Shqipëri-Çeki, protokoll për bashkëpunim ekonomik, së shpejti edhe marrëveshja

743
U nënshkrua në Pragë Protokolli i Sesionit të Katërt i Grupit të Përbashkët të Punës për “Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Çeki”. Për palën shqiptare Protokolli u nënshkrua nga Brunilda Paskali, Zv/Ministrje Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për palën ceke u nënshkrua nga z. Vladimir Bartl, Zv/Ministër i Industrisë dhe Tregtisë.
Për dy ditë më radhë ekspertët e të dy palëve diskutuan në detaje mundësitë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u fokusuar në fushat e *bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, investimeve, financës dhe turizmit; *transport, infrastrukturë, energji dhe industrI si dhe në *bujqësi, mjedis dhe zhvillimin urban.
Gjithashtu u zhvillua dhe një tryezë e rrumbullakët me përfaqësuesit e grupeve të biznesit/kompanive ceke të interesuara për të investuar/bashkëpunuar me bizneset shqiptare, me temë: “Mundësi për investime dhe tregti në Shqipëri”.
Zv/ministrja Paskali dhe anëtarë të tjerë të delgacionit shqiptar bënë nje prezantim të detajuar të mundësive që ofron Shqipëria për të bërë biznes, fushat prioritare për investime, si dhe iu përgjigjën pyetjeve dhe interesit të shfaqur nga përfaqësuesit e biznesit cek.
Ambasada shqiptare në Pragë, me kontributin e saj ka ndikuar në kordinimin më të mirë dhe përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit mes MPJ dhe ministrive të linjës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Republikës Ceke.
Diplomatët e ambasadës shqiptare ndoqën të gjitha diskutimet e zhvilluara në sesionet plenare dhe grupet e punës, në të cilat iu kushtua një vëmendje e vecantë politikave implementuese në zhvillimin e sektorit privat si dhe masat e ndërmarra nga qeveritë për të siguruar rritje ekonomike në të dy vendet.
Në Protokoll ritheksohet rëndësia e Grupeve të Përbashkëta të Punës për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, që lehtëson dialogun dhe forcon bashkëpunimin në një gamë të gjerë cështjesh me interes të përbashkët.
Të dy palët riafirmuan angazhimin e tyre të plotë për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat e ekonomisë në interesin më të mirë të dy vendeve, posacërisht në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e përbashkëta direkte, konkretizuar projektet e përbashkëta në fushat e energjisë, minierave, infrastrukturës hekurudhore, menaxhimit të ujrave, bujqësisë dhe industrisë ushqimore, fusha në të cilat përvoja ceke është domethënëse.
U diskutua për nivelin aktual të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e industrisë, transportit, turizmit, energjisë si dhe në fushën e politikave fiskale dhe doganave.
U vlerësua se niveli aktual i shkëmbimeve tregtare është shumë më i ulët se se potencialet ekzistuese në të dy vendet, u theksua nevoja për të forcuar marrëdhëniet në shkëmbimet tregtare, dhe diversifikimin e shkëmbimeve tregtare. Në këtë kontekst do të punohet për të inkurajuar Dhomat e Tregtisë për të forcuar bashkëpunimin mes tyre dhe nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi.
Të dy palët konsideruan sigurinë e energjisë si një cështje të rëndësishme me prioritet të lartë, ku vendet e BE-së duhet të kontribuojnë, pasi Shqipëria, si një vend transit, ku do të kalojnë gazjellësit TAP dhe JAP në ardhmen mund të kontribuojë në sigurinë evropiane të energjisë dhe, njëkohësisht, në sajë të kapaciteteve të HEC-ve të instaluara në vend, mund të shërbejë si një faktor balancues në rajon.
Pala çeke është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në fazën e gazifikimit të vendit.
Palët ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë në infrastrukturën e transportit dhe transportin publik, të cilat kanë potenciale të larta. Pala çeke rishprehu interesin e saj për zhvillimin në të ardhmen të hekurudhave shqiptare.
Bashkëpunimi në fushën e turizmit zë një vënd të rëndësishëm në Protokoll, si një fushë me perspektivë domethënëse për të ndërtuar marrëdhënie miqësore afatgjata mes dy vendeve, sipas formulës “people to people”. Në këtë kontekst të dy palët vlerësuan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit që pritet të nënshkruhet së shpejti dhe theksuan se do të punojnë për të inkurajuar më tej bizneset në fushën e turizmit.
Sesioni i katër Grupeve të Përbashkëta të Punës për “Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Ceki” u zhvillua në një atmosferë miqësore, që reflekton dëshirën e të dy palëve për të gjetur mjetet dhe mënyrat e mundshme praktike efektive dhe të realizueshme (feasible) që mund të ndihmojnë në zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me potencialet respektive të dy vendeve./ATSH/
Sigal