Vendi drejt greminës, oligarkët pasurohen, populli varfërohet

432
Sigal

Raporti i Komitetit të Energjisë: Shqiptarët i paguajnë dritat 63% më shtrenjtë europianët. Ujsjellësit po falimentojnë, shkak punësimi i qindra militantëve partiak. Mungojnë specialistët, mbizotrojnë zyrtarë me kollare.KLSH: Arkës së shtetit i mungojnë 90 miliard lekë nga shkeljet e ligjit për buxhetin.

 

Dritat, shqiptarët i pagujnë 63 % më shtrenjtë se vendet e BE-së

Në faturën e energjisë, një familje nuk paguan vetëm energjinë elektrike që merr, por edhe kosto të tjera si rrjeti transmetimit, shpërndarjes, kosto operative të kompanive publike.

Një raport i Komunitetit të Energjisë nënvizon se Shqipëria paguan më shtrenjtë se të gjitha vendet e marra në analizë, pjesën e sigurimit të sasisë së energjisë që duhet për konsum. Ndërsa në kosto rrjeti disi më pak.

“Në vendet e marra në analizë, pjesë e Komunitetit të Energjisë, ka ndryshime sa i takon pjesëve përbërëse në një fature energjie. Pjesa e treguesit të energjisë në faturën përfundimtare ishte më e lartë në Shqipëri me 63% për qind dhe më e ulëta në Serbi me 34%, ndërsa pjesa e kostove të rrjetit në çmimin e përgjithshëm të energjisë elektrike, për familjarët ishte mes 20% për Shqipërinë dhe 49% për Kosovën”,- thuhet në raport.

I njëjti, analizon edhe kostot e energjisë për konsumatorët e biznesit, duke nënvizuar se në Shqipëri ata kanë paguar sërish më shtrenjtë.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2017, në shumicën e vendeve që janë në Komunitetin e Energjisë u vu re ulje e çmimeve për konsumatorët industrialë. Gjithsesi, ky trend u përmbys me një rritje të çmimeve në vitin 2018 dhe 2019 sipas të dhënave të regjistruara. Rritja më e lartë e vitit të kaluar u regjistrua në Malin e Zi me 16.6%, ku çmimet kaluan nga 5.36 eurocent/kwh  në 2018,  në 6,25 euro cent/ kwh në 2019.

Çmimet më të ulëta të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike industriale ishin në Gjeorgji me 5.89 euro cent / kwh, ndërsa çmimi më i lartë industrial u raportua në Shqipëri (12.48 euro cent / kwh). (Për Shqipërinë rapori i referohet të dhënave të Eurostat dhe nënvizon se ky është një vlerësim dhe jo një shifër e saktë).

Në vitin 2019, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët industrialë të energjisë elektrike industriale, vendet e BE-së, anëtare të Komunitetit të Energjisë ishin sa 65% e çmimeve mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike industriale në vendet anëtare të BE-së” -thuhet në raport.

Lidhur me bizneset Shqipëria prej disa vitesh po zbaton tashmë pjesën e liberalizimit të tregut ku deri më tani është bërë e mundur nxjerrja në treg të lirë e konsumatorëve të lidhur në tension 35 kv, ndërkohë që gradualisht do të bëhet nxjerrja e konsumatorëve 20 kv dhe 10 e 6 kv.

Ujësjellësit  drejt falimentimit punësojnë militantë

 Bien të ardhurat e ujësjellësit në Tiranë e Durrës

Ujësjellësit arkëtuan 78 milionë euro në 2019

Ujësjellësit në të gjithë vendin, në total 57 shoqëri, arkëtuan në viti 2019 mbi 9.7 miliardë lekë apo rreth 78 milionë euro.

Të dhënat e bilanceve që kanë raportuar këto shoqëri nxjerrin edhe situatën e përgjithshme të sektorit,  ku ende një pjesë e mirë e tyre, nuk arrijnë të sigurojnë dot operimin të vetme dhe kanë nevojë për mbështetje buxhetore.

Sipas Entit Rregullator të Ujit, disa prej ujësjellësve kanë pasur në vitin 2019 një rënie të të ardhurave. Këtë ERRU e lidh me situatën e tërmetit të vitit të shkuar pasi ujësjellësit që kanë pasur rënie të të ardhurave janë pikërisht ai i Tiranës, Durrësit, Kamzës dhe Lezhës.

