(A) DO TË KEMI BASHKËQEVERI TË PS ME PD?!

668
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ndryshimet e mëdha në qeveri, fasada e re e kryeministrit Rama

Aludime edhe për një bashkëqeverisje teknike me PD-në, për reformën në drejtësi

Kryeministri Rama e ka kuptuar që qeveria e tij është e lodhur, njerëzit përditë shprehin revoltë kundër keqqeverisjes, reformat e premtuara nuk konkretizohen, propaganda nuk besohet më. Prandaj gjatë gjithë fushatës së llogaridhënies, u mundua t’u thotë njerëzve, që ai vetë do t’u zgjidhë çdo hall e shqetësim që kanë me sajtin e vet personal qeveritar, sepse administrata e shtetit nuk funksionon, edhe pse tani timonin dhe tepsinë e ka të gjithë Rilindja. Halli i vetëm i kryeministrit Rama është që të përcjellë te shqiptarët imazhin, se ai vetë, si kryeministër punon i palodhur dhe fajin e keqqeverisjes e kanë vetëm ministrat. Ndaj, për kryeministrin Rama ka ardhur koha, që të ndryshojë fasadën e qeverisë, me ndryshime të reja, si të thuash, që ngrehinën ta rifreskosh me bojatisje të re.

Sot, mbledhja e qeverisë pas pushimeve verore

Pushimet mbaruan për ministrat, sepse kryeministri Edi Rama sot zhvillon në Vlorë një takim me ministrat dhe krerët e grupit parlamentar, ku do të diskutohen rezultatet për detyrat e lëna dhe reformat e kërkuara nga qeveria e tij, që pas krijimit të saj. Takimi do të zhvillohet në vilën qeveritare të qytetit bregdetar, ku ministrat e qeverisë do të japin llogari për projektet e realizuara përgjatë një viti si dhe për ato të mbetura pezull. Raportimi i ministrave do konsolidojë bindjen e kryeministrit mbi performancën e ministrave të tij, gjë nga e cila varet e ardhmja e tyre në qeveri.

Qeveria e re, e vizatuar në agjendën e kryeministrit Rama

Kryeministri Rama ka paralajmëruar që në mars të këtij viti, në prologun e fushatës joelektorale të bashkëbisedimit dhe dhënies së llogarisë të qeverisë me popullit, se tani në shtator do të bëjë ndryshimet e duhura në qeveri. Qysh atëherë, kryeministri Rama tha se nga llogaridhënia e qeverisë me popullin, do të nxirren edhe konkluzionet dhe rezultatet e punës të çdo ministri, të cilat, paskëtaj, dot ë jenë kritere për ndryshimet e qeverisë në këtë shtator. E vetmja arritje e kryeministrit me këtë rifreskim të qeverisë, mund të jetë përmirësimi i perceptimit popullor për qeverinë, që kryeministri zbon ata ministra që nuk punojnë, duka ua hedhur atyre gjithë fajet e keqqeverisjes së deritanishme, gjë që ndodh sa herë ka “ndryshime të mëdha”, për të shërbyer si një fasadë e re propagandistike e qeverisjes Edi Ramës.

 

Dështimi i çdo reforme të ndërmarrë, rritja e varfërisë dhe e papunësisë

Në këto 5 vite qeverisje, deri tani asnjë reformë e premtuar nuk është zbatuar. Vota kundër e BE-së për mos hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, është dëshmia më e qartë e dështimeve të reformave, sikurse lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, mosrespektimi i ligjeve për Administratë publike të pavarur nga emërimet partiake, dështimi i plotë i reformës në drejtësi, derisa Shqipëria tashmë nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë, as Kryeprokuror të Përgjithshëm, kur ende nuk janë ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Ekonomia shqiptare është zhytur në stanjacion, nuk ka investime të mëdha, është thelluar varfëria, qeveria ka shkurtuar edhe fondet e ndihmës ekonomike dhe sociale, papunësia është në shifra rekord, aq sa 350.000 shqiptarë braktisën Shqipërinë në 3 vitet e fundit, sepse nuk kanë shpresë në Shqipëri të mbijetojnë.

Koncesionet, sukseset e vetme të qeverisë

Të vetmet realizime të qeverisë së kryeministrit Rama janë koncesionet dhe tenderët, sa vështirë të mendosh se ka mbetur ndonjë aset i ekonomisë pa u dhënë me koncesion, edhe pse BB-ja dhe FMN-ja e kanë kritikuar shumë qeverisë, sidomos për mënyrën jo transparente të dhënies së koncesioneve, duke i kujtuar rrezikun e rritjes së borxhit publik, mungesën e një konkurrence të ndershme dhe investimeve.

Qeveri teknike…?

Ndryshimet e reja në qeveri pritet të publikohen në Asamblenë Kombëtare të PS në 8 shtator. Mirëpo, në 3 shtator parlamenti pritet të votojë ligjin “Për Magjistraturën”, një test i fortë i qeverisë për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi. Kryeministri Rama i ka shtrirë dorën opozitës, duke i kërkuar që opozita të sjellë amendament e ta votojnë së bashku. Kjo dorë e shtrirë e kryeministrit Rama për bashkëpunim është refuzuar nga PD-ja. Kryeministri Rama, për të dhënë një imazh të ri, që ai, si lider, punon për të mirën e vendit, do të propozojë edhe një bashkëpunim më të gjerë bashkëqeverisjeje me opozitën, nëpërmjet një qeverie teknike, që ta udhëheqë ai e cila duke pasur të gjitha votat, duhet të ndërmarrë të gjitha reformat e duhura që kërkon edhe BE-ja deri në qershor 2019, e për t’i dhënë zgjidhje edhe kolapsit të drejtësisë. Ky ndoshta do të ishte skenari i vetëm që mund të ndihmojë Edi Ramën të zgjasë ditët e pushtetit të tij, sepse do të godiste në mënyrë të pakthyeshme opozitën, e cila edhe sot, pa u bashkuar me “armikun”, gjendet në kuota shumë të ulëta.