Sigal

15 projektet që ka në plan qeveria, për 2019 – 2021

Qeveria ka nisur diskutimet me grupet e interesit për planin e ri të reformave ekonomike që do të jenë busulla e saj e orientimit në tre vitet e ardhshme 2019-2021. Drafti i parë nuk duket të ketë ndonjë ndryshim të madh nga plani 2018-2020 ende në fuqi, përveçse një riorganizim reformash sipas sektorëve ku dominojnë energjia, transporti, tregtia, edukimi dhe aftësitë, punësimi dhe tregjet e punës. Nga masat e parashikuara rezulton të jetë hequr vetëm një që lidhet me politikat e industrisë jo-ushqimore dhe të jenë shtuar në mënyrë modeste masa të reja. Pjesa tjetër është një riorganizim i atyre ekzistuese, dokument pas dokumenti, duke riplanifkuar edhe një herë aktivitetet e parashikuara për secilën. Në total janë 8 shtylla kyçe me 15 masa, ku qeveria ka vendosur të fokusojë vëmendjen dhe burimet e saj.

Masa 1: Liberalizimi i mëtejshëm në tregun e energjisë

Liberalizimi i tregut të energjisë ka zënë vendin e masës së parë në dokumentin e qeverisë, ndërkohë që në planin aktual këtë vend e zë krijimi i kadastrës fiskale. Liberalizimi, një proces i sanksionuar në kuadrin ligjor prej vitesh, nisi zbatimin e plotë në shkurt të këtij viti kur në tregun e lirë dolën bizneset e para të lidhur në 35 KV, ndërkohë që procesi do të vijojë edhe më tej me bizneset e lidhur në 20 kv, 10 dhe 6 kv. Përpos kësaj, liberalizimi përfshin edhe një sërë ndryshimesh të rëndësishme, të lidhur me kompanitë publike të sektorit. Qeveria nënvizon se liberalizimi i tregut të energjisë është një reformë nga e cila priten një seri efektesh pozitive, ku mes të tjerash përmendet edhe ulja e kostos me të cilën blejnë energjinë konsumatorët fundorë.

Masa 2: Diversifikimi i burimeve të energjisë

Kryefjalë e kësaj mase duket se është gazifikimi. Duke shfrytëzuar avantazhin që sjell përfundimi i gazsjellësit TAP në agjendën e qeverisë është përfshirë diversifikimi i burimeve të energjisë si një reformë e dytë. Ndër aktivitetet kyçe të parashikuara janë dizajnimet teknike për dy projekte gazsjellësish të rëndësishëm rajonalë, siç është IAP me një grant 2.5 milionë euro nga Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe ai ALKOGAP me Kosovën me një financim 0.3 milionë euro nga po i njëjti institucion. Në vitin 2020 parashikohet që të bëhet përgatitja e projektit teknik për lidhjen e termocentralit të Vlorës, me stacionin e kompresorëve të TAP në Fier, si dhe të bëhet përgatitja e një studimi fizibiliteti për Rezervat nëntokësore të gazit në zonën e Dumresë me një financim 0.8 milionë euro. Në vitin 2021, projekti më domethënës duket se do të jetë nisja e përgatitjes së studimit të fizibilitetit për një linjë transmetimi gazi nga Fieri në Ballsh, bazuar në konkluzionet e parastudimit të përfshirë në Masterplanin e Gazit tashmë i miratuar dhe në fuqi.

Masa 3: Rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-TIA-Tiranë

Pjesa e transportit dhe infrastrukturës nuk kanë ndryshuar kurs në prioritetet e qeverisë. Hekurudha që përshkon zemrën ekonomike të vendit Tiranë-Durrës është renditur e treta ndër masat, duke përfshirë edhe zgjatimin në aeroport sipas projektit të miratuar tashmë. Të gjithë punimet pritet që të mbyllen në vitin 2021, të paktën 30 muaj nga nisja e punimeve civile dhe hekurudha do të jetë gati për operim menjëherë.

