Dede Edmond Brahimaj, sot 7 vite-Kryegjysh Botëror i Bektashizmit

1286
Sigal

Syrja XHELAJ

Kujtim BORIÇI

16 maj 2018, është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën, pasi plot 7 vite më parë, kleriku i njohur Haxhi Dede Edmond Brahimaj u zgjodh në detyrën më të lartë të këtij tarikati, në atë të Kryegjyshit Botëror të Bektashizmit. Njëkohësisht, në këtë ditë të shënuar jo vetëm për bektashinjtë, por dhe për dashamirës, drejtues të besimeve fetarë në Shqipëri e Botë, drejtues të lartë shtetërorë e njerëz të thjeshtë, i shprehin Dede Edmond Brahimajt, urimet më të mira për shëndet e jetëgjatësi, në misionin e tij fisnik në krye të komunitetit bektashian, për shtimin besimit në Zot, për më shumë dashuri, paqe, mirësi e respekt për njeri-tjetrin, pavarësisht besimit, kombësisë, gjinisë, racës apo statusit shoqëror.

11 maj 2011, shënon pikënisjen e përkushtimit maksimal të Tij për të çuar më tej projektet e nisura nga myrshidi Dede Reshat Bardhi. Si nxënësi i Dede Reshatit, Kryegjyshi Edmond Brahimaj, jo vetëm përmbushi realizimin e këtyre projekteve, ndërtimin e odeonit në Selinë e Shenjtë, teqeve e tyrbeve në mbarë vendin e më gjerë, por shënoi dhe një sërë arritjesh të tjera në përhapjen e besimit bektashian, shtimin e radhëve të besimtarëve, dhënien e mesazheve të unitetit, bashkëjetesës fetare, paqes e mirësisë. Përtej një urimi, ky përvjetor jo vetëm që është një ditë e bilancit të arritjeve, por dhe një ditë reflektimi për më shumë përpjekje në të ardhmen, në udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut.

Kryegjysh Botëror i Bektashizmit

Kleriku Dede Edmond Brahimajt u zgjodh në detyrën e Kryegjyshit Botëror Bektashian pas ndarjes nga jeta të Dede Reshat Bardhit, një nga personalitetet e njohura të Bektashizmit në mbi 800 vite të ekzistencës së tij, që ndër të tjera, ka meritën e veçantë të ringritjes së besimit bektashian dhe objekteve të këtij besimi, pas ndryshimeve politike të vitit 1990 në Shqipëri. Dede Edmond Brahimaj u zgjodh Kryetar i Komunitetit Bektashian Botëror, në datë 11.06.2011. Në këtë vendim ndër të tjera thuhet: “Në zbatim të nenit 21 të Statutit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane datë 26.07.2009 të ndryshuar dhe të miratuar me Vendim Gjykate Nr 4760/1 datë 22.12.2009, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Këshillin Klerikal, i mbledhur sot më datë 11.06.2011 në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Vendosi” 1-Zgjedhjen e Haxhi Baba Edmond Brahimaj, në detyrën e Kryetarit të Komunitetit Bektashian Botëror…..”.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka lindur në Tiranë, më 19 maj 1959. Është me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe juridik. Më 2 janar 1992, fillon jetën si klerik, me bekimin e udhëheqësit të tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit dhe Baba Bajram Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin Dervish dhe menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Turanit, në Korçë. Më 13 prill të vitit 1997 dekretohet me titullin ‘Baba’. Po në vitin 1997 caktohet Zëvendës i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Më 21.02.2006, emërohet edhe si drejtues i Bektashizmit në Maqedoni, me qendër në Tetovë, duke mbajtur njëkohësisht postin e Zëvendës-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Më 11.06.2011, me Vendim të Këshillit të Lartë Gjyshëror të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj u zgjodh në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Haxhi Dede Edmond Brahimaj është një nga klerikët e hierarkisë së lartë Bektashiane që ka dhënë kontribut të veçantë për ringritjen e strukturave dhe të infrastrukturës së bektashizmit, në Shqipëri dhe në Botë. Falë përkushtimit të këtij kleriku dhe të klerikëve të tjerë bektashianë, kohët e fundit, numri i besimtarëve bektashinj ka ardhur në rritje, ndërkohë, që në shumë institucione bektashiane në Kosovë, Maqedoni, SHBA e vende të tjera, po bëhen përpjekje evidente për rikthimin e pasurisë së tjetërsuar institucioneve bektashiane, vënien e tyre në eficencë në funksion të besimtarëve.

