1000 furrat buke në Shqipëri që përdorin përdorin miellin e kontaminuar serb që konsumojnë kafshët

    569
    Sigal

    Skandali/264 furra ilegale që helmojnë shqiptarët janë në Tiranë, ndërsa 730 në rrethet e tjera të vendit. Mielli i bukës sillet nga Serbia e Rusia, ku për shkak të kontaminimit, rrezeve radioaktive, atje përdoret për kafshët. Këto ditë AKU ka nisur mbylljen e disave prej tyre

     Pati shumë reagime, pas publikimit në gazetën “Telegraf”, të skandal-krimit ushqimor për prodhimin e bukës në Shqipëri, me miellra importi e miell po kancerogjen, të prodhuar në fabrikat shqiptare, prej drithërave të “plakura” pa vlera ushqyese, të skaduara, të kontaminuara, dhe me rrezatim radioaktiv, pra me përmbajtje kancerogjene të infektuara prej shumë vitesh, por edhe të prekura nga sëmundje vdekje-shkaktuese brejtësish, që shurrojnë drithërat dhe miellin nëpër depot serbe e ruse. E para për këtë skandal reagoi AKU, nëpërmjet Drejtorit të Përgjithshëm, zoti Afrim Bakaj, i cili na vuri në dijeni se “hodhi menjëherë në veprim gjithë strukturën e specializuar të AKU dhe nisi kontrollin e imët, në çdo pikë kalimi kufitar të futjes së miellrave e grurit, si dhe në çdo fabrikë që prodhon miell brenda Shqipërisë e madje në çdo furrë buke”. Madje, nëpërmjet një bisede telefonike, drejtori Baka na informoi, se brenda asaj dite kishte bllokuar për kontroll të imët në pikën kufitare “Hani Hotit” 14 maune me grurë serb. Reagoi dhe pronari i fabrikës “Miell Tirana”, i cili ishte i gatshëm për verifikime të produktit drithë e miellra që hyjnë e dalin nga fabrika. Por reaguan edhe shumë prodhues mielli, importues gruri e mielli, prodhues buke, tregtarë mielli, madje edhe “sekserë çapkënë”, të cilët nën logo shoqatash të industrisë agro-ushqimore, kërkuan “të mos flasim për grurin serb e rus”, pra për të heshtur ndaj këtij krimi njerëzor masiv, që u bëhet shqiptarëve, duke u dhënë si “meze” në bukë edhe rrezatimin radiaktiv kancerogjen dhe helmin në gjak. Këtë rrezik, këtë helmim të “padukshëm” kriminal të popullatës, ata e përcjellin nëpërmjet miellit të infektuar deri tek picat, ëmbëlsirat, biskotat, petët e byrekut që shiten në treg  e deri tek moltot që konsumojnë fëmijët, të cilat prodhohen në Shqipëri, por me miell serb e marka të huaja.

    Na kërkojnë të pranojmë, që në Shqipëri nuk ka grurë kancerogjen serb e rus. Por, ka!

    Një nga këta reagues tipik quhet Alfred Bozhiqi, i cili në emër të një prej 1000 shoqatave të miellit, grurit, domateve, qepëve, kumbullave, gjizës, prasëve e kungujve, na dërgoi “premomorje” kundërshtuese në gazetën “Telegraf”, duke u vënë në mbrojtje të skandal-krimit, dmth të “bosëve” të mafies së grurit e miellit “vrasës”. Ky personazh, që përditë del edhe në krye të protestave të tregut të ish-uzinës “Dinamo”, na njoftonte se në emër të shoqatës së industrisë agro-ushqimore shqiptare, kërkonte të përgënjeshtronim lajmin e botuar për drithërat dhe miellin kancerogjen serb, rus, turk e deri azerbajxhanas, që kanë rrezik vdekjeprurës edhe prej infeksioneve brejtësve. Ne po i rikujtojmë zotit Bozhiqi, se me të tillë drithëra prodhohet mielli në Shqipëri. Të tillë drithëra e miellra, që në afro 90% të sasisë së importuar, futet në Shqipëri pa asnjë kontroll. Futet me analazia false por me ryshfete në dogana e me urdhra “bosësh” politikë, të pasuruar me këtë treg vrasës ushqimor të popullatës shqiptare e tashmë, të tërhequr nga politika në biznese restorantesh luksoze. Këtë industri ushqimore masive vrasëse graduale, nuk e bënë dhe nuk e mbron qytetari, por bëjnë dhe e mbrojnë ata bosë politikë, që janë aksionerë “pas kuintave”, që janë krushq e “tutorë” licencash false të fabrikave që “bluajnë e sheshin vdekjen” e shqiptarëve nëpërmjet bukës së përditshme. Ky miell e këto drithëra importi, realisht tagji kafshësh dhe produkte kancerogjene për groposje, në 80% të sasisë vijnë nga Serbia e Rusia dhe 4 vende të tjera sllave, të cilat nxjerrin nga depot e tyre dhe nisin në Shqipëri për bukë, drithëra e miell, që u myket e u merr rrezatim radioaktiv sipëror, për shkak të vjetërsisë nëpër depozita, të pesticideve, përbërësve e solucioneve të shumtë, që përdoren për ta “pastruar” dhe mbajtur të “freskët” e të besueshëm për tregun shqiptar, drithin e mykur e të infektuar, për shkak lagështirës dhe faktorëve të tjerë mikro e makro-biologjikë dhe magazinues.