Masa 4: Konsolidimi dhe defragmentarizimi i tokës bujqësore

Një nga ngërçet kryesore në bujqësi që lidhet me parcelizimin e lartë duket se do të kërkohet të korrigjohet në tre vitet e ardhshme duke nisur nga A-ja, që lidhet me titujt e pronësisë mbi tokën. Qeveria nënvizon se kompletimi i titujve të pronësisë pritet që të bëhet deri në fund të dhjetor 2018, ku të paktën priten më shumë se 20 mijë tituj. Masa për konsolidimin dhe defragmentarizimin do të fokusohet në disa aspekte, ku kryesori është programi “Menaxhimi i qëndrueshëm i bujqësisë”, i cili do të vazhdojë. Programi do të krijojë një Sistem të Informacionit mbi Tokën, që do të shërbejë si një instrument për realizimin e politikave për administrimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore, përdorimin, mbrojtjen, konsolidimin dhe zhvillimin e tregut të tokës. Programi do të vijoje gjatë 2019-2021.

Masa 5: Sektori i ujit dhe trajtimi i ujërave të zeza

Reforma në këtë sektor mbulon shërbimin e furnizimit dhe atë të trajtimit të ujërave të përdorur. Për të avancuar me objektivat e vendosur, qeveria ka planifikuar që në vitin 2019 të rifreskojë pjesën e masterplanit për sektorin si dhe strategjinë për përmirësimin e shërbimeve, qeverisjes dhe kontrollit të kostove. Po kështu të përmirësohet situata lidhur me trajtimin e ujerave në zonat turistike dhe të finalizojë kontratat e performancës me ujësjellësit. Në total, për 4 vite, i gjithë sektori i ujit dhe trajtimit të tij pas përdorimit llogaritet të ketë një kosto 360 milionë euro nga të cilat 80 i përkasin furnizimit dhe 280 impianteve të trajtimit.

Masa 6: Ngritja e një kadastre fiskale

Qeveria ka kaluar ngritjen e kadastrës fiskale nga masa numër 1 në 2018-2020, në masën e gjashtë në planin e ri ende draft. Aktualisht ende kadastra nuk është finalizuar, edhe pse sot kemi një drejtori të dedikuar për pasurinë dhe pronën dhe një marrëveshje efektive me suedezët për mbështetjen e procesit. Qeveria gjithsesi pranon se taksa mbi ndërtesat, sipas metodologjisë së re që ka në bazë vlerën e tregut, nuk do të jetë tërësisht efektive mbi një kadastër deri në momentin që ajo finalizohet. Aktualisht bashkitë po e vjelin atë sipas mundësisë dhe bazës aktuale që kanë. Sipas planit në vitin 2019 është parashikuar nisja dhe specifikimi (krijimi i bazës së IT-së). Kjo fazë përfshin përgatitjen e kërkesave dhe dizajnimin e sistemit. Në vitin 2020 pritet të bëhet zbatimi i taksës së pronës, bazuar në vlerën e tregut. Synohet që më shumë se 90% e ndërtesave të jenë të regjistruara deri në vitin 2020.

Masa 7: Reduktimi i barrierave rregullatorë për biznesin

Ulja e barrierave për bizneset shihet si një masë e rëndësishme në reformën për tregtinë, që ka nevojë të thellohet. Në dokumentin e qeverisë nënvizohet se nisma e derregullimit do të vijojë të zbatohet, duke parashikuar në tre vite hallka të reja. Kështu në vitin 2019 do të kemi vijimin e rikategorizimit të licencave, lejeve dhe autorizimeve që lëshohen nga institucionet qendrore (35 kategorizime licencash). Po kështu, do të bëhet eliminimi i licencave të panevojshme, që do të kërkojë ndërhyrjen në të paktën 15 ligje, si dhe do të vijojë transferimi i punës nga përballja që qytetarët kanë me administratën te përballja e institucioneve me njëri-tjetrin. Në vitin 2020, parashikohet mundësimi i dhënies online të lejeve dhe licencave, si dhe hartimi i një sistemi monitorimi për këtë proces. Në vitin 2021, synohet transferimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve nga niveli qendror tek Urdhrat e Rregulluar Profesionalë, Dhomat e Tregtisë, Universitetet, Institutet.

