Merita Rexha (Tërshana):Shoqëria shqiptare është një shoqëri në emancipim

799
Sigal

INTERVISTA/  Flet pianistja dhe pedagogia,  Merita Rexha (Tërshana)

Ajo ka filluar të mësojë piano qysh në klasë të parë, jashtë dëshirës së prindërve që donin, të mësonte violinën. Ishte hera e parë dhe e fundit që i kundërshtoi prindërit. Pianoja në Shqipëri është një instrument femëror, ndërsa në botë dominojnë meshkujt.  Aktualisht femra shqiptare po vazhdon të emancipohet, por që të arrijë nivele të larta duhet që të arsimohet më shumë në periferi dhe zonat rurale. Këto mendime ajo i shpreh me bindje dhe shpreson që femra shqiptare do të jetë në atë nivel arsimor dhe emancipues si femrat e tjera në Europë.

  Pse zgjodhët pianon si vegël muzikore?

 Kjo zgjedhje është bërë shumë vite më para, por nuk e harroj sepse e kam zgjedhur, vetë dhe e dua shumë.  E dua si në tingëllimë, si në përdorim, si në estetikë për mua ajo është vegla muzikore më e bukur në botë.  Por dhe në mënyrën që të jep në interpretim dhe në ekzekutim.

 Pra ishte zgjedhja jote?

Po. Ishte zgjidhja ime. Prindërit më futën në violinë në shkollën e muzikës, por e mbaj mend shumë mirë  se si tingëllonte pianoja në veshin tim dhe për këtë nuk përmbusha dëshirën e prindërve, por zgjodha pianon.  Kjo ishte ajo që doja të bëhesha, të isha pianiste.

 Ju thoni që e vogël…

Po, që në klasë të parë në shkollë fillore, që futeshe për vegla muzikore, violinë, piano violonçel.  Kur se pranova dëshirën e prindërve dhe bëra pjesë të jetës time pianon. Ky ishte rebelimi i parë dhe i fundit që bëra ndaj prindërve, por ishte shumë mirë që bëra këtë zgjedhje.

 Thuhet se pianoja është më shumë profesion femrash?

Në fakt, meshkujt  janë më potentë, pasi pianoja do dhe forcë fizike. Përgjithësisht pianistët më të mirë në botë janë meshkuj, ndërsa në Shqipëri mund të them se anon pak nga femrat. Unë mund të them se shumë pedagoge tek ne, kanë qenë femra si: Mragarita Kristidhi (pedagogia ime),  Nora Çashku, Anita Tartari, dhe sot kjo katedër përbëhet nga femrat. Por në botë  ndryshon, meshkujt mbizotërojnë në këtë instrument.

 Ju jeni  njëkohësisht dhe pedagoge, ku ndjeheni më mirë si pedagoge apo si instrumentiste?

Unë jam e punësuar si pedagoge dhe ndjehem shumë mirë si e tillë. Mes studentëve ndihem shumë mirë  sidomos me këtë brez të ri të zgjuar, që të jep kënaqësi, profesionale, por nga ana tjetër të mban dhe të angazhuar me të rejat që vijnë pra ka një lloj freskie kur dëgjon se si luan një 20-vjeçar. Mua më pëlqen gjithsesi të mos shkëputem asnjëherë nga piano sepse skena të jep tjetër atmosferë, tjetër ndjenjë brenda vetes. Ato kanë ndryshimet e veta, por dhe të përbashkëtat e tyre.

Po shkolla shqiptare e pianos, a është e nivelit europian? Nga rreh si traditë?

Mund të them se shkolla jonë e pianos ka një traditë lindore. Kjo përcaktohet edhe nga ardhja për herë të parë tek ne e një pedagogu kinez.  Por dua të them se ndryshe nga degët e tjera asnjë nga pedagogët tanë nuk ka mbaruar në Rusi për shkollim të pianos. Por përgjithësisht  është kopjuar tradita lindore që është traditë shumë e mirë. Rusët, hungarezët, rumunët, çekët, kanë përparime në këtë fushë, por ne si dhe në shumë drejtime të tjera kemi qenë të lidhur me lindjen. Më shumë duke qenë një katedër pianoje, e pa ndikuar nga të tjerët, pedagogët tanë janë munduar të marrin traditën më të mirë të pianistëve rusë, por edhe atyre gjermanë. Por ka dhe një ndikim të shkollës franceze, por shumë të vogël, sepse është më larg. Por duhet ta themi siç është sukses më të madh ka pasur shkolla jonë e violinës, por mund të themi, se pianoja zë vendin e dytë. Kështu mund të përmend nga shkolla shqiptare e pianos, Gent Tukiçin,  Egand Hasa, apo Dhurata Lazo në Gjermani. Pra jemi të kënaqur me arritjet tona.

