Taksa e pronës, “gjoba” e re për qytetarët

1491
Të gjitha detajet për projektin e Financave. Rritja e pagesave do të jetë 40-50 %, ndërsa kategori të caktuara do të paguajnë 2-3 herë më shumë
Ministria e Financave ka hartuar ndryshimet ligjore për taksën e pronës dhe prej vitit të ardhshëm shqiptarët do të paguajnë më tepër për shtëpitë ku jetojnë. Rritja parashikohet të arrijë mesatarisht në rreth 40-50 % të vlerës aktuale, ndërsa mund të “shpëtojnë” me një “gjobë” më të lehtë ata që jetojnë në periferi të qyteteve. Rëndesa e pagesave do të shkojë për ata që kanë blerë apartamente në një pallat të ri apo që jetojnë në zona me kërkesë të lartë. Kjo pjesë e qytetarëve mund të detyrohet të paguajë edhe 2 apo 3 herë më tepër nga sa paguan aktualisht. Rritja e pagesave për qytetarët do të vijë për faktin se ndryshimi i propozuar nga Ministria e Financave parashikon që taksa e pronës do të paguhet mbi vlerën reale të tregut dhe jo më si një tarifë fikse mbi sipërfaqen e zotëruar. Për vitin 2018, masa e re e taksës do të nisë të mblidhet fillimisht në bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare. Më saktë, vlera e taksës që do të paguajnë qytetarët për shtëpitë që zotërojnë do të dalë si përllogaritje e kombinuar e çmimit të tregut për metër katror të zonës ku ndodhet banesa. Nga ana tjetër, pavarësisht diskutimeve, Ministria e Financave ka deklaruar se nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpinë e dytë të zotëruar nga qytetarët. Megjithatë që taksa e re të zbatohet është i nevojshëm përfundimi i kadastrës fiskale dhe projekti fillimisht do të nisë më 1 janar, si pilot për bashkitë Tiranë, Fier, Durrës dhe Korçë. 

Vlerat
Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur se parashikimet janë që rritja për individët do të variojë nga 30-50% të shumës që paguhet sot, ndërsa për godinat në periferi ndryshimi do të jetë më i vogël. Ndërkohë, në varësi të zonës ku ndodhen, bizneset, që aktualisht paguajnë një tatim të lartë, do të kenë një taksë më të zbutur vitin e ardhshëm. Në diskutimet e bëra në Ministrinë e Financave është vendosur që taksa e ri do të variojë nga 0.076%, 0.1% dhe 0.114% të vlerës së pronës. Vendimi final për këtë do të merret nga qeveria në momentin e miratimit të paketës fiskale dhe më pas gjatë diskutimit në Kuvend. Në të treja variantet, zotëruesi i një shtëpie me sipërfaqe 100 metër katror dhe që kushton 100 mijë euro (pra 1 mijë euro për metër katror, me çmimin e tregut) do të paguajë 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit. Aktualisht një apartament i tillë në Tiranë paguan rreth 23 euro, po aq sa një i ngjashëm me të për nga madhësia, por më i ulët në vlerë, pasi është në zonë periferike. Taksa e re e pasurisë do të ndryshojë edhe për bashkitë e tjera. Për sa u përket bizneseve, një dyqan 100 metër katror një kryeqytet paguan sot rreth 300 euro tatim pasurie, i cili është 10 herë më i lartë se ai i individëve. Por Ministria e Financave parashikon, që në bazë edhe të diskutimeve me FMN-në, taksimi i bizneseve të bëhet në mënyrë të drejtë dhe në bazë të vlerës së qirasë që ato japin.

Për vitin e ardhshëm nga taksa e pronës, qeveria parashikon të mbledhë rreth 25-30 milionë euro më shumë, për të arritur në nivelin 0.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa, sipas deklarimeve të ministrit Arben Ahmetaj, në vitet e tjera, të ardhurat nga tatimi i pasurisë llogaritet të arrijnë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 100 milionë euro gjithsej. Edhe vitin e ardhshëm qeveria nuk parashikon të nisë aplikimin e taksës së pasurisë në tokën bujqësore.

