Shqiptarët rritën me 25% shpenzimet për mobilje dhe ulen me 19% ato për arsimin, më 2018-n

615
Sigal

Shpenzimet e familjeve shqiptare sipas zërave kryesore shënuan një ulje drastike në drejtim të edukimit dhe arsimit dhe shënuan një rritje të pazakonte për mobilim dhe mirëmbajtje të shtëpisë.

Sipas të dhënave të INSTAT nga Anketa e Buxhetit të Familjes 2018, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Familjare e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, janë 75.935 lekë.

Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2018, është 3,5 % më i lartë se në vitin 2017. Totali i shpenzimeve për konsum është 58,67 miliardë lekë në muaj për 772.664 NjEF. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017, është 2,0 %. Konsumi real është rritur me 1.5%.

Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2018, e ka shënuar grupi “Arsim”, me 19,8 %, krahasuar me vitin 2017, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në grupin “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me 25,8 %.

Shpenzimet e bëra në grupin: “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” në vitin 2018 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 25,8 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “pajisje dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të banesës”.

Shpenzimet e bëra në grupin: “Të tjera mallra dhe shërbime” kanë shënuar rritje prej 16,1 %, krahasuar me vitin 2017, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “artikuj dhe produkte për kujdes personal”.

Shpenzimet e bëra në grupin: “Komunikim” kanë regjistruar një rritje prej 11,2 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “shërbime telefonike”. Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet

Grupi: “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 33.436 lekë, i cili zë një peshë prej 44,0 % në buxhetin familjar. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte”, me 18,5 %, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 16,3 %, “bukë dhe drithëra” me 14,9 % ndjekur nga “perimet” me 13,8 % dhe “frutat” 8,5 %.

Grupi: Shpenzime për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 7.988 lekë, përbën 10,5 % të totalit të buxhetit familjar.

Grupi: “Të tjera mallra dhe shërbime”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 5.202 lekë, zë 6,9 % të buxhetit gjithsej. Peshën më të madhe brenda këtij grupi e përbëjnë shpenzimet për “artikuj dhe produkte për kujdes personal”, me 49,4 %.

Qarqet, Tirana shpenzon më shumë, Dibra më pak

Shpenzimet mesatare mujore për konsum sipas qarqeve, 2018 Në vitin 2018, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.

Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 88.691 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi me 75.744 lekë dhe Korça, me 74.319 lekë në muaj për NjEF.

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku Dibër me 58.461 dhe Elbasan, me 63.847 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Dibrës me 23,2 %, ndjekur nga qarku i Vlorës me 16,9 %. Qarqet që kanë pësuar ulje të shpenzimeve për konsum janë : Durrësi me 0,5 % dhe Lezha me 0,3 %

Në vitin 2018, numri mesatar i anëtarëve të NjEF është 3,7. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të NjEF është Kukësi me 4,3 anëtarë, ndërsa Vlora dhe Gjirokastra janë qarqet me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e NjEF, me 3,3 anëtarë.

Ngushtohet pabarazia

Shpërndarja e shpenzimeve për konsum sipas të cilave dhe raporti 10/90, 2018 Shpërndarja e nivelit të shpenzimeve për konsum sipas të cilave tregon se 90 % e NjEF-ve shpenzon 83,9 % të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 70.788 lekë në muaj. Nga ana tjetër, 10 % e NjEF-ve shpenzon 16,1 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 122.242 lekë në muaj. Shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të NjEF-ve me shpenzime më të larta janë 1,7 herë më shumë se ato të 90 % tjetër të NjEF-ve.

Konsumi për frymë i 90 % të NjEF-ve me shpenzimet më të ulta janë mesatarisht 20.294 lekë në muaj, ndërsa 10 % i NjEF-ve me shpenzimet më të larta janë mesatarisht 60.987 lekë në muaj për frymë. Raporti i decileve 10/90 është 3,0 herë më i madh, në favor të 10% të NjEF-ve. Shpenzimet mesatare për konsum të NjEF-ve tregojnë se në vitin 2018 ka pasur një ulje prej 19,6 % të shpenzimeve të 10 % të NjEF-ve me shpenzimet më të larta dhe një rritje prej 9,5 % të shpenzimeve mesatare për konsum të 90 % tjetër, në krahasim me vitin 2017.

Si rrjedhim, raporti i decileve në 2018, për këtë tregues, paraqet një ulje të pabarazisë nga 2,4 në 1,7, krahasuar me 2017.

Në 2018, NjEF-të e përbëra nga një person i vetëm, shpenzojnë më shumë për ushqim, prej 50,0 %, krahasuar me tipet e tjera. Shpenzimet më të larta për transport paraqiten në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur me fëmijë, me 7,7 %. Shpenzimet më të larta për arsim regjistrohen në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë në varësi.