Durrësi me probleme, por sërish më i lakmuari edhe këtë sezon turistik

    396
    Sigal

    Destinacionet e turistëve, vendet e luksit dhe kostoja e tyre

    Duket se Durrësi mbetet rajoni bregdetar ende me probleme, por për shumicën e shqiptarëve por edhe për kosovarët e maqedonasit, vendi më i lakmueshëm për të kaluar pushimet verore. Kjo për faktin sepse, krejt vija e tij bregdetare ofrojnë tarifa të arsyeshme, por edhe vende me vlera të rralla historike, arkeologjike dhe turistike. Pushimet verore edhe për sezonin 2014 në Durrës, ofrojnë surpriza, të papritura të këndshme për çdo pushues vendas dhe të huaj. Vetëm 48 orë pas çeljes së sezonit të ri veror 2014, shikon guida, reklama, por edhe propagandë joshëse, nga Currilat, deri tek Plepat, nga Shkëmbi Kavajës deri tek Gjiri Lalëzit. Specialistët e Turizmit në Prefekturë, njerëzit që merren çdo ditë me problematikat e tij shprehen se: “për pushuesit që kanë planifikuar t’i kalojnë ato në bregdetin më të populluar në Durrës, por edhe në plazhin e Golemit, çdo do t’i nevojiten 50 deri 60 mijë lekë të reja për qëndrimin dhe ushqimin. Durrësi sipas tyre,  mbetet destinacioni më pak i kushtueshëm, krahasuar me destinacione të tjera si, Vlora, Himara apo Saranda, për shkak të konkurrencës së madhe të hoteleve dhe restoranteve që ndodhen atje. Për të kaluar pushimet verore në qytetin e Durrësit, në Currila, Gjirin e Lalëzit dhe në plazhin e Golemit, sezoni veror 2014 ofron surpriza të këndshme financiare. Durrësi dhe Golemi përmbushin gjithsesi kushte përafërsisht normale që një turist vendas do donte si hotele dhe apartamente, ushqim i shumëllojshëm dhe ditë të organizuara me veprimtari të ndryshme kulturore dhe sportive. Kështu në qoftë se, një pushues vendas apo turist i huaj, do t’i duhet të bëjë një vizitë në hoteleve dhe restoranteve anës plazhit, në Durrës dhe Golem, do të mësojë se aty mund të pushosh janë edhe me të ardhura të pakta. Durrësi dhe Golemi, kanë apartamente dhe restorante për të gjitha shtresat, nga më të pasurit e deri tek ata që pagat e tyre nuk e kalojnë shifrën e 25 deri 30 mijë lekëve në muaj. Një pushues vendas apo i huaj (Kosova e Maqedonia) për 15 ditë pushime, mund të paguajë rreth 35 deri 40 mijë lekë të reja, të ndara në akomodimin në hotel, si dhe në ushqimin që do të konsumojë. Ekzistenca e një numri të madh hotelesh, apartamentesh, restorantesh dhe baresh, ka bërë që çmimet të jenë të konkurrueshme. Secili nga sipërmarrësit e plazhit përpiqet të bëjë për vete sa më shumë pushues, duke u ofruar atyre çmime të ulëta dhe cilësi të lartë shërbimi. Por, edhe frika se pas çmimit të ulët mund të qëndrojë po një cilësi e ulët shërbimi dhe kushtesh, nuk ekziston, pasi ju mjafton të zgjidhni mirë në ofertat e shumta. Plazhi i zonës bregdetare të Golemit, që përfshin rreth 9.7 km vijë bregdetare dhe është tashmë i mbipopulluar nga hotelet, blloqet e pallateve të sapondërtuara, restorantet dhe baret. Impianti i ri i pastrimit e përpunimit të ujërave të zeza, dhe vendosja e filtrave të pastrimit të ujërave të zeza, kanë përmirësuar paksa higjienën dhe pastërtinë në bregdetin e Durrësit. Qyteti i Durrësit sërish mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët ditorë të kryeqytetit, si dhe atyre që mund të vijnë nga qytet e afërta si Elbasani, Durrës, Kavaja, Kruja, Rrogozhina, Tirana etj.. Shumë prej hoteleve atje, ofrojnë një shërbim cilësor për shkak se prej disa vjetësh, stafet që drejtojnë këto biznese kanë krijuar përvojë. “Sipërmarrësit privatë kanë organizuar më mirë plazhet këtë sezon, për të cilat paguajnë një qira përdorimi kundrejt Komunës së Golemit”,- shprehet për “Telegraf” specialisti turizmit në Prefekturë, Edi Pupja. Turistët do të pushojnë në plazhet që ndodhen para hoteleve apo restoranteve ku vendosin për të qëndruar, qoftë edhe një ditë të vetme. Ajo që mbetet karakteristike për këtë zonë, është fakti se, sipërmarrësit janë më pak tolerantë sa u përket çmimeve për shkak se tashmë e kanë siguruar një klientelë të përhershme. Në Durrës, Currila, dhe Shkëmbin e Kavajës, e Golem çmimet e hoteleve dhe të apartamenteve nisin nga 20 euro për çdo natë, por, përgjithësisht, turistët që prenotojnë mund të paguajnë edhe 30 apo 40 euro, në varësi të hapësirës dhe komoditeteve. Servirja e peshkut mbetet sërish një pikë strategjike e sipërmarrësve të restoranteve, të cilët duke njohur kërkesat e pushuesve, nuk ngurrojnë të vendosin në menutë e tyre edhe 4 mijë lekë të reja për një kilogram peshk të tipit levrek. Pronarët e aktiviteteve i mbajnë të hapura hotelet apo restorantet e tyre edhe gjatë dimrit, ku sërish mbeten një destinacion i preferuar nga pushuesit e fundjavave.

