Le të marrin kredi dhe zyrtarët!

667
Sigal

Le të marrin kredi zyrtarët. Ku qëndron problemi i marrjes së kredive të buta nga ana e tyre? Edhe ata qytetarë shqiptarë janë. Edhe ata e kanë të drejtën e komoditetit të një çatie mbi kokë. Edhe ata si çdo shqiptar duhen trajtuar me respekt dhe të barabartë njësoj para ligjit. Është mirë që qeveria e vendit tim ka ndjeshmërinë sociale për këtë problem dhe kërkon që të përfitojnë shtresat më në nevojë. Po pse zyrtarët të privohen nga e drejta e të përfituarit kredi për shtëpi? Më lejoni këtu, të jap një përkufizim të fjalës “zyrtar”. Në fjalorin shqip-shqip, fjala “zyrtar” do të thotë: Ai që punon në një zyrë, ai që kryen punë zyre; nëpunës. Statusin e të pastrehut mund ta kenë shumë në vendin tonë, edhe këta zyrtarë. Mendoni gjithë administratën shtetërore, të gjithë intelektualët, të rinjtë, të cilët mbarojnë një fakultet dhe fati i ka ndihmuar për të qenë zyrtarë. Mos është gjë krim aspirata e tyre për një jetë më të mirë? Sot, çdo ditë e më shumë, të zotërosh një shtëpi, është luks në realitetin shqiptar. Shqiptarët punojnë për vite me radhë dhe sado të kursejnë, nuk mund të blejnë dot një shtëpi. Një shtëpi do i bënte ata më të lumtur, më të qetë, do i stimulonte për të qenë më të ndershëm në punën e tyre. Për mendimin tim, është më mirë të zbatohen VKM-të dhe ligjet dhe jo t’i zhdukim (t’i shfuqizojmë) me një të rënë të lapsit, sa herë që mendojmë se nuk ia dalim dot t’i zbatojmë ato. Mos vallë është më mirë t’i lemë pa shtëpi zyrtarët dhe ata të mundohen ta blejnë atë në mënyra të tjera, duke përdorur pozicionin që kanë? Mos duhet vallë të korruptohen për të pasur një shtëpi? Madje, qeveria duhet të ndërmarrë politika që të shtohen kredi të tilla, të shtohen përfituesit e tyre. Si shteti ashtu dhe Banka e Shqipërisë duhet të bëjnë politika në favor të qytetarëve shqiptarë. Mirëqenia mban larg dhe korrupsionin. Edhe bankat e nivelit të dytë duhet të ndërgjegjësohen dhe mos të kërkojnë kolateral për blerjen e një shtëpie. Mjafton shtëpia që do të blihet me këtë kredi. Ndaj, unë them, t’i marrim pak më qetësisht këto VKM dhe të jemi më largpamës. Problemi nuk qëndron te zyrtarët, por te zbatimi i ligjit. Vetëm zbatimi i ligjit sjell forcimin e shtetit dhe jo shfuqizime VKM-sh e udhëzimesh.

Fondi i kredive të buta për zyrtaret do të shkojë për të pastrehët

 Zyrtarët nuk do të mund të përfitojnë më kredi të buta për banesa dhe fondi i llogaritur për ta në ligjin aktual do të shkojë për të pastrehët. Vendimi për shfuqizimin e VKM-së nr. 600, datё 12.09.2007 “Pёr trajtimin me strehim tё nёpunёsve tё administratës sё lart shtetërore dhe funksionarëve politikë”, të ndryshuar, është gati dhe pritet që këtë javë të miratohet në Këshillin e Ministrave. Sipas burimeve nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, vendimi është gati dhe do të kalojë këtë javë në qeveri. Burimet thanë se, fondi i parashikuar për zyrtarët do t’u kalojë të pastrehëve.