Shkëlqim Cani: Këshilli Kombëtar Tatimor, institucion që ka rolin e tij të rëndësishëm

680
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi të enjten para Këshillit Kombëtar Tatimor nismë për të kontraktuar nëpërmjet tenderimit ndërkombëtar investimin privat të një platforme të re teknologjike që synon modernizimin e mbledhjes së TVSH. Ministri Cani është ndalur edhe në nevojën për bashkërendimin e forcave në luftën kundër informalitetit, si dhe në bashkëpunimin me sipërmarrjen vendase dhe të huaj për të ofruar propozime konkrete për paketën e re fiskale të vitit 2017. “Ju kam çmuar shumë, ju keni qenë një ndihmë e madhe e jashtëzakonshme dhe dua t’ju falenderoj për ndihmesën e madhe që keni dhënë, pasi shumë nga aktet që ne nxjerrim, qoftë ligjore apo nënligjore, kanë marrë vulën tuaj”, iu tha ministri Cani anëtarëve të Këshillit Kombëtar Tatimor. Duke vijuar, ministri i Financave tha se ishin disa çështje, që do të trajtonte me këtë Këshill. Ministri shpjegoi me hollësi se çfarë do të bëjë.
Ministria e Financave me platformën teknologjike për TVSH, i njohu anëtarët me studimin e fizibilitetit, termat e referencës dhe shtoi se ministria është duke pritur sugjerime edhe nga ndërkombëtarët, sa i përket nismës për të kontraktuar, nëpërmjet një kontrate partneriteti publik privat, modernizimin e sistemit tatimor. Më pas z. Cani është ndaluar te diskutimi i çështjeve të informalitetit, rezultatet e operacionit të vitit që kaloi si dhe atë që do të synohet nga ministria gjatë 2016-ës. “Tani duam ta ridimensionojmë strategjinë kombëtare të antiinformalitetit për t’i dhënë atë zhvillim që ne gjykojmë për fazën e dytë”, tha ministri. Çështja e tretë, me të cilën u njohën anëtarët e Këshillit Kombëtar Tatimor, ishte paketa fiskale 2017. Ministri nënvizoi se anëtarët e këtij këshilli kanë qenë promotorë të mjaft mendimeve, ndaj edhe me kërkesën e Ministrisë së Financave (që muajin janar 2016) për të dhënë sugjerimet dhe propozimet për paketën fiskale 2017, duhet ta mbajnë në konsideratë.
“Duam ta kemi gati këtë paketë ligjore, në fund të korrikut, në mënyrë që deri në fund të vitit të kemi gati aktet nënligjore dhe aktet e tjerë, që biznesi ta nisë vitin e ri me paketën e re fiskale, të qartë deri në detaje”, tha ministri i Financave, duke shtuar se sa më herët të fillojmë debatet (duke premtuar që ministria e Financave të jetë shumë më transparente nga sa ka qenë), aq më shpejt do t’i tregojmë publikut se çfarë po bëjmë dhe si do të veprojmë që, nëpërmjet një paketë sa më transparente ligjore, të ruajmë ekuilibrat mes biznesit dhe publikut në fushën e administrimit të financave publike. Zëvendësministre e Financave, ka shpjeguar më pas disa detaje teknike të projekteve të ministrisë së Financave, ndërsa anëtarët e Këshillit Kombëtar Tatimor kanë pyetur dhe debatuar gjatë për çështjet e diskutuara. Këshilli Tatimor përbëhet nga 18 (tetëmbëdhjetë) anëtarë, prej të cilëve 12 (dymbëdhjetë) janë përfaqësues të tatimpaguesve dhe 6 (gjashtë) janë përfaqësues të institucioneve publike.
Sigal