    Durrësit i trefishohet popullsia në sezon

    Qytetit të Durrësit, në sezonin veror pothuajse i trefishohet popullsia. Plazhi i Durrësit edhe sezonin veror 2014, mbetet më pak i kushtueshëm, ku përmendim plazhin e i Currilave apo të gjitha hapësirat nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, që ofrojnë çmime më tërheqëse për pushuesit me më pak të ardhura. Aty mund të konsumosh një peshk edhe me 400 lekë të reja, por njëkohësisht mund të akomodohesh në hotelet e zonës edhe me 2000 lekë të reja. Frekuentuar kryesisht nga familje që shpenzimet i bëjnë të kujdesshme, biznesmenët e zonës tregojnë se treg tashmë të sigurt kanë vizitat e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë dhe shumë pak atë të pushuesve të huaj apo të qyteteve të vendit. Gjithsesi, ajo që shfaqet dukshëm në  afro 18 km bregdet, është një riorganizim i kushteve të pastërtisë së plazheve, dhe dyndja e paparë e pushuesve . Rekordin e mban kryeqyteti, kosovarët, por nuk mungojnë edhe pushues të huaj si italianë, anglezët, gjermanët dhe amerikanë. Durrësi mbart vlera të caktuara, ndryshe nga qytete të tjera bregdetare, si rëra, mungesa e thellësisë së madhe në det, që shpeshherë mbetet e rrezikshme për pushuesit familjarë, restorante dhe hotele cilësore dhe me çmime ekonomike.