Përkushtimi për bektashizmin

Nëse do të evidentohej një nga arritjet e rëndësishme të këtyre viteve të drejtimit të Selisë së Shenjtë Bektashiane nga Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, do të përmendnim kontributin e dhënë në drejtim të forcimit të bashkëjetesës fetare në Shqipëri e komunitete jashtë saj, ku punojnë e jetojnë bektashinjtë, reputacioni në rritje i Selisë së Shenjtë në kancelaritë shtetërore në Evropë, Azi e SHBA; rikthimi i një pjese të pronave të bektashinjve si dhe mesazhet e vazhdueshme për paqe, dashuri e mirësi, në luftë me shfaqjet e terrorizmin dhe çdo të keqeje tjetër në këtë jetë. …Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human, social, ku edhe ka referuar, duke çuar në to zërin dhe përvojat e bashkësive bektashiane në Botë. Më 1996 referoi në Teheran lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri”, referoi rreth sfidave të Bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004, si një ndër përfaqësuesit e bashkësive fetare tradicionale shqiptare, vizitoi Shtëpinë e Bardhë në ShBA. Ka shkuar në ShBA nëpërmjet Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së ShBA-ve në Shqipëri, për njohjen e diversitetit fetar në ShBA. Ka mbajtur marrëdhënie të veçanta me Gjyshatën Bektashiane në Detroit, ShBA, në Teqenë e Baba Rexhepit, qendër e rëndësishme e Bektashizmit, e cila u shndërrua në qendrën kryesore të Bektashizmit gjatë kohës së ndalimit të fesë në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme në këtë Gjyshatë. Mban titullin “Ambasador i Paqes”. Ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku ka qenë pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk dhe të Institutit “Haxhi Bektash Veliu”, pranë Universitetit të Gazit në Turqi. Ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjërata e tij në veprimtari të ndryshme në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Stutgart, Këln etj… Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë, shoqërisë civile etj. Trupi diplomatik i akredituar në Shkup e ka vlerësuar lart Haxhi Dede Edmond Brahimajn, si një klerik me kontribut të ndjeshëm, veçanërisht në fushat e marrëdhënieve e bashkëjetesës ndërfetare dhe të harmonisë fetare dhe si promovues të vlerave të Shqipërisë si vend model në botë në këto fusha. Nën përkujdesjen e Dede Edmond Brahimajt, në marsin e këtij viti u zhvillua aktiviteti i rëndësishëm ndërkombëtar, i treti radhazi, “Ditët e Naimit” në Paris.

VLERËSIME PËR DEDE EDMOND BRAHIMAJN

Gjatë këtyre viteve në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është vlerësuar me shumë tituj, medalje e mirënjohje, ndër të cilat janë:

-“Ambasador i Paqes”, viti 2004.

-“Nderi i Qarkut të Korçës”, viti 2004.

– “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë, 10 qershor 2014.

-“Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë, 29 qershor 2014.

-“Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar, 22 gusht 2014.

-“Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, 25 maj 2014.

-“Personalitet i shquar i Labërisë”, Shoqata “Labëria”, shkurt 2015.

-“Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit, mars 2015.

-“Qytetar Nderi” i Qarkut të Beratit, maj 2015.

-Urdhri “Kalorësi i Skënderbeut”, nga Presidenti i Republikës, 7 shtator 2015.

-“Dr. Honorus Causa”, Misioni OKB, shator 2016

-“Nderi i Bashkisë Bulqizë”, tetor 2016

-“Mirënjohje” nga Presidenti Barak Obama, SHBA, janar 2017.

-“Çmimin e Arit-Ikona e Paqes”, Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G.O.D Awards”, tetor 2017.

-“Qytetar Nderi” i Skraparit, Bashkia Skrapar, janar 2018.

-“Qytetar Nderi” i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare”Vëllezërit Frashëri”-Përmet, maj 2018.

URIM

Me rastin e 7-vjetorit të drejtimit të Selisë së Shenjtë Bektashiane, redaksia e gazetës “Telegraf” i uron Kryegjyshit Botëror, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shëndet dhe mbarësi në mision in e tij fisnik si klerik e intelektual në të mirë të njerëzimit, për forcimin e besimit në Zot, paqes e dashurisë për njeri-tjetrin!

Redaksia e gazetës “Telegraf”