Viti 2013 shënoi vitin më pozitiv të 5- vjeçarit të fundit

716
Sigal

Open Data Albania / Ecuria e bilancit tregtar në Shqipëri nga viti 1993-2013

Një studim i Open Data Albania mbi Bilancin Tregtar të Shqipërisë deri në vitin 2013, tregon se viti 2013 ishte ndër më pozitivët e 5-vjeçarit të fundit, me një bilanc tregtar që arriti në minus 266 miliardë lekë. Bilanci tregtar është përmirësuar 16% kundrejt një viti më parë. Bilanci Tregtar mat diferencën midis vlerës së eksporteve dhe importeve për një ekonomi. Eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të shitura apo kryera jashtë vendit, ndërsa importet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të blera apo kryera nga vendet e tjera.

 Ecuria e bilancit tregtar 1993-2013

 Në rastin e Shqipërisë, bilanci tregtar ka ardhur shpesh në ulje (importet janë rritur vazhdimisht kundrejt eksporteve). Vlerën më të ulët e ka arritur në 2009 dhe më të lartën në 1994, por megjithatë, viti 2013 konfirmon një rikuperim të tij.

Nga analiza e të dhënave shihet se niveli i eksporteve, ka shënuar vlerën e tij maksimale të 20 viteve të fundit gjatë vitit 2013. Eksportet arritën në mbi 246 miliardë lekë, duke u rikuperuar ndjeshëm dhe duke përmirësuar kështu bilancin tregtar të Shqipërisë. Viti 2009, është një ndër të paktat vite, ku janë ulur të dy treguesit krahasuar me vitin e mëparshëm (edhe importet edhe eksportet). Kjo shpjegohet me krizën globale dhe uljen e kërkesës brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, importet kanë shënuar rënie si pasojë e rënies së konsumit të brendshëm prej krizës ekonomike në vend, por edhe nga rritja e prodhimit vendas të produkteve bujqësore. Importet në fund të vitit 2013 arritën në 512.2 miliardë lekë, duke u zvogëluar 3% kundrejt vitit 2012 dhe njëherësh duke shënuar vlerën më të ulët të tre viteve të fundit.

•      Në vitin 2013 eksportet shënuan rritje dinamike dhe vlera totale shënon 246 miliard lekë. Rritja me bazë vjetore për eksportet shënoi 15.6%. Viti 2013 ishte viti, ku është arritur pika maksimale që prej 1993.

•      40.4% e totalit të eksporteve është grupi i mallrave Minerale, Lëndë Djegëse dhe Energji. Në vend të dytë janë tekstilet me 28.2 % të totalit. Materialet e Ndërtimit renditen në vendin e tretë të grupmallrave më të shitura jashtë vendit me vlerën 14.7% të totalit të eksporteve.

•      Eksportet e Mineraleve Lëndëve Djegëse dhe Energjisë u rritën 30.5% në vitin 2013 kundrejt 2012 duke shënuar vlerë rreth 100 miliard lek. Shkak kryesor që po rrit eksportin e këtij grupi mallrash është eksporti i naftës nga Bankers Petrolium.

•      Sektori i Tekstileve e Këpucëve ka shënuar gjithashtu rritje në 2013 duke arritur vlerën 70 miliard lek me rritje vjetore prej 11.7%.

•      Rënie vjetore me 10% kanë shënuar eksportet e Materialeve të Ndërtimit duke u tkurrur në 36 miliardë lekë.

•      Për herë të parë eksportet në vend shënuan rritje të peshën së tyre kundrejt importeve duke shënuar peshën 48% të totalit importe.

•      Tek grupmallrat e importuara në vend të parë nuk renditet grupmalli Ushqime, Pije Duhan. Ky grup përbën 18.2 % dhe renditet pas grupmallrave Makineri, Pajisje dhe Pjesë Këmbimi. Në nivelin 18% në vend të tretë qëndron edhe grupmalli i importit Minerale Lëndë Djegëse, Energji Elektrike.

 Rritja e eksporteve nga njëra anë dhe ulja e importeve nga ana tjetër kanë mundur të shënojnë një përmirësim të bilancit tregtar të Shqipërisë, që megjithatë vijon të mbetet negativ.

 •      Viti 2013 shënoi vitin më pozitiv të 5 -vjeçarit të fundit me një bilanc tregtar që arriti  – 266 miliardë lekë. Bilanci tregtar është përmirësuar me 16% kundrejt vitit të mëparshëm.

•      Në 2013 importet shënuan rënie si pasojë e konsumit të brendshëm të ndikuar nga kriza ekonomike por edhe nga rritja e prodhimit vendas në produkte bujqësore.

•      Tkurrja vjetore e importeve në 2013 ishte 3% kundrejt vitit 2013. Vlera e importeve në 2013 është 512.2 miliardë lekë.