Majlinda Bërxolli: Roli i nuses në filmin “Pranverë në Gjirokastër”, ishte eksperienca më e bukur e rinisë

1382
Sigal

PERSONAZH/ Flet për “Telegraf” formuluesja e muzikës Majlinda Bërxolli: Me znj. Nexhmije Hoxha kam biseduar drejtpërdrejt për muzikën e filmit për Enver Hoxhën

Një ndër formulueset më në zë të ish- Kinostudios, por që jetën artistike e filloi me filmin “Pranverë në Gjirokastër”. Ishte një eksperiencë e re, shumë e bukur, por qëllimi i saj ishte të bëhej pianiste. E qetë, e sinqertë plot ide, ajo i është kthyer sërishmi profesionit të vjetër me shumë dëshirë duke qenë pjesë e shumë filmave dokumentarë të realizuar kohët e fundit nga regjisorë me emër.

Ju rrugën e artit e keni nisur duke luajtur një film artistik. Diçka jo e zakontë. Kush dhe si ju zgjodhi për rolin e nuses në filmin “Pranvere ne Gjirokastër”?

Zoti Muharrem Fejzo më pikasi në rrugë dhe mu afrua, duke më propozuar një kinoprovë për rolin e nuses në filmin “Pranverë në Gjirokastër”.

 Mos vallë ky film ju ngjizi dëshirën për t’u bërë aktore?

 Për mua ishte një eksperiencë e re, shumë e bukur, por qëllimi im ishte të bëhesha pianiste.

Pse dhe si lindi dëshira për muzikë?

Drejtimin e muzikës e kisha marrë që në fëmijëri dhe ishte e natyrshme që të vazhdoja.

Kur filluat punën në Kinostudio këtë gjigant të filmit shqiptar (dikur)?

Në Kinostudio kam filluar punë menjëherë pas mbarimit të filmit. Filmi im i parë, si formuluese muzike, ka qenë “Intendenti” i Xhezair Dafës.

Kush ka qenë drejtor i Kinostudios në atë kohë dhe si i krijonte marrëdhëniet me vartësit?

Drejtor i institucionit ka qenë z. Vangjush Zallemi, ndër gazetarët më të spikatur të kohës dhe marrëdhëniet tona ishin shumë korrekte e institucionale.

Sa filma keni realizuar si formuluese muzike, gjatë kohës që keni punuar në Kinostudio?

Në periudhën 18-vjeçare të punës time në Kinostudio kam bërë çdo vit afro 15 filma artistikë, dokumentare dhe multiplikativë. Për këta të fundit jam specializuar, veçanërisht. Filmat më të vështirë kanë qenë ata të z. Viktor Gjika dhe Lisenko Malaj.

 Atëherë puna ishte me shumë përgjegjësi, mos vallë morët ndonjë vërejtje për muzikë të huaj?

Jo, në çdo moment kam qenë shumë e kujdesshme dhe nuk kam marrë asnjë herë vërejtje.

Sa formuluese muzike ishit në Kinostudio?

Në fillim ishim tre formuluese muzike dhe me pas u bëmë katër.

Kur je ndjerë më ngushtë në atë vend pune? Si ke reaguar?

Në çdo kohë ka pasur njerëz pozitive dhe negativ. Mbaj mend një herë, që më patën fshehur njërin prej akteve të filmit dokumentar për 1 Majin. Jam detyruar të kërkoj në të gjithë ndërtesën e Kinostudios dhe zoti desh që ta gjeja nën çati të fshehur. Nuk e kam ndierë veten ndonjë herë më ngushtë.

Ju keni një lidhje të hershme dhe me RTSH, çfarë kujtim ruani prej tyre?

Radio-Tirana është një histori me vete dhe një pjesë jashtëzakonisht e bukur e jetës time. Isha në Lice dhe ndërkohë mbuloja emisionet e fëmijëve në radio dhe televizion.

Si ka qenë cilësia e filmave në atë sistem?

 Cilësia ka qenë e mirë, madje në disa filma edhe shumë e arritur, por të kufizuar ideologjikisht nga sistemi i kohës. Filmat kanë qenë të organizuar mirë, me afat të përcaktuar qartë.

Kush ka ardhur në atë periudhë nga udhëheqësit e Partisë në Kinostudio?

Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha dhe punonjës të lartë nomenklaturës së Komitetit Qendror të PPSH.  Me znj. Nexhmie Hoxha kam biseduar drejtpërdrejt për muzikën e filmit për Enver Hoxhën.

Ku ndodheshit kur u rrëzua Përmendorja e Enver Hoxhës në Tiranë?

Kam qenë në Tiranë, ndërsa në institucion nuk ndodhi asgjë e veçantë përveç ndryshimit të atmosferës. Ose më mirë kam qenë pranë sheshit, ku ndodhnin ngjarjet duke asistuar nga larg.

Kur u larguat nga Shqipëria?

Nga Shqipëria jam larguar mbas vitit 2000 për t’u bashkuar me bashkëshortin tim, i cili ndërkohë punonte në Itali.

Një rikthim, e gjetët veten?

Pas rikthimit nga Italia, fillova punë në të njëjtin profesion, në RTSH.

 Cilat janë filmat që keni realizuar kohët e fundit si formuluese muzike?

Në këto 4 vite të fundit kam punuar disa filma të “Mjeshtrit të Madh“ Kujtim Gjonaj dhe në RTSH në filma dokumentarë me tematika të ndryshme si edhe në mjaft emisione televizive. Ndër të parët  dallohen filmat për 100- vjetorin e Pavarësisë si edhe një seri filmash për personalitete të shquara të historisë dhe aktualitetit shqiptar, siç është edhe filmi i fundit që pritet të shfaqet së shpejti  “Sa kam shpirt, kam shpresë” i “Mjeshtrit të Madh” Esat Teliti, kushtuar intelektualit të shquar Jani Basho.

Albert Z. ZHOLI