    Portat kufitare të miellit e grurit vrasës, i hapin “tutorët” politikë të fabrikave shqiptare

    Nuk e dimë, se përse “shef” Bozhqi e mohon faktin që mielli që përdoret për bukë në Shqipëri është me rrezatim kancerogjen, me radioaktivitet të përmbajtjes “tavan”, me cilësi të standardi “dysheme” e nën “dysheme”. Këtë e thonë 7 analizat që i duhen bërë grurit, miellit, bukës, e madje edhe të brumit kur gatuhet, mbasi aty shfaqen shenjat e “kancerit” të drithit e miellit, pas rënies në kontakt me përbërës të tjerë, që i hidhen miellit e grurit, për të fshehur “helmin” e tyre vrasës. Zoti Bozhiqi, besoj ti e di mirë, që në Shqipëri këto analiza bëhen sa “për letra” të futura në dosje treguese rregullsie, siç urdhëron struktura e mafies shqiptare e rajonale të miellit e drithërave, të cilët futin grurë e miell vrasës vetëm në vende të shkalafitura, me kontroll që blihet dhe me konsumatorë që nuk ngrihet t’i kap për fyti këta “horra vrasës” të miellit e drithërave, të cilët janë autorë të krimit dhe kërcënojnë autorët e shkrimit! Operatorët privatë që zhvillojnë aktivitet në sektorin e prodhimit të bukës në Shqipëri, vazhdojnë të prodhojnë dhe tregtojnë bukë jashtë të gjithë standardeve, ndërkohë që institucionet kontrolluese e vepruese qeveritare të mbrojtjes së konsumatorit, vazhdojnë të lejojnë abuzimet në këtë treg masiv. Edhe pse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, deklaron se ka arritur të vendos standarde të plota në prodhimin e bukës masive të popullatës, fakti është që shqiptarët po ushqehen ende me bukë që “vret” shëndetin, me pikënisje grurin e drithërat e tjerë të importit, miellin që prodhohet në vend me drithëra importi dhe miellin e importuar jashtë standardeve e sigurisë për konsum njerëzor.

    Vetëm në Tiranë, 264 furra buke ilegale, në Shqipëri 730 të tilla

    Një nga krimet e tjera me bukën ndodh brenda kazanëve e magazinave të furrave të bukës. Kush shikon prodhim buke në shumicën e tyre, nuk ha bukë gjithë jetën. Përveç afro 50 fabrikave me standarde e të sigurta në mbarë vendin, buka që hanë shqiptarët prodhohet prej furrave të bukës, të cilat në realitet janë apartamente e bodrume, që përdoren si qendra prodhimi të bukësh në tarraca, në kioska e garazhe makinash. Në këto mjedise individë të palicencuar, prodhojnë bukë jashtë çdo standardi teknologjik dhe jashtë çdo kushti e kontrolli higjieno-sanitar. Përjashto 11 fabrika e minifabrika buke në Tiranë, të cilat prodhojnë bukë me makineri e teknologji të pranueshme. Prodhuesit e tjerë ilegalë e legalë, vazhdojnë të prodhojnë bukë jashtë çdo standardi, shumica të palicencuar prej institucionit zyrtar të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencive Rajonale të Shëndetit Publik. Pa përmendur cilësinë dhe sigurinë e miellit që ato përdorin e që është një problem i madh shqetësues. Sipas një raporti konfidencial të Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit, rezulton se vetëm në Tiranë, nga 310 furra buke gjithsej, zhvillojnë aktivitet të paligjshëm 264 furra dhe 730 “furra pallatesh”, “bunker furra” e “garazhd-furra” të tilla në krejt qytetet e vendit. Këto prodhojnë bukë masive për popullatën, duke punuar jashtë çdo kushti teknologjik, profesional, mjedisor e shëndetësor. Mjediset e furrave ilegale ku prodhohet buka që hanë shqiptarët, janë bodrume, apartamente, apo kioska që deri përpara se të ktheheshin në furra buke, kanë shërbyer si depo rrangullash. Në to, punojnë jo profesionistë të prodhimit të bukës, jo njerëz të certifikuar nga Drejtoria e Higjienës dhe Epidemiologjisë, por punëtorë krahu që vetëm mbushin kazanët me miell e që në shumë prej tyre, të para me sy, trazojnë brumin me çizme ose zbathur. Në këto furra, brumi nuk peshohet, por copëzohet sipas masës së dorës së pronarit. Sipas kreut të AKU, zoti Afrim Baka, këto baza ilegale prodhimi buke janë evidentuar dhe ka nisur aksioni i eliminimit të tyre.

    Ja çfarë futet nga Serbia në Shqipëri

     1. Drithërave për miell buke masive.

    2. Drithëra për prodhim niseshteje

    3. Drithëra që prodhojnë miell për prodhime qumështi

    4. Produkte të gatshme brumi, bukë, biskota, baza tortash

    5. Produkte të industrisë bluajtëse; mjaltë; niseshtet, etj.

    4. Miell rifuxhio, i pa matrikulluar

    7. Mbetje dhe kthime të industrisë ushqimore

    8. Tagjia e përgatitur për kafshët

    9. drithëra të papërgatitur, lëndë e parë për tagji kafshësh

    10. Drithëra të bluara me rreze të lartë, për koncentrat për shpendët

    11. Lloje të ndryshme të ushqimit për kafshë

    12. drithëra me 17% infeksion fiziko-biologjik

    Përparim HALILI