AKU, mbështetje nga Turqia për sigurinë ushqimore

    402
    Sigal

    Në kuadër të bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencës në fushën e Sigurisë Ushqimore, një ekip i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Z.Afrim Bakaj, kreu një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Turqisë, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Takimi nisi me Drejtorin e Përgjithshëm të Integrimit në BE dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Ministrisë së Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë së Turqisë. Në fokus të këtyre diskutimeve ishte realizimi i projekteve në fushën e kontrollit të sigurisë ushqimore, kryesisht në mbështetjen dhe zhvillimin e laboratorëve rajonalë, si pjesë e rëndësishme për përmbushjen e planit strategjik të AKU-së për mbrojtjen e konsumatorit. Më pas u vazhdua me vizita në Laboratorin Rajonal të kontrollit të Ushqimit dhe në Laboratorin Kombëtar Ushqimit të Referencës. Vizitat në këto dy institucione ishin mjaft impresionuese dhe shërbyen për t’u njohur më nga afër me hapin e madh që ka bërë shteti turk në rrjetin laboratorik, kryesisht në krijimin e një infrastrukturë moderne, futjen e teknologjisë bashkëkohore, si dhe në mbështetjen dhe trajnimin e stafeve për kryerjen me një nivel të lartë të analizave, duke realizuar mjaft nga standardet e BE-së.

    Një takim i veçantë u krye me Dr. Mahmut Çevik, Përgjegjës i Departamentit për Ballkanin dhe Europën Lindore në Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Gjatë këtij takimit u diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimi teknik, si trajnime të inspektorëve për kontrollin zyrtar të produkteve ushqimore në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në tregun e brendshëm, rritja e kapaciteteve të rrjeteve laboratorike, pajisja e tyre me aparatura bashkëkohore për kryerjen e analizave bashkëkohore, si myqeve, dioksinave, mbetjeve të medikamenteve veterinare, mbetjeve pesticide, metalet e rënda si dhe grupit të aditivëve ushqimorë, si ngjyruesve, ëmbëltueseve dhe konservantëve.

    Për çështjet e trajtuara u gjet mirëkuptim i plotë nga pala turke, duke i konsideruar ato si të domosdoshme për të realizuar një kontroll zyrtar efektiv dhe për rritjen e besueshmërisë së rezultateve laboratorike në vend. Takimet u zhvilluan në frymë mirëkuptimi, ku spikati dëshira për ndihmë dhe bashkëpunim midis të dy vendeve, si dhe ndihma që mund të ofrojë Turqia për AKU-në, nëpërmjet TIKA.