Masa 8: Reduktimi i burokracisë dhe rritja e efikasitetit të institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët dhe sipërmarrësit

Kjo masë, sipas qeverisë, synon që të reduktojë barrierat për qytetarët dhe bizneset në rritjen e eficencës së administratës publike përmes aksesit dhe cilësisë më të lartë, transparencës më të madhe bazuar në informacion dhe teknologjinë e komunikimit të administratës shtetërore. Në thelb të kësaj qëndron e-Albania, portal qeveritar ku bizneset dhe individët mund të marrin disa shërbime elektronike që ofrohen nga ky portal. Në mënyrë që të merret ky shërbim, secili nga subjektet e interesuara duhet që të logohet në portal. Objektivi final sipas masës së përcaktuar është që të kalohen 100% të shërbimeve, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të aplikojnë dhe të kenë akses në këto shërbime në çdo kohë dhe kudo që ndodhen. Aktivitetet e planifikuara për vitin 2019 parashikojnë: riintegrimin e shërbimeve publike, vendosjen e një platforme inventarizimi për shërbimet publike, përfshirjen e shërbimeve të tjera në platformën e-Albania, futjen e një instrumenti që tregon përshtypjet e qytetarëve. Në vitin 2020 procedurat vijojnë të mbeten në një masë të madhe të ngjashme më shërbime të reja që i shtohen portalit, ndërkohë që synohet që të rritet aftësia e stafit përmes trajnimeve, si dhe të bëhet zbatimi i Manualit të Etikës, si dhe standardizimi i procedurave manuale si dhe manualit të shërbimeve për klientin. Në vitin 2021, zgjerimi i shërbimeve të ADISA do të kalojë në të gjithë territorin në zyrat postare dhe bashki.

Masa 9: Zbatimi efektiv i Planit Kombëtar për të ulur kreditë e këqija në sistemin bankar

Ulja e kredive me probleme nisi si një plan me 12 masa të cilat qeveria në dokumentin e saj të reformave ekonomike pranon se janë realizuar në një pjesë të mirë të tyre, ndërkohë që të tjera vazhdojnë ende të jenë në proces, ose në pritje për zbatim. “Në mes të vitit 2018, Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe FMN, finalizoi atë që njihet si “Tirana Approach” që aktualisht është në diskutim me sektorin bankar. Rregullorja e re e draftuar për trajtimin jashtë gjykatës të huamarrësve në vështirësi financiare plotëson atë që është aktualisht në fuqi për Marrëveshjen mes kreditorëve dhe Marrëveshjen Kreditor-Debitor dhe do të ketë në fokus zgjidhjen e huamarrësve me kredi të këqija në disa banka dhe që kalojnë një prag të caktuar huaje. Referuar programeve të parashikuara nënvizohet se në vitin 2019 në fokus do të jetë kuadri i marrëveshjes për ristrukturimin e borxhit jashtë gjykatave. Ndërkohë që në vitin 2020 do të bëhet përmirësimi i regjistrit kapital, pjesa e dytë që lidhet me pikëzimin e kreditimit. Aktualisht për pikëzimin e kreditimit Banka e Shqipërisë po asistohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shoqata e Bankave, nga ana tjetër, do të asistohet nga një kompani konsulente për një studim fizibiliteti.

Masa 10: Mundësimi i një regjimi ligjor transparent dhe të unifikuar për investimet në vend

Investimet janë gjithmonë kryefjalë e qeverive dhe kjo ka bërë që secila të vendosë rregullat e saj për nxitjen e tyre, duke e kthyer këtë kuadër në një metamorfozë pafund. Edhe në masën 10 parashikohet një kuadër ligjor, po për investimet dhe nxitjen e tyre. Ndër aktivitetet e parashikuara për vitin 2019 është parashikuar adoptimi i një kuadri që mundëson një sistem të menaxhimit të ankesave të investitorëve një pikë e theksuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare. Po kështu, pas kalimit të kuadrit synohet që të aplikohet sistemi. Qeveria parashikon dhe rishikimin e ligjeve dhe rregulloreve që kanë mospërputhje me kërkesat e tregut, si dhe parimet e mosdiskriminimit. Në vitin 2020 synohet që të bëhet rishikimi i marrëveshjeve për investimet mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2021, ndër aktivitetet kryesore është vendosur zhvillimi i një portali rajonal për investimet që ka në fokus mundësitë dhe kërkesat rregullatore në rajon dhe që ka në bazë portalin ekzistues të investimeve rajonale mes 6 dhomave të Ballkanit Perëndimor. Synohet që Agjencia Shqiptare e Investimeve të marrë një rol më aktiv në promovimin e vendit si dhe të ndërmerren studime të thelluara për të identifikuar sektorët më me vlerë.