    Vendet e luksit në plazh

    Plazhi i Durrësit ka edhe vendet e tij të luksit. Durrësi mbetet një destinacion tërheqës për turistët dhe pushuesit familjarë, gjë që agjencitë turistike, po e përforcojnë me spotet publicitare që do të nxjerrë për qytetin e në disa televizione shqiptare, në Kosovë e Maqedoni. Të përshtatshme kryesisht për njerëz me nivel më të lartë ekonomik, si dhe për pushuesit e huaj, Durrësi është totalisht i kompletuar. Hotelet janë përshtatur për familjarë, dhe kryesisht për ata me nivel më të lartë ekonomik, për shkak të më shumë komoditeteve dhe çmimeve më të larta. Sipas zotit Hoxha, hotelet në bregdetin durrsak janë komodë, në gjithë vijën bregdetare, duke nisur nga sektori Teuta, Apolonia, Hekurudha, Iliria, Plepa, Shkëmbi Kavajës, e Golem, dhe pavarësisht se, çmimet për një natë akomodim, që fillojnë nga 50 deri 100 euro për person, pronarët e tyre punojnë me paketa turistike, të cilat në vetvete përmbajnë edhe leverdinë për klientët në hotelet dhe vilat e pushimit nuk mungojnë as organizimet e veçanta, si koncerte me muzikë live apo festa të ndryshme. Kështu ka ndodhur edhe në sezonin e kaluar, ku mbi 70 për qind e klientelës ka qenë e huaj si nga Zvicra, Gjermania, Austria, SHBA. Sezoni veror 2014, po e gjen plazhin e Durrësit paksa ndryshe, pas masave nga bashkia, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë, por edhe plazhet private që po mirëmbahen nga privatët, ndërkohë që ato publike pastrohen nga punonjësit e Ndërmarrjeve Komunale. Uji i pijshëm dhe investimi në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza ka qenë në vëmendje të dikastereve këtë vit. Pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Durrës dhe Golem, kanë në plan që të organizohen më shumë sa u përket festave, këngëtarëve apo surprizave për turistët. Nevojë emergjente mbetet rritja e cilësisë së shërbimit, që vite më parë është diskutuar, pasi stafet duket se po kompletohen nga dita në ditë me djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollat e larta, tregues që e kërkojnë standardet europiane të turizmit. Si një ndër plazhet më të njohura në Shqipëri, por fatkeqësisht dhe ndër më të ndoturat, ende Durrësi mbetet plazhi më popullor. Fare pak larg metropolit, rreth 20-25 minuta shtrihet bregdeti i Adriatikut që ju mirëpret. Turistët mund të shijojnë detin dhe në shumë nga hotelet që gjendjen buzë tij, pishinat e këndshme, gjithashtu klimën mesdhetare dhe duke vazhduar përgjatë vijës bregdetare mund të shijoni pyjet me pisha, që për hir të së vërtetës janë gjithmonë e më tepër në pakësim. Durrësi ofron hotele nga më luksozët, shtëpiza të drunjta nëpër komplekse përrallore turistike, si dhe dhoma plazhi ose kabina modeste për çdo lloj mundësie.

    Durrësi Antik

    Një ndër pikat më tërheqëse të qyteti të Durrësit është dhe pjesa e tij antike. Si shumë qytete në Shqipëri që rezervojnë shumë mrekulli arkeologjike, Durrësi ju mahnit me monumentet antike dhe lehtësisht të prekshme nga vizitorët. Kështu mund të vizitoni një numër të madh monumentesh të antikitetit, si kështjella, amfiteatri i cili përket i shekullit të dytë me kapacitet 15.000 spektatorë, muzeu arkeologjik, mozaikë të ndryshëm ku dallohet “Bukuroshja e Durrësit” (mozaiku më i lashtë i zbuluar në Shqipëri), banjat publike të antikitetit, etj..

    Kuzhina

    Durrësi është i famshëm dhe për kuzhinën me prodhime deti, ku mund të gjesh një shumëllojshmëri të peshqve dhe prodhimeve te tjera të detit. Gjithashtu edhe ushqimi tradicional të Shqipërisë së Mesme dhe më gjerë, si tava e dheut, peshku i pjekur në tjegull, mishi i qengjit, sallatat e ndryshme, frutat natyrale që japin imazhin e vërtetë kuzhinës durrsake.

    Jeta e natës

    Relaksi dhe hareja ndërthuren magjishëm në netët e gjata verore. Ato nisin gjatë orëve të para të natës buzë shëtitores së Vollgës, ku ajri i pastër dhe zhurma e dallgëve të detit janë në antistres i vërtetë, e më pas nëse jeni të karrikuar mirë për net të gjatë deri në agim atmosfera dhe çmenduria e verore zhvendoset ngadalë në drejtim të zonës së plazhit, ku diskotekat verore, pub-et dhe tavernat me muzikë “live” pritet të kumbojnë në çdo cep.