Shqipëria më e korruptuara e Ballkanit, 13% paguajnë ryshfete

722
Sigal

Transparency International: Shqipëria, vendi më i korruptuar i Ballkanit Perëndimor

Shqiptarët paguajnë ryshfete për shërbimet publike 3 herë më shumë se Rajoni

Ryshfeti apo pagesa e parave për kryerjen e një shërbimi vijon të përdoret në masë nga ana e shqiptarëve. Qytetarët në vendin tonë paguajnë para për të marrë dhe shërbime që ofrohen falas. Shqipëria renditet si vendi që paguan më shumë ryshfete në Ballkanin Perëndimor, ku 13% e familjeve shqiptare janë shprehur se kanë paguar tarifa korrupsioni për të marrë shërbime shtetërore. Këtë shifër e ka publikuar Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, nëpërmjet Barometrit Publik të Ballkanit. Në anketën e zhvilluar, qytetarët janë pyetur, nëse ata si individë ose pjesëtarë të familjes kanë paguar ryshfete në çdolloj forme gjatë 12 muajve të fundit. 13% janë përgjigjur pozitivisht, duke pasur një diferencë të theksuar me vendin e dytë në Rajon që është Kosova (8%). Pas Kosovës renditet Bosnja me 5%, ndërsa vendet e tjera (Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut) vetëm 4%. Ndërkohë që sipas anketës, në vitin 2017, vetëm 10% e shqiptarëve ishin shprehur se kishin paguar ryshfete, gjë që tregon se fenomeni i korrupsionit në Shqipëri nuk ka ndërmend të ndalet, përkundrazi sa vjen e përkeqësohet.

Shqipëria vendi më i korruptuar i Rajonit

Korrupsioni shënoi përkeqësim gjatë vitit të kaluar edhe sipas indeksit të Transparency International, organizata udhëheqëse e shoqërisë civile që lufton korrupsionin në mbarë botën. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i rendit vendet në një shkallë nga 0 deri 100, ku vendet me pikët më të ulëta janë ato me nivel më të lartë të korrupsionit të perceptuar. Që nga viti që Shqipëria është bërë pjesë e këtij studimi, vihet re përgjithësisht një trend rritës i performancës së saj në këtë aspekt. Megjithatë, për dy vitet e fundit rezulton një përkeqësim i situatës, bazuar në uljen e pikëve, shkruan Monitor. Shqipëria ka rezultuar me 36 pikë, duke u renditur në vendin e 99-të dhe me dy pikë më pak se vitin e mëparshëm. Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet në vendin me pikët më të ulëta të CPI-së, duke rezultuar si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Vendi më pak i korruptuar pas Shqipërisë në rajon rezulton Maqedonia dhe Kosovës me 37 pikë secila. Vendi me performancën më të mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor rezulton Mali i Zi me 45 pikë, duke u renditur në vendin e 67-të.

Shqipëria renditet si vendi që paguan më shumë ryshfete në Ballkanin Perëndimor, ku 13% e familjeve shqiptare janë shprehur se kanë paguar tarifa korrupsioni për të marrë shërbime shtetërore