Masa 11: Zhvillimi i infrastrukturës broadband (me bandë të gjerë) për ekonominë digjitale

“Aplikimi i ligjit të ri dhe akteve respektive rregullatore lejon vendosjen e kuadrit të duhur për zhvillimin e rrjeteve elektronike të komunikimit me shpejtësi të lartë, duke promovuar përdorimin e përbashkët të infrastrukturës ekzistuese dhe zhvillimin fizik të asaj të re, duke ulur kostot e bashkëpunimit”. Është kjo paranteza që bën qeveria në planin e saj për masën 11, që lidhet me infrastrukturën broadband për ekonominë digjitale. Ndër të tjera, në tre vite parashikohen së pari aprovimi i një Plani Kombëtar Broadband si dhe zhvillimi i një studimi fizibiliteti për analizën kosto-përfitim për Zhvillimin e Infrastrukturës Rajonale me Bandë të Gjerë. Po kështu, vendosja e një zyre rajonale për këtë infrastrukturë si dhe shpallja i një projekti pilot për zhvillimin e kësaj infrastrukture në Zonën 1, zona turistike rurale që do të vendoset në bazë të gjetjeve të studimit të fizibilitetit. Në vitin 2021, projekti mund të zgjerohet më tej, nëse të dhënat e studimit dhe faza pilot rezulton e suksesshme.

Masa 12: Lehtësimi i tregtisë dhe arritja e një sinergjie më të madhe për zbatimin e masave të tregtisë

Kjo masë, sipas qeverisë, është në vijim dhe synon që të ketë në fokus zbatimin e një plani kombëtar me një vëmendje të veçantë tek shkëmbimi elektronik i të dhënave, zbatimi i masave parandaluese dhe bashkëpunimi më i ngushtë me sektorin privat. E gjithë kjo lidhet me tregtinë në aspektin rajonal dhe ka në bazë objektivin për mbështetjen e lehtësimit të tregtisë dhe angazhimin nën Marrëveshjen e Lehtësimit të Tregtisë të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Masa 13: Përmirësimi i cilësisë dhe mbulimit të Arsimit dhe Aftësimi Profesional, duke siguruar lidhje me tregun e punës

Në reformën që lidhet me edukimin dhe aftësinë, qeveria ka parashikuar një masë që njihet si masa 13 dhe që synon përmirësimin e cilësisë dhe mbulimit të arsimit dhe aftësimit profesional. Ndër aktivitetet e parashikuara për vitin 2019 parashikohet optimizimi i një plani në lidhje me arsimin dhe aftësimin profesional, në linjë me nevojat e zhvillimit rajonal, si dhe riorganizimi i atyre që ofrojnë këtë aftësim. Në vitin 2020 është parashikuar investimi në arsimin profesional në programe dhe infrastrukturë të dedikuar, si dhe vijimi i mëtejshëm i trajnimeve.

Masa 14: Modernizimi i shërbimit të punësimit publik dhe rritja e punësimit të grave, të rinjve

Kjo masë synon zhvillimin e politikave dhe programeve që promovojnë cilësinë e punësimit, rritjen e kërkesës për punë dhe produktivitetin. Po kështu, zhvillimin e një Modeli Kombëtar Punësimi në 36 zyrat e punësimit, nëpërmjet riorganizimit të mjediseve të punës sipas një niveli të ri shërbimi punësimi.

Masa 15: Forcimi i mbrojtjes dhe përfshirjes sociale

Në thelb është skema e ndihmës ekonomike duke synuar modernizimin e saj, nëpërmjet zbatimit të një regjistri unik dhe një formule pikëzimi. Kjo reformë synon që të kombinojë pagesat cash, si dhe shërbimet që iu jepen familjeve në nevojë në mënyrë që fëmijët e tyre të përfitojnë nga shërbimi social. Shpërndarja e sistemit të menaxhimit në 61 bashki do të mundësojë sipas planit të dhëna me bazë kombëtare duke bërë një targetim më të mirë të familjeve që janë realisht të varfra.