Dr. Desantila Tahiraj: “Pushim nga puna, çdo mjeku që kapet me ryshfet”

    472
    Sigal

    Intervista/ Flet drejtorja e Qendrës Spitalore Elbasan, Dr. Desantila Tahiraj

    Në një intervistë për “Telegraf”, zonja Desantila Tahiraj, Drejtore e Qendrës Spitalore Elbasan, sqaron problematikat e detyrës, masat e marra për furnizimin me medikamente të spitaleve dhe masat radikale të marra ndaj çdo mjeku që nuk respekton orarin e punës dhe kapet me ryshfet.

    -Zonja Tahiraj, cilat janë disa prej problemeve me të cilat ju u përballët në muajt e parë të punës tuaj si drejtuese e QSE-së?

    Detyra duhet parë si e tillë qysh ditën e parë të saj. Pra dua të them se, qysh ditën e parë kam kërkuar nga vartësit e mi, një evidencë të saktë mbi problemet, kërkesat, ankesat dhe gjithçka që lidhej me spitalet, shërbimin, personalin, etj.. Dhe fakti është se kishte probleme, kishte kërkesa, kishte ankesa, kishte anomali, kishte mosrespektim të orarit të punës nga mjekë, infermierë, shefa pavijonesh etj.. Këto ishin gjërat e para që morën fund qysh ditët e para të marrjes së detyrës. Insistova tek dikasteri dhe arrita të siguroj furnizimin me medikamente të Urgjencës, Kirurgjisë, Pediatrisë, Infektivit, ambulancave dhe sigurova vijueshmëri në furnizimin me produkte ushqimore të kuzhinës së spitaleve. Një punë intensive është bërë për parandalimin e hedhjes së mbetjeve spitalore në vendet publike, pasi gjeta një situatë skandaloze. Masat ishin radikale dhe nuk kam kursyer asnjeri që nuk i bindet rregullave dhe udhëzimeve spitalore të vendosura nga MSH. Problematika ishte e gjithanshme, kishte mangësi në pajisjen e pavijoneve me elementët e nevojshëm mjekësorë, kishim mungesën e aparaturave, probleme të cilat u rehabilituan brenda 45 ditëve.

    -Zonja drejtore, mjekët dhe infermierët në spitalet e Elbasanit shpesh janë akuzuar për  korrupsion, cila do të jetë strategjia juaj për ta frenuar këtë fenomen?

    Jo për ta frenua, por unë dhe stafi im po përpiqemi ta ndalojmë këtë fenomen të turpshëm që ka lidhje direkte me shëndetin dhe jetën e pacientit. Nuk ka ditë që personalisht të mos jem prezente në spitale dhe pavijone duke marrë kontakte me pacientë, familjarët e tyre, por edhe me personalin, duke kujtuar dhe paralajmëruar se, askush nuk do të falet në qoftë se, akuzat nga qytetarët vërtetohen apo janë flagrante. Ka ardhur koha që shërbimi ynë shëndetësor, të vihet mbi binarët e duhur dhe kjo kërkon nga unë dhe stafi im, angazhimin maksimal, shkundjen dhe largimin e metodave të vjetruara që e shkatërruan sistemin shëndetësor dhe e fundit, ai mjek apo infermier, që nuk e ka dëshirën të punojë në spitalet tona, e ka rrugën të lirë të largohet vetë, pasi  largimi nga unë do të shoqërohet me të tjera  procedura ligjore, në qoftë se, kapet me shkelje.

    -Zonja Tahiraj, mendoni se sistemi spitalor në Elbasan ka nevojë për investime?

    Padyshim që sistemi spitalor ka nevojë për investime në të gjitha zërat. Ne, sot, në Elbasan kemi një spital kirurgjik të ri, me staf të kompletuar, një maternitet të ri po ashtu të kompletuar, me staf dhe pajisje. Po synojmë të thithim investime për rehabilitimin e spitaleve të tjera si Pediatria, apo Infektivi, si dhe përmirësimin e kushteve për stafet dhe pacientët që vijnë e marrin mjekimet  tek ne. Spitalet në Elbasan, mendoj se, kanë specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, madje të trajnuar edhe jashtë shtetit, gjë, e cila mendoj se do të përmirësojë  kulturën e shërbimit dhe cilësinë e saj. Parësore mbetet efikasiteti shërbimeve tona spitalore, gatishmëria e stafit ndaj çdo pacienti, urgjencave, pasi siç dihet ne jemi qarku më i madh i vendit me 5 rrethe dhe kemi një fluks të madh rastesh në Urgjencë dhe spitalet  e tjera, duke mos përjashtuar aksidentet e shpeshta. Ndaj mendoj se, angazhimi maksimal dhe përgjegjshmëria  profesionale, duhet të jenë  parimet bazë të çdo mjeku dhe drejtuesi në detyrën dhe misionin tonë human.