Vonesat me pensionet e invaliditetit, Financat: Shkak, detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore

596
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka sqaruar se shkak për vonesat e pagesave që shlyhen nga fondet e Sigurimeve Shoqërore janë bërë detyrimet e prapambetura ndër vite të kontributeve shoqërore nga subjekte juridike dhe institucione buxhetore dhe jobuxhetore.

Ministria e Financave thotë se për të kapërcyer këtë situatë ka realizuar një ndryshim në udhëzimin e zbatimit të Buxhetit 2019, përmes të cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohësisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve, siç ishte në parashikimin e mëparshëm.

Gjithashtu, Ministria e Financave deklaron se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po ndjekin intensivisht rakordimin dhe shlyerjen hap pas hapi të detyrimeve të prapambetura nga institucionet publike dhe private.

Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës do të nisë një aksion për monitorin e deklarimeve të punonjësve dhe të pagave nga subjektet private.

Sipas Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura të sigurimeve shoqërore nuk cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë.