Zbulohen avokatët dhe noterët me licenca fallco

1050
Sigal

Zyra e tatimeve kërkon nga Ministria e Drejtësisë verifikimin ligjor dhe nisjen e hetimit

Nga rreth 117 avokatë të regjistruar në Dhomën e Avokatisë Durrës, vetëm 90 për qind e tyre janë të ligjshëm. Ky problem ka lindur prej vitit 2011 kur në Durrës u zbuluan avokatë e noterë pa licenca dhe vazhdon të mbetet edhe sot. Janë pikërisht ky kontingjent të lidhur me prokurorë dhe gjyqtarë, madje, që marrin çështjet e rënda penale ku ka para dhe bëhen pazare, duke lënë në hije pjesën tjetër, e cila mban rregullisht marrëdhënie korrekte me shtetin. Debitorët duhet të derdhin sa më parë detyrimet në Tatim-Taksa, ndryshe Dhoma e Avokatisë Durrës do të bëjë kallëzim penal. Por, problemi duket se ka vite që ekziston, sepse vetëm pas informacioneve në zyrat e Tatimeve, këta të fundit janë kujtuar të verifikojnë shkeljet dhe të shpallin debitorët. Situatë e paqartë mbetet edhe mes noterëve. Janë pikërisht ata që së fundi kanë nxjerrë problemet e tyre, duke kërkuar largimin e atyre që vijnë nga rrethet me vërtetime të dyshimta dhe atyre që u ka kaluar mosha prej vitesh. Një prej noterëve u shpreh për “Telegraf” se: “Në radhët tona ka kolegë që kanë mbushur prej vitesh moshën 65 vjeç, ashtu sikurse ka edhe noterë që duke bashkëpunuar me doganierë dhe sekserë të sheshit të trageteve, kanë krijuar lidhjet e forta, duke mos lënë klientë t’u afrohet zyrave tona, duke na falimentuar, por ekziston edhe rreziku i falsifikimeve, gjë e cila është bërë problem edhe tek Ministria e Drejtësisë”. Problemet e lindura, duket se janë bërë objekt pune edhe i organit të Prokurorisë, e cila ka marrë denoncime edhe nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë patur kurajën të faktojnë pazare procesesh gjyqësore dhe falsifikime dokumentesh pronësie nga noterë, që kanë rezultuar debitorë ndaj detyrimeve tatimore. Organi i akuzës ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë verifikimin ligjor të avokatëve dhe noterëve, për të nisur ndaj tyre hetimin. Në rast se, vërtetohen faktet e zbuluara edhe nga hetuesit, kush ka abuzuar dhe nuk ka paguar detyrimet financiare, rrezikon gjobë të rëndë dhe heqjen e licencës.