Ulet çmimi i shitjes së energjisë MEI: Balancim i drejtë i interesave

658
Sigal

TIRANE – Ministria e Energjisë, përmes një komunikate për shtyp ka reaguar në lidhje me kundërshtimin e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, lidhur me uljen e çmimit të blerjes së energjisë nga këta të fundit.

Sipas Ministrisë ndryshimet e bëra synojnë rregullimin dhe balancimin e drejtë të interesave të palëve në marrëdhënien kontraktore ndërmjet prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe operatorit të energjisë, të ngarkuar me detyrimin për të blerë energjinë e prodhuar prej tyre.

I vetmi ndryshim sqaron MEI ka të bëjë me metodologjinë mbi bazën e së cilës, më pas, do të jetë Enti Rregullator i Energjisë ai që do të përllogarisë çmimin e energjisë që prodhuesit do t’i shesin operatorit përkatës të ngarkuar me një detyrim të tillë.

Ministria e Energjisë thekson se vendimmarrjet e marra kanë ardhur si rezultat i konsultimeve të bëra me biznesin dhe që kanë në qendër vijimin e reformës së ndërmarrë në sektorin e energjisë, që ka të bëjë me rimëkëmbjen e tij si dhe shlyerjen e borxheve të prapambetura.

“Ministria e Energjisë dhe Industrisë siguron se vendimmarrjet e saja në kuadër të reformës në sektorin energjitik janë konsultuar dhe vazhdojnë të konsultohen me grupet e interesit. Tryezat në funksion të këtyre konsultimeve kanë qenë publike. Vendimmarrjet synojnë rritjen e likuiditetit në sektor, çka që do të bënte të mundur edhe shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj prodhuesve private. Qeveria është angazhuar seriozisht për të nisur menjëherë shlyerjen e këtyre borxheve të prapambetura dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.” theksohet në komunikatën e MEI

MEI: Tarifat aktuale kanë krijuar barrë për KESH
Më tej Ministria sqaron se tarifat aktuale të miratuara si dhe në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë, ka bërë që të krijohet një barrë në KESH dhe automatikisht në buxhetin e shtetit. Sipas MEI kjo është edhe një ndër arsyet që KESH ka kërkuar nga ERE rritjen e çmimit të energjisë.

“Ministria e Energjisë sqaron se tarifat aktuale të energjisë elektrike të miratuara prej Entit Rregullator të Energjisë marrin parasysh vetëm deri 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla. Në total, janë firmosur nga qeveria e mëparshme 164 kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 hidrocentraleve. Aktualisht, prodhimi i HEC-eve të vogla ka arritur në 748 mijë megavat për 2014 dhe pritet rritja e mëtejshme në 920 mijë megavat në 2015. Në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë, barra në kurriz të KESH-it, që indirekt është barrë për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit, do të shtohej në mënyrë të konsiderueshme duke imponuar rritjen e çmimit fundor të energjisë për qytetarët shqiptarë.Nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kë/h, kap shifrën e 32.6 milion eurove. Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet të kapë shifrën 39.7 milion euro me tendencë rritëse vit pas viti. Kjo kosto e re e pareflektuar dhe borxhet e akumuluara ndër vite janë arsyet se përse Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të tarifës së shitjes së energjisë nga 2.2 lekë/kilovat në 3.4 lekë/kilovat.” shprehet MEI

MEI: Rimëkëmbim energjinë, liberalizojmë tregun në masën 40%
Kjo është arsyeja siç nënvizon ministria që ka bërë që të merret nisma për të ndryshuar llogaritjen e çmimit të blerjes me qëllim për të mos rënduar konsumatorin me kosto të tepërta, si dhe për të mbajtur çmime të qëndrueshme të energjisë.

Po ashtu theksohet se të gjitha këto janë në përputhje me planin e parashikuar nga qeveria, për të bërë që të ketë efekte pozitive në sektorin energjetik, si dhe hapjen e tregut të energjisë në masën 40%.

“Duke qenë e vendosur për të mos rënduar konsumatorin shqiptar me kosto të tepërta dhe për të mbajtur çmime të qëndrueshme të energjisë, qeveria ka vendosur të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit të blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël duke e përafruar atë me çmimet reale të tregut. Rishikimi i kësaj metodologjie do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjës së energjisë për KESH sh.a, në vlerën rreth 2.3 miliardë lekë (për vitin 2015), gjë e cila do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët shqiptare, duke mos shkaktuar kështu një deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrikë. Çmojmë se ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së cmimit, do të nxisë edhe prodhuesit e vegjël që tashmë të mos qëndrojnë të lidhur me këto kontrata shumëvjecare të nënshkruara me cmime të rregulluara, por të dalin në treg të hapur, ku mund të negociojnë lirisht cmimet e tyre, sipas marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe që mund të bëjnë me operatorë të tjerë të tregut, apo konsumatorët e energjisë elektrike. Kjo përkon edhe me vendimin e qeverisë për të hapur tregun e energjisë elektrike deri në masën 40% brenda vitit 2018.” thuhet në komunikatë.

MEI shprehet se sipas metodologjisë së sotme, baza e përcaktimit të çmimit referohet tek çmimi mesatar i importit të realizuar në vitin paraardhës nga operatorët publikë të detyruar për blerjen e energjisë, që shpesh nuk pasqyron realitetin, ku referimi në çmimin e energjisë së importuar nuk është konsistent për shkak të sasive të ndryshme që blejnë KESH dhe OSHEE në varësi të nivelit të humbjeve, kushteve hidrike të vendit.

Në vijim të komunikatës thuhet se nisur nga fakti që nder bursat e shkëmbimit të energjisë elektrike, ajo e Hungarisë konsiderohet më përfaqësuese dhe likuide, i shërben gjithë rajonit të Europës Juglindore, ku cmimi përcaktohet mbi baza faktike të kërkesë-ofertës së energjisë së kontraktuar dhe mjaft përfaqësues për tregun e energjisë në rajon, metodologjia e re do të marrë parasysh këtë bazë.

Dhe ndërsa në çmimin e importit të energjisë së kontraktuar përfshihen kostot e kapaciteteve përkatëse deri në kufirin shqiptar, që rrisin çmimin final me të paktën 3-4 Euro për Mëh, energjia e furnizuar nga HEC-et e vegjël nuk mbart kosto të kapaciteteve ndërkufitare, pasi janë të lidhur direkt në sistemin e transmetimit apo shpërndarjes.
MEI reagoi sot pasi investitorët vendas dhe të huaj, të grupuar në Shoqatën për Energjinë e Rinovueshme (AREA) kundërshtuar në një konferencë për shtyp vendimin e qeverisë për uljen e çmimit të blerjes së energjisë tek ta.