Skandali, borxhi shtohet me miliona, kompanitë paguajnë Tvsh-në, por financat nuk u likujdojnë faturat

516
Sigal

Qeveria faturon dështimin në grumbullimin e të ardhurave tek investimet, 133 mln euro më pak në 11 mujor. Ja loja e qeverisë me Tvsh-në e bizneseve

 

Borxhi shtohet me miliona të tjera, financat u mbledhin kompanive Tvsh-në, por nuk u llikujdojnë faturat.

 

Dështimin në realizimin e të ardhurave qeveria e faturoi tërësisht tek mosrealizimi i shpenzimeve kapitale një nga zërat kryesore nëpërmjet të cilit kthen tek qytetarët taksat e grumbulluara.Sipas të dhënave zyrtare mbi treguesit fiskal të 11 mujorit, qeveria nuk e realizoi programin buxhetor të investimeve kapitale me mbi 16 miliardë lekë ose 133 milionë euro. Po në këtë periudhë nuk u grumbulluan 116 milionë euro të ardhura në raport me planin.  Gjatë periudhës janar-nëntor 2019 qeveria ka përdorur për investime kapitale 54.4 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 5 për qind ose 25 milionë euro më e ulët se 11 mujori i 2018-es, teksa në raport me planin e periudhës, mosrealizimi ishte 30 për qind.Investimet kapitale është i vetmi zë më rënie në raport edhe me vitin e kaluar teksa zërat kryesore të shpenzimeve buxhetore ishin me rritje këtë vit.Por pavarësisht mosrealizimit, shpenzimet kapitale vuajnë keqpërdorimin e lartë. Tabela e detajuar e investimeve sipas zërave që ka publikuar Ministria e Financave, tregon se një pjesë e mirë e fondeve të përdorura kanë shkuar për blerjen e orendive dhe pajisjeve, makinave dhe rikonstruksionet që normalisht janë zëra që duhet të klasifikoheshin tek shpenzimet operative.Nga të dhënat shihet se totali i shpenzimeve buxhetore, gjatë 11 mujorit 2019 u rrit me 22 miliardë lekë ose 5.4 për qind në raport me faktin e 11 mujorit 2018.  Rritje të ndjeshme shënuan shpenzimet e personelit me rreth 25 miliardë lekë më shumë ose 7.2 për qind,  të nxitura nga krijimi i disa institucioneve të reja.Rritjen më të lartë e shënuan shpenzimet për pushtetin vendor, të cilat ishin 14 % më të larta se të një viti më parë me mbi 6,3 miliardë lekë më shumë. Pushteti vendor këtë vit u shndërrua një makineri shpenzimesh kryesisht për shkak të zgjedhjeve lokale. Buxheti i vitit 2019 alokoi deri në nëntor 51,7 miliardë lekë ose rreth 51 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.Fryrja e strukturave nga transferimet e funksioneve nga pushteti qendror ne atë vendor dhe moszbatimi i reformës për shkurtimin e stafeve të ish-komunave kanë rritur ndjeshëm shpenzimet në drejtim të pagave.Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes  gjithashtu ishin 3,5 miliardë lekë ose  9.7 për qind më të larta se një vit më parë në të njëjtën periudhë.Si pasojë e ecurisë së dobët të grumbullimit te të ardhurave në fund të periudhës 11 mujore, deficiti buxhetor rezultoi 8 miliardë lekë më i lartë se i vitit që shkoi në të njëjtën periudhë. Por të grumbullimi i të ardhurave  do ishte një gropë shumë herë më e madhe  nëse financat shqiptare nuk do të kishin mbledhur si paradhënie miliarda lekë të kompanive të biznesit, firmave të ndërtimit dhe investitorëve të tjerë. Sipas burimeve nga bankat e nivelit të dytë dhe bisedave me investitorë të ndryshëm, kompanive dhe bizneseve shqiptare që kanë kryer punime, investime  apo shërbime u është kërkuar të paguajnë Tvsh-në dhe dorzojnë faturat me pretendimin se do u likuidohen paratë. Por çndodhi ? Pasi kompanitë paguan Tvsh-në dhe dorzuan faturat, qeveria vendosi mbylljen e veprimeve me buxhetin ,duke lënë me gisht në gojë qindra biznese. Të pyetur për këtë lojë të qeverisë, biznesmenë të ndryshëm deklaruan se mirë paratë e punimeve nuk na likuiduan ,por na morën pabesisht edhe paratë e Tvsh-së të cilat ne i paguam me shpresën e likuidimit të plotë të faturave. Nga ana e saj ministria e Financave dhe drejtoritë përkatse të shërbimit ku pjesën më të madhe e zë Autoriteti Rrugor , e quajnë sukses dhe deklarojnë rritje të mbledhjes së të ardhurave. Por harrojnë se është rritur borxhi ndaj shtetit dhe ndaj individëve. Në mënyrë të tërthortë ky veprim meriton hetim dhe ndëshkim nga institucionet e KLSH-së dhe të krimit ekonomiko-financiar. E nëse statistikat tregojnë se si 11 mujor gropa e borxhit arriti   133 mln euro më pak,nëse qeveria nuk do të kishte mbledhur me djallëzi edhe Tvsh-në e dhjetorit, borxhi do ishte edhe më i madh.