Shqipëria pjesë e programit COSME akses në fondin prej 2.3 mld eurosh

799
Sigal

BRUKSEL – Shqipëria është bërë pjesë e programit COSME të Bashkimit Evropian duke pasur në këtë mënyrë akses në fondin prej 2.3 miliardë eurosh për financimin e SME-ve, program që synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Marrëveshja u nënshkrua ditën e sotme në Bruksel ndërmjet Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj dhe Komisioneres Europiane për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjen dhe SME-të Elżbieta Bieńkowska.

Pas firmosjes së Marrëveshjes, Komisionerja Bienkowska i uroi mirëseardhjen Shqipërisë në grupin e vendeve që mund të përfitojnë nga fondet e Programit COSME. Sa i përket programit dhe politikave të SME-ve, Bienkowska shtoi se programi ofron mundësi jo vetëm për financim por edhe për marrjen dhe shkëmbimit të ideve me bizneset

“Aksesi në financë mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballen SME-të. Unë dëshiroj që të përdorim mundësitë për financim që ky program ofron, në mënyrë sa më eficente për të mbështetur SME-të dhe në të njëjtën kohë, të marrim ide prej vetë bizneseve lidhur me mënyrën më të mirë për t’i promovuar ato”. tha ajo

Nga ana e tij, Ministri Ahmetaj e vlerësoi këtë si një mundësi shumë të mirë për sipërmarrjet shqiptare që të aplikojnë për rritjen e konkurrueshmërisë, inovacionit dhe zhvillimin e tyre. Sipas Ahmetaj kjo është një sfidë për shtetin shqiptar, për të thithur sa më shumë investime të huaja.

“Sot firmosëm një marrëveshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë që quhet COSME. Është një instrument financiar që Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian e kanë krijuar për të mbështetur sipërmarrjet e vogla dhe të mesme brenda Bashkimit Europian dhe jashtë tij në vendet kandidate. Rëndësia për ne është që nga fondi i cili në total arrin në 2.3 miliardë euro, sigurisht që Shqipëria ka pjesën e vet proporcionale dhe është një sfidë e drejtpërdrejtë për autoritetet shqiptare, për administratën shqiptare dhe për sipërmarrjen shqiptare që të përfitojë nga këto fonde, nga ky financim qoftë përsa i përket inovacionit, qoftë përsa i përket strukturimit të ndërmarrjeve për të përballuar një konkurrencë akoma dhe më intensive në të ardhmen dhe për të thithur atë që e quajmë “ekonomia e dijes”, në mënyrë që të kalojnë në nivelin tjetër të zhvillimit ekonomik. Është sfidë e drejtpërdrejtë për ne që të arrijmë të thithim sa më shumë fonde në ndihmë të sipërmarrjes shqiptare dhe të përgatisim sipërmarrjen shqiptare që të aplikojë suksesshëm për fondet nga ky program” u shpreh Ministri Ahmetaj

COSME është programi i BE që synon forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërinë e SME-vë, program i cili është në fuqi nga viti 2014-2020 me një buxhet prej 2.3 miliardë euro në total. Vendet mund të aplikojnë me projektet e tyre për të përfituar nga fondi i programit. Shqipëria është vendi i pestë jo-anëtar i BE-së që i bashkohet dhe kontribuon në program, pas Malit të Zi, Maqedonisë, Moldavisë dhe Turqisë.

Ahmetaj takon Danielsson: Mbështetje për reformat e ndërmarra
Më herët gjatë, Ahmetaj takoi Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian Christian Danielsson, me të cilin diskutuan për Programin Kombëtar të Reformave Ekonomike NERP, dokument të cilin Shqipëria e ka dorëzuar në Komision në 31 janar 2015 dhe që përbën planin konkret të masave që do të ndiqen në kuadër të Strategjisë për Zhvillim dhe Integrim 2020.

Ministri Ahmetaj e njohu Danielsson me zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2014, reformat e ndërmarra në sektorin energjetik, pensione, reformën administrativo-territoriale, reformën në klimën e biznesit etj.

Nga ana e tij  Danielsson përgëzoi Shqipërinë për punën shumë të mirë të bërë për përgatitjen e Programit të Reformave Ekonomike dhe garantoi mbështetjen e tij për vendin tonë në kuadër të integrimit europian. Procesi i iniciuar në Berlin me fokus konektivitetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, projektet e përbashkëta rajonale dhe roli koordinues i Shqipërisë në këtë proces ishte një pikë tjetër e rëndësishme e bisedës. Komisioni Europian ka një rol të rëndësishëm në proces sa i përket mbështetjes financiare që do të ofrojë për projektet rajonale, të cilat do të prezantohen në Konferencën e radhës që do të mbahet në Vjenë në muajin gusht.