“Gjatë vitit 2019 janë realizuar 9 763.5 milion lekë të ardhura, por krahasuar me vitin paraardhës të ardhurat nga aktiviteti janë ulur me 35.7 milionë lekë. Të ardhurat nga aktiviteti kanë mbetur pothuajse konstante, por janë ulur me rreth 30% të ardhurat nga subvencionet. Të ardhurat kanë pësuar rënie të konsiderueshme në shoqëritë e mëdha (Grupi I-rë)1 me 133 milion lekë, veçanërisht në shoqëritë UK, Tiranë, Durrës, Kamëz dhe Lezhë, ku rënia e të ardhurave ka ardhur si pasojë e dy tërmeteve që goditen këto qytete, ku praktikisht një pjesë e mirë e konsumatorëve nuk u faturua sidomos për dy muajt e fundit të vitit”,- vlerëson ERRU.

Ndërkohë, rënien e ujësjellësve që janë në grupin e parë, duket se e ka kompensuar situata më e mirë e të ardhurave në ujësjellësit e grupit të dytë, pasi këto rezultuan me plus 135 milionë lekë të ardhura të realizuara ku veçohen shoqëritë, Gjirokastër, Cërrik, Dibër, Librazhd, Dropull dhe Malësi e Madhe.

ERRU merr në vlerësim disa prej shkaqeve që kanë çuar në përkeqësim të bilancit të shoqërive të ujësjellësve që nisin nga ulja e subvencioneve tek rritja e kostos së energjisë dhe shërbimeve të nënkontraktura.

“Në të ardhurat negativisht ka influencuar gjithashtu zvogëlimi i shumës së subvencioneve të akorduara nga buxheti me rreth 300 milion lekë më pak krahasuar me një vit më parë. Në përkeqësimin e gjendjes së tablosë së përgjithshme të sektorit krahasuar me një vit më parë, ka influencuar edhe rritja e kostove, përkatësisht për kostot e O&M nga rritja e zërave të kostove të energjisë, të materialeve dhe të shërbimeve të nënkontraktuara. Rritjet e kostove kanë ardhur kryesisht nga shtimi në zonën e shërbimit të ujësjellësve të zonave rurale, ndërsa kostot totale janë rritur nga zërat, amortizimi  i aseteve dhe interesat e kredive”,- thuhet në raport.

ERRU, “ujë të ftohtë” shoqërive: Punonjësit e ujësjellës–kanalizimeve  s’janë të kualifikuar

Sektori i ujësjellës–kanalizimeve vazhdon të karakterizohet nga punësime me baza militantizimi partiak dhe jo mbi baza të nevojave reale të shoqërive për shtesë stafi dhe sipas kualifikimeve të duhura”. Problematika vihet në pah nga Bilanci i Ujit për vitin 2019, i publikuar së fundmi nga Enti Rregullator i Ujit, duke nxjerrë në pah se treguesi për eficencën e stafit në këto shoqëri krijon kosto të larta e të panevojshme.

Sipas raportit, eficenca e stafit përfaqëson numrin e stafit të shoqërisë për 1000 lidhje, teksa gjatë vitit 2019 numri total i punonjësve në sektorin UK është rritur me 336. Treguesi i performancës së Eficencës së Stafit për vitin 2019,  është mesatarisht 5,33 staf/1000 lidhje UK, me një përmirësim të vogël prej (0.2 staf/1000 lidhje UK), por që akoma qëndron larg nivelit të kërkuar. Raporti vlerëson se ujësjellësit operojnë me një numër të lartë punonjësish, që në mjaft raste nuk përputhen me kërkesat dhe përshkrimet e vendit të punës.

