Vështirësitë financiare, 1/3 e bashkive drejt falimentit

381
Sigal

Borxhi aktual i 61 bashkive në vend arrinë në 70 miliardë lekë, ose 49% e totalit të detyrimeve të qeverisjes së përgjithshme. Shpenzimet e luksit, dietat,tenderat, punësimi i militantëve, largimet nga puna dhe pagesat e papaguara  janë shkaqet e  krizës financiare. Ja bashkitë më problematike 

Një e treta e bashkive në Shqipëri e kanë mbyllur vitin 2020 me vështirësi ose me probleme financiare për shkak të detyrimeve të prapambetura. Borxhi aktual i 61 bashkive në vend arrin në 7 miliardë lekë, i cili përbën 49% të totalit të detyrimeve financiare të qeverisjes së përgjithshme. Veçanërisht, statusi i vështirësisë financiare është përkeqësuar shumë për 5 bashki, nga bashki pa probleme financiare në bashki me probleme dhe në vështirësi financiare. Të dhënat janë publikuar nga një raport mbi statusin e vështirësive financiare të njësive vendore të vetëqeverisjes vendore, i cili u përgatit në kuadër të projektit “Financat Lokale”, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Viti 2020 duhet të konsiderohet një vit i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh dëmtimin që shkaktoi tërmeti i fundvitit 2019 dhe situata pandemike COVID 19 mbi proceset e menaxhimit të financave vendore në Shqipëri. “Si i tillë viti 2020 nuk rekomandohet të merret si bazë krahasimi kur trajtohen trendet e performancës financiare të NJVQV-ve në vite. Në kushtet e burimeve të limituara financiare, bashkitë u detyruan të shkurtojnë shpenzimet vendore, të rialokonin fondet, duke u përpjekur nga njëra anë të mbajnë vetëm shërbimet jetike për komunitetin, dhe nga ana tjetër, të mbajnë nën kontroll riskun e krijimit/rritjes së detyrimeve të prapambetura. Këto emergjenca të papritura dhe me mjaft ndikim rezultuan në “progres të ngecur” për shumë bashki dhe regresion për disa prej tyre”, deklarohet në raportin e realizuar në kuadër të projektit “Financat Lokale”mbështetur nga Sekretariati Zvicerian i Shtetit për Çështje Ekonomike SECO.

Në këtë studim, bashkitë janë ndarë në tre kategori sa i përket detyrimeve të prapambetura: Bashki pa probleme financiare (që kanë detyrimet e prapambetura deri në nivelin 15% të totalit të shpenzimeve vjetore); Bashki me probleme financiare, që kanë detyrimet e prapambetura nga 16-25%;  dhe Bashki me vështirësi financiare, që kanë detyrimet e prapambetura nga 26-70%.

Sipas raportit, i cili ka marrë në studim stokun e detyrimeve të prapambetura deri në fund të dhjetorit 2020 për njësitë e qeverisjes vendore, rezulton se 10 bashki janë në vështirësi financiare, 11 bashki me probleme financiare dhe 37 bashki pa probleme financiare, që kanë mundur të mbajnë në nivel të ulët stokun e detyrimeve të prapambetura, pavarësisht vështirësive financiare që shkaktoi kriza pandemike e vitit 2020.

Bashkitë me vështirësi dhe probleme financiare

Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të cilat janë publikuar në raport, 10 bashki që kanë vështirësi financiare janë Roskoveci, Lezha, Tepelena, Këlcyra, Belshi, Pogradeci, Kuçova, Poliçani, Kavaja dhe Vora. Ndërkohë, 11 bashki të tjera, konkretisht Kamëz, Divjakë, Klos, Cërrik, Selenicë, Finiq, Tropojë, Delvinë, Kukës, Dimal dhe Dibër) kanë probleme financiare. “Vihet re se bashkitë që demonstrojnë probleme financiare apo janë në vështirësi financiare janë më së shumti bashkitë me shpenzime të planifikuara për frymë për vitin 2020 nën mesataren prej 20,130 lekë për banor”, -theksohet në raport.

 

Në 21 bashkitë me probleme apo vështirësi financiare, 25.89% e detyrimeve janë të natyrës së shpenzimeve korrente, 61.73% të natyrës së shpenzimeve kapitale, 11.78% të natyrës nga vendimet gjyqësore dhe 0.82% hua afatgjatë.

Në dallim nga viti 2019, vihet re një reduktim i detyrimeve të natyrës së shpenzimeve korrente dhe një rritje të detyrimeve shpenzime kapitale. “Të gjitha bashkitë me detyrime mbi 15% ndaj shpenzimeve të miratuara kanë më shumë detyrimesh të natyrës së shpenzimeve kapitale. Bëjnë përjashtim Bashkia e Kavajës, Tepelenës dhe Finiqit, ku pjesa më e madhe e detyrimeve është e natyrës së shpenzimeve korrente, respektivisht 72.67%, 70.43% dhe 55.32%. Po ashtu përjashtim bëjnë Bashkia e Pogradecit, Dibrës dhe e Lezhës, ku pjesa me e madhe e detyrimeve është e natyrës së vendimeve gjyqësore, respektivisht 65.27%, 57.03% dhe 38.09%”, deklarohet në raport.

Bashkitë me borxhe më të larta

Nisur nga kriteri i udhëzimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që llogarit nivelin e situatës financiare në referencë me shpenzimet vjetore të planifikuara, Bashkia e Vorës ka një stok të detyrimeve të prapambetura në nivelin e 75% të shpenzimeve të miratuara, dhe Bashkia e Kavajës në nivelin e 70% të shpenzimeve të miratuara, duke shënuar një status me vështirësi financiare.

