte perden e të thoshte mjaft më… U ngjit në zyrën e redaktorëve dhe filloi të punojë përsëri për gazetat e reja. Po tani jo vetëm me teknologji ndryshe, shumë më të përparuar, por edhe me një stil dhe mendim tjetër. Një gazetari pa censurë. Po edhe pse me këtë liri ai nuk u bë abuzues i kësaj lirie. Nuk mbylli sytë dhe të thoshte: Le të vijnë në gazetë mediokritetet se jemi të lirë. Fyerjet. Banalitetet. Jo, liria e shkrimit dhe gazetaria për të është shenjti, që nuk të lë ta shkelësh etikën, ta përbuzësh thjeshtësinë ta lësh mënjanë të vërtetën, ta shkelmosh stilin, të lejosh të rrëshqasin gabimet apo fjalët e huaja që të dukesh ti dhe gazeta si më moderne.

    Dhe në faqet e shtypit të lirë, firma Ilmi Jupe ishte po aq e kërkuar sa më parë. Në vitet pas nëntëdhjetës ai shkëlqeu me shkrimet analizë e ato të mbushura me humor të hollë e plot sqimë…  Përsëri në qendër të shkrimeve të tij mbeti jeta e njerëzve të thjeshtë, analizat si u shkërmoqën e u bënë pluhur idealet e njeriut të punës, se si u abuzua me to, si u luajt me ata që ishin idealistë dhe dolën në skenë marifteçinjtë e disa hipokritë, që thërrisnin: “rroftë mbreti, poshtë mbreti”.

    KOLEGËT PËR ILMI JUPEN

    Janë të shumtë gazetarët e njohur që flasin për jetën e Ilmiut. Për mjeshtërinë e tij gazetari i njohur, Koço Kosta tregon se, ishte njeriu i së vërtetës dhe modeli i thjeshtësisë, punëtori i palodhur dhe mjeshtri i fjalës. E lexoj edhe sot me kënaqësi profesorin dhe jam krenar që kam qenë bashkë me të në të njëjtën llogore të gazetarisë, që kam qëndruar bashkë me të netëve në shtypshkronjë, që kam bredhur nëpër fusha mes njerëzve dhe që kam patur në shpirt fjalën dhe kurajon e tij.Thoma Nika një tjetër gazetar që ka punuar me Ilmi Jupen në të njëjtën gazetë tregon me nostalgji për vitet që punoi me të. Ai thotë se Ilmiu ka qenë mjeshtër në shkrime dhe shkollë për tërë gazetarët e rinj. Ai nuk dinte të thoshte jo. Nuk bëri kurrë indiferentin për ata që pati pranë dhe u mësoi rrugën e ngjitjes dhe të shkrimeve. Po më proverbiali ndër tërë gazetarët, ai që e përkufizon me një fjali është veterani i gazaterisë  shqiptare, Timoleo Mërtiri. Gazetari njerëzor dhe gojëmjaltë e quan ai mikun e tij. Ashtu si gazetari dhe shkrimtari Andrea Zaraballa e Panajot Zoto, kur takojnë Ilmiun harrojnë të kthehen atë ditë në shtëpi.

    TAKIM MBRESËLËNËS

    Në këtë fundvjeshtë u gjendëm bashkë me disa miq në shoqërinë e Ilmiut në Konispol. Pas një takimi në qendër, pranë rrapit degëgjerë, nën gjethet, që binin një nga një nga shkundja e vjeshtës, copëza të shkrimeve të Ilmiut, u nisëm drejt shtëpisë së tij, atje buzë Manetës, ku era fryn paksa e ftohtë. Hapëm portën e hekurt dhe u futëm në oborrin e rregulluar përmes gjetheve të hardhisë së lehtësuar nga pesha e rrushit të bërë prej ditësh raki dhe verë dhe shkuam në dhomën e tij të punës. Nëpër rafte libra dhe gazeta. Një dhomëz e vogël si një zyrë e redaksisë së gazetës, një përngjasim i zgjedhur enkas për ta përjetuar gjatë tërë jetës kohën e shkrimeve dhe aromën e gazetës së sapo dalë… Dhe Ilmiu, ndërsa vitet ikin, mbetet i freskët. Mendje hapur sa që dikush i thotë. Ku e ke moshën, profesor?! Po vërtetë, ai e ka flakur tutje moshën duke mbajtur për vete moshën e rinisë, rininë e përjetshme të gazetarit.  Nuk i thonë pak, por mbi 50 vite si gazetar profesionist…