Vetëm disa shoqëri, si ajo e  Korçës, Tiranës,  Kamëz, Sarandës, Berat, Kuçovës apo Lezhë, plotësojnë kushtin ku eficenca e stafit është në nivele bashkëkohore. Sipas Bilancit të Ujit, “Uji Pa të Ardhura” rezulton në nivelin 63.82%, me tendencë të lehtë përmirësimi krahasuar me vitin 2018. Ndërkaq, rreth 63% e ujit që prodhohet humbet në rrjet, ndërsa humbjet administrative përbëjnë 54% të humbjeve të përgjithshme, gjë që tregon mbi domosdoshmërinë imediate të përmirësimit të menaxhimit nga stafi i ujësjellësve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit: 8 miliardë lekë do arkëtoheshin në arkën e shtetit nëse njësitë publike do faturonin në mënyrë korrekte

Shkeljet e ligjit të Buxhetit, baraz me 65 milionë euro gjoba

Nëse do të ishin aplikuar gjoba aq herë sa nuk është respektuar ligji i buxhetit do të ishin arkëtuar 8 miliardë lekë ose 65 milionë euro në arkën e shtetit, përllogarit Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Vala e shkeljeve është aq e madhe sa, përfshin të gjitha njësitë publike të cilat faturojnë dhe kryejnë pagesa nga taksat e mbledhura pa respektuar afatet ligjore siç e parashikojnë ligjet në fuqi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit duke audituar zbatimin e buxhetit të vitit 2019, në raportin e posaçëm që ka dërguar në Kuvend ka vërejtur se në 26,561 raste faturat të dorëzuara në thesar jashtë afatit 30 ditor nga 748 njësi buxhetore me ndikim rritjen e stokut të detyrimeve të prapambetura.

Fenomeni mbetet material dhe i përhapur në të gjithë sistemin buxhetor veçanërisht në njësitë e qeverisjes vendore me 14,663 raste ose 55% e totalit të vonesave.

Gjetje të ngjashme si Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar edhe Drejtoria e përgjithshme e Auditimit në Ministrinë e Financave, e cila për të njëjtin vit buxhetor (2019) ka zbuluar se mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ).

KLSH referon se kur një faturë nuk dorëzohet në kohë në thesar, nëpunësi autorizues i saj duhet të gjobitet me 3 rroga mujore. Duke ju referuar numrit të shkeljeve, KLSH vëren se do të ishin vjelur për llogari të buxhetit rreth 8 miliardë lekë.

KLSH konstaton se një përgjegjëse në entet publike nuk kanë ndërmarrë masa administrative ndaj punonjësve të njësive buxhetore për shkeljet e ligjit të menaxhimit të sistemit buxhetor të raportuara nga Drejtoritë e Përgjithshme të Thesarit, të vlerësuara në të paktën 79,6 miliardë lekë, por është mjaftuar vetëm me shkresa “tërheqje vëmendje”.

KLSH, ka konstatuar numër shumë të lartë të faturave dhe kontratave të regjistruara me vonesë, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejte në krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Referuar nenit 71, germa (f dhe gj) të Ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nëpunësi i parë autorizues vendos gjobë, në masën nga 1 deri në 3 paga mujore (për regjistrimin me vonesë të kontratave) dhe 3 deri 7 paga për moszbatim të afateve të dorëzimit të urdhërshpenzimit. Por edhe kjo pjesë e ligjit sipas KLSH nuk është zbatuar.

 

Deficiti buxhetor 0.4 pikë përqindje më i lartë se deklarohet

Për të tretin vit radhazi Kontrolli i Lartë i Shtetit pretendon se qeveria po raporton treguesin e deficitit buxhetor në vlerë më të ulët se sa realiteti.

Deficitit faktik i raportuar nga Ministria e Financave paraqitet në 1.87% të PBB-se (-31 miliardë lekë). Por raporti i Kontrollit të lartë të Shtetit për Zbatimin e buxhetit në vitin 2019 thekson se, deficiti buxhetor për njëjtën periudhe është 0.4 për qind të PBB më i lartë pra 2,27 % e PBB-së, pasi nuk është përllogaritur mbulimi i humbjeve nga rivlerësimi i rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë prej 6.8 miliard lekësh.

Ky nënvlerësim nga mos emetimi dhe mos raportimi jep të njëjtin efekt nënvlerësues në stokun e borxhit publik të raportuar në fund të vitit 2019, vë në dukje KLSH.

Si konkluzion, KLSH thekson se, raportimi i zërave në pasqyrën e konsoliduar të treguesve fiskalë, vijon të mbetet formal duke mos reflektuar saktë dhe në mënyrë të plotë nivelin real të shpenzimeve buxhetore dhe si pasojë edhe deficiti vjetor, i cili sipas KLSH, bazuar në një vlerësim të kujdesshëm, për vitin 2019, arrin në 2.27% të PBB-së. /B.Hoxha