Statusi i vështirësisë financiare është përkeqësuar shumë për 5 bashki, nga bashki pa probleme financiare në bashki me probleme financiare, si Delvin, dhe: në vështirësi financiare si Kuçova, Belshi dhe Këlcyra. Veçanërisht, Bashkia e Vorës, nga një bashki pa probleme financiare në 2019, klasifikohet si një bashki në vështirësi financiare në 2020 me një tregues shumë pranë statusit të vështirësisë serioze financiare.

Detyrimet e prapambetura deri në dhjetor 2020 për Bashkinë Vorë janë ekzaktësisht 74.76% e shpenzimeve totale të miratuara në Bashkinë e Vorës, më shumë se 25%, duke dëshmuar për një situatë me vështirësi financiare shumë pranë 80% në një situatë me vështirësi serioze financiare. “Situata është mbi mesataren e vëzhguar mes të gjitha bashkive, e cila është në nivelin 14.5%. Në përqindje të shpenzimeve faktike 2020, detyrimet e prapambetura janë 204.42%. Po kështu treguesi i detyrimeve të prapambetura përkeqësohet për bashkinë e Kavajës me tregues mbi 100% dhe për bashkinë e Roskovecit, Poliçanit me tregues mbi 50%”, deklarohet në raport.

Bashkitë pa probleme financiare

Në raport vlerësohet se 37 bashki të vendit kanë mundur të mbajnë në nivel të ulët stokun e detyrimeve të prapambetura, pavarësisht vështirësive financiare të vitit 2020. “Vlen të përmendim në mënyrë të veçantë bashkitë Shkodër, Dropull dhe Patos që figurojnë me 0% detyrime financiare të prapambetura dhe 18 bashkitë: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Maliq, Shijak, Gramsh, Mallakastër, Vau i Dejës, Prrenjas, Kolonjë, Fushë-Arrëz, Mat, Përmet, Bulqizë, Krujë, Libohovë që figurojnë me 1 deri 6 % të detyrimeve financiare të prapambetura ndaj shpenzimeve të miratuara”,- deklarohet në raport.

Krahasuar me vitin 2019, pavarësisht krizës pandemike, rezulton se ka një reduktim në vlerë absolute të totalit të detyrimeve financiare të prapambetura në nivel vendor. Pra, 38 bashki kanë reduktuar stokun e detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2020. Ndërkohë, Bashkia e Kavajës me vështirësi serioze financiare, apo bashkitë me vështirësi financiare si Dimal e Kukës kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për përmirësim të statusit të vështirësisë financiare gjatë vitit 2020, kjo referuar shpenzimeve vjetore të miratuara.

Cilat bashki rritën borxhin në vitin 2020?

Ndërkohë, 20 bashki kanë pësuar rritje të stokut të detyrimeve gjatë vitit 2020. Situata financiare është përkeqësuar për bashkitë e Lezhës dhe e Roskovecit duke u klasifikuar si bashki në vështirësi financiare në fund të vitit 2020, ndërsa bashkia e Divjakës klasifikohet për herë të parë si një bashki me probleme financiare. Në këto 20 bashki, për nëntë prej tyre, stoku i detyrimeve është rritur me deri 5% dhe për 5 bashki stoku është rritur nga 5%-10%.

 

Stoku i detyrimeve financiare është rritur më shumë se 10% për gjashtë bashki. Statusi i vështirësisë financiare është përkeqësuar shumë për pesë bashki, nga bashki pa probleme financiare në bashki me probleme financiare si Delvina dhe në vështirësi financiare, si Kuçova, Belshi, Këlcyra.

 

Në përfundim të këtij raporti, grupi i punës ka ngritur dhe disa shqetësime, duke dhënë rekomandimet përkatëse si për bashkitë, ashtu edhe për institucionet e qeverisjes qendrore. “Nga përpunimi i të dhënave të raportuara vihen re raportime të pashoqëruara me analizën dhe trajtimin e riskut të krijimit/shtimit të detyrimeve të prapambetura. Është e domosdoshme trajnimi i bashkive mbi rëndësinë e dorëzimit të informacionit në kohë dhe me saktësi. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të përcaktojë qëndrimin e saj sipas përgjegjësive që i jep ligji, të miratojë politika mbështetëse për secilën nga bashkitë me probleme financiare, apo të parashtrojë rekomandime të dedikuara lidhur me mundësinë e uljes së nivelit të detyrimeve të prapambetura nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit financiar, vetëm nëse bashkitë dërgojnë raporte të plota (jo vetëm tabelare) me analizë të thelluar të riskut”, rekomandohet në përfundim të studimit.

Po ashtu, rekomandohet që të gjitha bashkitë e vendit të ndërtojnë dhe miratojnë deri në fund të vitit 2021 planin e detajuar të menaxhimit të riskut të krijimit/shtimit të detyrimeve të prapambetura dhe të raportojnë mbi bazën e këtij plani sipas kërkesave të listuara më sipër.

Një pikë e veçantë rekomandimi është kryerja e një investigimi më të thelluar dhe monitorim i vazhdueshëm në bashkitë Vorë, Këlcyrë dhe Kavajë, të cilat kanë një përkeqësim të theksuar të situatës financiare. “Me qëllim e parashtrimin e rekomandimeve për një ulje të detyrimeve të prapambetura dhe për menaxhim më të mirë financiar, lind e domosdoshme që në vijim të mblidhet informacion përshkrimor nga bashkitë, si në rastin e përmirësimit të statusit të vështirësisë në p.sh bashkitë e Kavajës, Dimalit apo Kukësit, ashtu edhe në rastin e përkeqësimit të statusit në bashkitë e Vorës, Këlcyrës, Kuçovës dhe Belshit”, deklarohet në raportin e përgatitur në kuadër të projektit Financat Lokale.

  1. Gilaj/Porta Vendore