Rritet ekspozimi i bankave tek borxhi i qeverisë gjatë vitit 2018

481
Sigal

Në vend që të ulin ekspozimin në borxhin e qeverisë, bankat e kanë rritur më tej gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, sistemi bankar mbajti 61.25% të borxhit të brendshëm të qeverisë me një rritje 1.16 pikë përqindje në raport me vitin 2017. Institucionet Financiare Ndërkombëtare sidomos FMN ndër vite e ka këshilluar qeverinë që të ulë mbajtjen e borxhit nga bankat tregtare. Shtrëngimi i huasë nga njëra anë dhe rritja e depozitave nga bizneset ka rritur likuiditet në banka, të cilat pa shumë alternativa investimi po dynden në blerjen e borxhit të qeverisë. Në raport me vitin 2018 shihet se gjithashtu është rritur edhe ekspozimi i Bankës së Shqipërisë, e cila zotëron 8.02% të borxhit 8.2 për qind të borxhit të qeverisë me një rritje të lehtë prej vitit të kaluar. Që nga viti 2015 BSH ka likuiditet të shtuar për shkak se bankat kanë rritur mbajtjen e cash-it në llogaritë e BSH-së. Një rregullore që funksionon që nga fillimi i vitit 2015 i penalizon bankat që transferojnë cash-in e tepërt jashtë. Individët gjithashtu kanë rritur investimet në borxhin e qeverisë. Më 2018 ato zotëruan 15.1% të totalit të borxhit të brendshëm me një rritje 0.25 % në raport me 2017. Rënia e interesave të depozitave në banka dhe mungesa e alternativave për investime e kanë bërë borxhin e qeverisë atraktiv vitet e fundit për investimin e kursimeve të qytetarëve. Vetëm institucionet financiare jo banka e ulen investimet në blerjen e borxhit të qeveritar gjatë vitit 2018 me -0.6% në raport më 2017. Portofoli i borxhit të brendshëm, megjithëse gjatë viteve të fundit është shoqëruar me një diversifikim në drejtim të institucioneve financiare (jo-banka), institucioneve jo-financiare dhe individëve, vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar. Banka e Shqipërisë, pavarësisht reduktimit të portofolit në terma relativë, vazhdon të mbajë të njëjtin volum titujsh të tregtuar në tregun primar, ndërkohë që ka rritur volumin e tregtuar në tregun sekondar për të stimuluar aktivitetin e këtij tregu. Ekspozimi i më shumë se 60 për qind të borxhit të qeverisë tek bankave e bën rifinancimin me rrisk. Sipas një analize të Ministrisë së Financave risku i rifinancimit është ndër rrisqet kryesore që mbart portofoli i borxhit të brendshëm, për shkak të nivelit relativisht të lartë të titujve që rifinancohen në periudhën afatshkurtër./Monitor