Arsyet pse Akti Normativ po diskriminon ushtarakët

    442
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Zyhdi Kroi, Presidenti i Nderit i Shoqatës së Ushtarakëve, për problemet e ushtarakëve

    Akti Normativ mbetet një problem i pazgjidhur për ushtarakët, pasi po bëhet një kohë e gjatë që ai është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe ende nuk ka marrë ndonjë zgjidhje. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Nderit i Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi, shprehet se ky akt po i diskriminon ushtarakët. Sipas tij, ky nuk po merr zgjidhje për arsye politike.

    -Zoti Zyhdi, Akti Normativ është një çështje e pazgjidhur për ushtarakët, si po shkon çështja për këtë akt që ju keni dërguar në gjykatë?

    -Akti Normativ së bashku me Avokatin e Popullit ne prej disa kohësh e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por një shoqatë tjetër ish- ushtarakësh dhe konkretisht Shoqata e Xhenierëve ka dërguar një ankesë dhe presin që të pushojë padia. Por një tjetër problem është që Akti Normativ ka ulur pensionet e parakohshme në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007 dhe të vitit 2009. Por ne kemi bërë gjithmonë vërejtje që pensionet nuk duhet të ulen, pra masa e pensionit nuk duhet të ulet, kështu edhe një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet. Të gjithë ato që kanë dalë në pension të parakohshëm kanë fituar një të drejtë me ligj, ndërsa tani aty po u mohohet kjo e drejtë.

    -Më konkretisht ku i prish të drejtat e ushtarakëve Akti Normativ?

    -Ndërsa tani Akti Normativ ua ka ulur pensionin e parakohshëm dhe ua ka çuar në 120, madje i ka lënë edhe debitorë nga viti 2009.

    -Cila është përgjigja që keni marrë nga Gjykata Kushtetuese për padinë që keni dërguar ju?

    -Ashtu siç jua thashë edhe më lart ne e kemi dërguar së bashku me avokatin e Popullit Aktin Normativ në Gjykatën Kushtetuese. Por nuk e dimë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Por e dimë që qeveria nuk tërhiqet kollaj, por ne nuk do të heqim dorë por nuk është e drejtë që të ulen pensionet në këtë mënyrë. Ne mendojmë që nuk ka arsye që të ndodhin kjo.

    -Po në lidhje me problemin e pagës referuese çfarë po bëhet, pasi edhe kjo ka qenë një problem tjetër që ka ngelur i pazgjidhur?

    -Po, është dhe një problem tjetër mjaft madhor që ka të bëjë me pagën referuese. Paga referuese për ata që janë liruar par a vitit 2001 llogaritet ajo e korrikut të vitit 2009. Ndërsa për të tjerët që janë liruar deri në vitin 2009 u llogaritet paga e janarit 1999. Pra një kolonel që është liruar në 1991, pagën referuese e ka 600 apo 700 mijë lekë. Ndërsa një kolonel që është liruar pas 1991 pagën referuese e ka 180, 200 apo 250. dhe mbi bazën e këtyre bëhet dhe llogaritja e pensionit. Por nuk mund të ecet me dy standarde. Në çdo vend të botës masa e pensionit varet nga masa e kontributit. Ky është një problem që për ne mbetet shqetësues. Me pensionet e parakohshme janë penalizuar të gjithë.

    -Sipas jush cili është qëllimi që ecet me dy standarde për ish-ushtarakët?

    -Unë e them pa droje, që këto bëhen për qëllime politike. Kjo për shkak se ushtarakët e liruar nga viti 1992 deri në 2005 i cilësojnë si pjesë e së majtës. Një gjë të tillë e ka shprehur edhe kryeministri i cili ka thënë fjalë për fjalë në vitin 2006 se: “Se nuk ka pasur ndonjëherë oficerë ushtria shqiptare, ka pasur nga ata që ngarkonin mushka dhe mbushnin ujë” dhe më këtë mentalitet nuk mund të ecet.