Sot flitet që në shkolla ka rënë kërkesa e llogarisë apo serioziteti në shkolla. Mendimi juaj? Gjithashtu flitet shumë për bazën materiale?

Kjo mund të jetë e vërtetë për bazën materiale, pasi pianoja si vegël muzikore është e shtrenjtë. Sot për të blerë një piano duhet një shkundje. Për të blerë një piano duhen 30 mijë euro, por dhe më shumë.  Pra ne nuk kemi një piano të re koncertale. Por kërkesa e llogarisë mendoj se nuk ka rënë, pasi ne u qëndrojmë studentëve tek koka. Por a ndikon ambienti për aq sa thatë më lart? Po ndikon, sepse universiteti është si të gjithë universitetet. Mbi të gjitha, çdo universitet ka problemet e veta, por ne nuk jemi poshtë në raport me të gjithë të tjerët, përkundrazi…  Dua të theksoj se, tek ne zhvillohen talentet dhe shohim se në shkollën tonë vijnë gjithmonë talente të reja. Kushdo që të mësoj, kërkon dhe mëson. Ndihmën tonë e ka që të ecë më para.

Shpeshherë  flitet për mitmarrjen në radhët e pedagogëve. Si do ta cilësonit këtë fenomen të shëmtuar?

Ky është një krim që dënohet nga ligji dhe unë se di se si mund të ndodh. Unë e dënoj atë, por di të them që në universitetin tonë nuk ka fenomene të tilla. Kam dëgjuar thashetheme, ka pasur raste në universitet të tjera, por për mua  nuk është problem shqetësues, nuk është fenomen.

Po femra shqiptare a vepron në një shoqëri të emancipuar, ku mund të gjejë veten ?

Shoqëria  shqiptare është një shoqëri në emancipim dhe nuk ka arritur kulmin. Pra nuk  jemi një shoqëri e zhvilluar. Por fakti që është një shoqëri në zhvillim, është një hap përpara, por goxha hapësira ka sot për femrat që të ecin në rrugë për të gjetur veten.  I shoh shumë femra  që po realizojnë shumë ambicie dhe ato i kam rreth e qartë dhe kjo është një pozitivitet. Por nuk është  ky maksimumi që kërkohet, aq më tepër që po të largohesh nga Unaza e Tiranës më keq bëhet punët dhe për këtë jam koshiente, por them që me zhvillimin e të gjitha gjërave, me zhvillimin ekonomik, me atë arsimor, sidomos  në zonat jashtë qyteteve të mëdha, kryesisht të fshatit, avash- avash po krijon terren. Por në Tiranë femra është më solide.

Cilat  janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

Siç janë të gjitha problemet e femrave në Evropë, apo në  botë. Mbajtja e ekuilibrit midis familjes, karrierës, jetës private. Unë kam përshtypjen për vete, se ky është  problemi më i madh. Ekuilibri i gjërave, pasi jemi akrobat që na duhet të mbajmë ekuilibrat edhe  në familje, karrierën, jetën koncertale, të merremi me veten. Pra, pjesa e zhvilluar e shoqërisë shqiptare, ku përfshihen edhe femrat ka ato probleme sa dhe femra europiane. Por zonat jashtë Tiranës pa dyshim kanë probleme të mëdha. Në këtë kontekst them se, duhet të ritet niveli arsimor. Në fakt janë hapur shumë universitete, por shkolla duhet të shkojë në fshat, pasi duhet të arsimohen gjithë shoqëria. Shtresa e mesme e shoqërisë duhet të  arsimohet më shumë.

Po problemi më i madh i shkollës sot kush është?

 Unë nuk jam me parimin sa më shumë shkolla, por jam me parimin sa më cilësore shkollat. Në këtë këndvështrim them se shkollat shqiptare duhet të rrisin cilësinë, nivelin e përgatitjes. Por kjo duhet një farë kohe. Shumë universitet do bëjnë që tregu ti seleksionojë. Kjo është e mira e ekonomisë së tregut. Por edhe vetë studentët do ta kuptojnë se nuk ka vlerë një diplomë pa cilësi pa rezultate korrekte.  Plus që shteti duhet të luajë rolin e tij.

Sot ka shumë instrumentistë, a përballojnë jetesën të gjithë sa dalin nga shkollat?

 Sot jeta e instrumentistëve nuk mund të përballohet vetëm me koncerte. Ato janë shumë të pakta. Tregu shqiptar nuk është gati të mbaj koncertistë që jetojnë me këtë profesion. Nuk ka salla të përshtatshme, nuk ka piano të përshtatshme dhe ajo që është më kryesorja publiku shqiptar nuk është i edukuar mjaftueshëm që të ndjekë rregullisht muzikën klasike. Ky edukim mund të jetë mjaftueshëm në Tiranë, por nuk është në vendet e tjera.