Kush paguan
Subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme janë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarët e ndërtesave apo tokës bujqësore në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të kësaj pasurie. Përjashtohen rastet e përcaktuara ndryshe në ligj. Pronari ose bashkëpronarët janë të detyruar të paguajnë taksën mbi pasurinë e paluajtshme, në bazë të përqindjes së pronës në posedim. Aktualisht baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit (vendi) në metra katrorë të ndërtimit apo pjesë të tij, mbi dhe nën nivelin e tokës, dhe sipërfaqja e çdo kati. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit vlerësohet në bazë të dokumenteve që vërtetojnë një pasuri të tillë. 
Sa paguhet aktualisht 
Kategoritë minimale të ndërtesës, për efekt të bazës së tatueshme janë:
Zona 1
Tiranë
Durrës
Zona 2
Vlorë
Fier
Sarandë
Pogradec
Korçë
Elbasan
Berat
Lushnjë
Gjirokastër
Shkodër
Kavajë
Lezhë
Zona 3
Të gjitha bashkitë e tjera
(Lekë/m2 në vit) Zona I Zona II Zona III
Ndërtesa banimi 
Ndërtuar para 1993 15 10 5
Ndërtuar gjatë dhe pas 1993 30 12 6
Ndërtesa të tjera
Për tregti dhe shërbime 400 300 200
Të tjera 100 60 40
Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike.
400 400 400
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Co Plan” dhe financatvendore.al, në vitin 2016, të ardhurat nga taksa e pronës në total për 61 bashkitë në vend ishte 3.9 miliardë lekë, ose rreth 29 milionë euro, me një rritje prej gati 20% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Shembull
Ministria e Financave e ka të detajuar projektin për taksën e pronës dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta. Ndryshimi është kalimi nga taksë fikse, në referencë të vlerës. Pra nëse një shtëpi i është referuar gjithmonë çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur një taksë fikse, tani do të kalohet në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. Për shembull: Shtëpia juaj nuk është 800 euro për metër katror sa mund të jetë blerë, por në fakt është 1200 euro metër/katror. Kjo vlerë del në bazë të transaksioneve, pra shit-blerjes së shtëpive në zonën ku banoni. Mbi këtë vlerë reale do të aplikohet përqindja e taksës.

Kush do ta mbledhë taksën
Qeveria po diskuton disa variante edhe për mënyrën e mbledhjes së taksës për pronën, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Varianti i parë parashikon ngritjen e një agjencie qendrore për të mbledhur taksën, në kuadër të ristrukturimit të disa agjencive e drejtorive. Megjithatë kjo do të kërkojë kohë dhe kosto shtesë. Varianti i dytë parashikon pagimin e taksës së pronës së bashku me faturën e konsumit të energjisë elektrike. Për momentin mbetet varianti më i mundshëm, por mbetet e paqartë si mund të veprohet në rast të një privatizimi të ardhshëm të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ndërsa varianti i tretë i diskutuar është që secila bashki të mbledhë taksën e pronës për territorin e saj. Por një variant i tillë mund të ulë efikasitetin e mbledhjes së taksës për shkak të aftësive të vogla administrative që zotërojnë bashkitë.
FMN mirëpriti taksën e pronës
FMN theksoi në vlerësimin e fundit për Shqipërinë se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Efikasiteti tatimor është i ulët në krahasim me vendet fqinje, duke pasqyruar pragje të larta tatimore dhe nivel të ulët të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit. Mbështetja shumë e lartë në tatime të veçanta ka çuar gjithashtu në elasticitet të ulët tatimor në raport me PBB-në. Misioni e mirëpriti zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandoi masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap tranzitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore. 
Sigal