Duro Mustafai/ “Paçim gjumin e rojeve”

596
Sigal

 – Filip Çakuli dhe një nga fejtonet e tij-

Aso kohe, në  zyrën tonë punonim tre gazetarë, Filip Çakuli, Shaban Sinani dhe unë. Nuk më kujtohet, në se ato çaste ishte aty edhe Shabani. Por ajo që më kujtohet e s’kam për ta harruar kurrë, ishte hapja e derës pa trokitur, dhe hyrja në zyrë pa na përshëndetur, e atij burri  të inatosur, që tha se vinte nga Fieri e se kërkonte të dinte,se, cili prej nesh ishte Filip Çakuli? E pashë në fytyrë dhe i tregova me dorë Filipin  në tavolinën përbri meje, që rrinte kokulur e diçka shkruante në një copë letre... Ndërkohë, burri  do ti drejtohej në mënyrë kërcënuese ...”Ah, juve jeni shoku Filip ?, “Unë jam ai, roja i Fierit, që e keni turpëruar në gazetë. Po pse mor shokë, pse ?  Nuk gjetët njeri tjetër,po mua, që jam edhe komunist ?,, 

Mu kujtua se dy –tri  ditë më parë Filipi kish botuar një fejton, që kur e lexuam, u gajasëm së qeshuri...Fejtoni  mbante titullin “Paçim gjumin e rojeve” dhe kritikonte pikërisht, atë komunistin, që gjendej përball nesh. Ai ishte roje në ndërmarrjen e Grumbullimeve, e, sipas Filipit, drejtori e kish gjetur në një gjumë të thellë e të rëndë, e pazakontë kjo  për njerëzit e kohës sonë,  por e zakontë për rojën e Fierit, që  jo vetëm  nuk ruante pasurinë e popullit, po duhej ruajtur nga gjumi i rëndë... Kjo ishte fabula e fejtonit, për t ë cilin ishte revoltuar roja.

..Po Filipi gjakftohtë, e që gjerë atëherë, qëndronte kokulur, befas d o të ngrinte kokën e sikur të mos kish dëgjuar asgjë nga ato fjalët e rojës, e pa atë në fytyrë, e me një ton të butë e pyeti..”Po juve, kush jeni, nga vini dhe çfarë kërkoni  nga unë?!”.

-Shoku Filip, unë kërkoj të drejtën time, se juve keni gënjyer në gazetë. Dhe roja dol të vazhdonte... “Që më gjeti drejtori në gjumë-kjo është e vërtetë..Që  më pushoj nga puna, edhe kjo është e drejtë, se po ti vinte flakën magazinave ndonjë armik, unë do isha në burg.-Po ju , shoku Filip, thoni edhe një gjë që nuk ka ndodhur, shkruani në gazetë , që roja (domethënë, unë), isha në një gjumë kaq të thellë, sa qe drejtori mi hoqi këpucët nga këmbët, e i mori me vete në drejtori për ti pasur si “Provë materiale”... Kjo, shoku Filip, nuk është e vërtetë. Ja, këpucët janë këto, i kam  në këmbë edhe sot”...Nuk mi hoqi këpucët drejtori mua,

bashku me Filipin u munduam ti shpjegonim rojës, se shkrimi ishte një fejton me doza humori, se në shkrime të tilla humoristike, lejohej zmadhimi, apo zvogëlimi i përmasave të një ngjarjeje, a fakti gjerë në hiperbolizim.Por e vërteta, që nuk mund të hidhet poshtë është fakti, që drejtori të gjeti në gjumë.Apo jo?...

-Po, e vërteta ashtu është… Kurse me ato këpucët, shoku Filip, më keni vrarë !..

Se, nuk dal dot në rrugët e Fierit, nga fjalët e njerëzve, e tani kanë filluar edhe fëmijët të flasin, “E shikoni atë burrin atje? Ai është roja që drejtori e gjeti në gjumë.Dhe i hoqi këpucët nga këmba. Më keni bërë gazin e botës, më keni bërë, sa nuk më zë më as gjumi i natës.  Por ndërsa ne menduam se ishim marrë veshë e se biseda me kaq, kish përfunduar, roja do të thoshte fjalën e fundit. “Dëgjo këtu, shoku Filip, dhe ti shoku tjetër, dëgjo, Për ato këpucët më pushuan nga puna... Nashti,  ju ndërhyni të shkojë në punë, të paktën roje në ndonjë shkollë a çerdhe fëmijësh. Dhe, po nuk e bëtë këtë, ja ku e kam ankesën time ( dhe nxori nga xhepi dy  zarfe me letra të shkruara). Një ankesë e kam për kryeredaktorin e gazetës  dhe tjetrën për Komitetin Qendror…Dhe roja u largua, pa na përshëndetur e pa e mbyllur derën, ndërsa Filipi, do të thoshte,  “prite kur roja të vij përsëri, në një ditë tjetër”...

Kritika është e rëndë për secilin, por në atë kohë ajo peshonte shumë, se shpesh shoqërohej me masa të rënda ndëshkimore, pa përjashtuar burgun…..Dhe  rasti me rojën e Fierit, ishte jo vetëm për të qeshur...

…………

Duke kujtuar këtë ngjarje të ofro 4o viteve më parë, ndërmend më erdhën ngjarje të ditëve tona, ku ruajtësit e pasurisë së shtetit, vjedhin vetë se nuk i ruan e as i kontrollon njeri..Thuhet se roje janë e duhet të jenë edhe nëpunësit e shtetit, përfshi edhe ata të bankave. Por u vodh Banka e Shtetit nga ruajtësit e saj. Pas kësaj, u vodh edhe një Bankë e nivelit të dytë, po nga nëpunësit e saj.Ata duhet ti ruanin e ti shtonin  paratë e popullit, po ishin ata që ja vodhën milionat popullit.Dhe kjo metodë vjedhjeje e “ujkut, që ruan delet”po përsëritet në shumë sektor të ekonomisë, gjithandej dëgjojmë të flitet për nëpunës-roje që vjedhin...  Dhe,në ndryshim me atë rojën e Fierit, që flinte natën, këta “hajdutët-roje” janë syzgjuar e jo natën, por edhe ditën me dritë, vjedhin, ..Na vjedhin ne, të gjithëve, se, Roja-Shtet, flë e nuk i kontrollon, nëpunësit-hajdut,as natën dhe as ditën, madje bashkëpunon me ta që  punën dhe gjumin ta bëjnë të qetë;….