Rilindja në Krumë nuk e ndal hemorragjinë drejt Britanisë

958
Sigal

Rilindja Urbane e Krumës nuk e ndal hemorragjinë drejt Mbretërisë së Bashkuar

Investimet në infrastrukturën dhe godinat e banimit kanë sjellë rritjen e vlerës së apartamenteve dhe cilësisë së jetës, por në Krumë punë për të rinjtë nuk ka dhe shumica vazhdojnë të emigrojnë larg për ta ndërtuar jetën e tyre.

Shkëlzen Mala, banor i katit të pestë në pallatin nr. 3 të lagjes nr. 2 të qytezës së Krumës ndjehet komod në apartamentin e tij pas hidroizolimit të ndërtesës në saj të një investimi në kuadër të rehabilitimit të godinave nga bashkia e Hasit – pjesë e programit të Rilindjes Urbane.

Mala kishte shpenzuar jo pak për të eliminuar lagështirën në apartamentin e tij prej 110 metra katrorë; megjithatë, nuk ia kishte dalë me sukses, përpara se tarraca e godinës së amortizuar të pajisej me çati.

“Kam tentuar ta riparoj kur kam shpenzuar 200 mijë lekë të reja dhe nuk kam mundur të eliminoj lagështirën dhe pikën kur binte shi,” tha ai.

“Tashmë në të gjithë katet e pesta, por edhe në katet e tjera është hequr përfundimisht lagështia dhe pallatet tashmë kanë shpëtuar nga amortizimi i skajshëm nga lagështia, ndërkohë që vlera e apartamenteve është rritur,” shtoi Mala.

Bashkia e Hasit ka përfituar katër projekte nga Fondi i Zhvillimet të Rajoneve – dy prej të cilave janë në kuadër të rikualifikimit urban, një projekt është në kuadrin e zbatimit të eficencës së energjisë, ndërsa tjetri ka të bëjë me rehabilitimin e rrugëve në lagjen “Peka” dhe tek “Pazari i Vjetër”.

Sipas censusit të vitit 2011, Hasi ka një popullsi prej 16,790 banorësh. Po kjo shifër mendohet të jetë reduktuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit për shkak të migrimit masiv drejt Mbretërisë së Bashkuar. Sipas raporteve të medias britanike një pjesë e të rinjve që largohen nga qyteti verior rekrutohen nga bandat e trafikimit të drogës.

Vlera e projektit “Rehabilitimi i godinave, shesheve dhe qendrës së qytetit Krumë” kap shumën prej 103 milionë lekë, ndërsa të gjithë projektet e financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në bashkinë e Hasit kapin vlerë 635 milionë lekë, të barabarta me 5.1 milionë euro.

Paratë e investuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në funksion të projektit të Rilindjes Urbane, kanë transformuar godinat gri të qytetit verior duke i dhënë një pamje më të gëzueshme. Rrugët e shtruara dhe terrenet e përbashkëta të rregulluara e sistemuara, suvatimi, si dhe lyerja e pallateve me ngjyra të ndezura, duke marrë miratimin e banorëve.

“Nga 27 mijë lekë që është çmimi për m2 i përcaktuar me VKM për apartamentet në Krumë, çmimi “de facto” është 50-60 mijë lekë për m2. Një apartament 1+1 në Krumë kushton 3,5-3.8 milion lekë të reja. Ndërsa një apartament në katin e parë te pallati që ka përfituar nga projekti i eficiencës së energjisë, çmimi ka shkuar në 80 mijë USD – pasi mund të adoptohet edhe për biznes”, tha për BIRN Flamur Thaçi, nënkryetar i Bashkisë së Hasit. Sipas Thaçit në qytetin e Krumës nuk ka asnjë apartament në shitje, megjithëse ka kërkesa për të blerë apartamente.

 

Gent Cahani, një i ri nga Kruma, ka hapur një butik të specializuar për veshje për burra dhe të rinj në Lagjen nr. 2 të qytetit – lagje, e cila më së shumti ka përfituar nga projektet e Rilindjes Urbane.

“Rilindja urbane ka ndikuar për mirë për sa i përket ambientit rreth dyqanit, eliminimit të pluhurit dhe baltës, sistemin e automjeteve dhe trafikut, por edhe rritjes së vlerës së dyqanit,” tha Cahani, i cili megjithatë u ankua se “puna ka ra shumë.” “Veshjet që unë tregtoj janë kryesisht për të rinj. Të rinjtë janë larguar në emigracion. Vetëm në verë dhe për Vit të Ri kur kthehen emigrantët ka punë,” shtoi ai.

Ndryshe nga sipërmarrësi, mësuesi në pension, Hasan Sheta shprehet mjaft entuziast për sa i përket ndryshimeve që ka pësuar Kruma pas investimeve të qeverisë.

“Është përmirësuar së tepërmi mjedisi ku jetojmë, njerëzit janë kulturuar, janë disiplinuar për të mbajtur pastër ambientin,” tha Sheta. “Po nuk u krijua ambienti nuk ndryshon për mirë edhe psikologjia e njerëzve – vijëzimi dhe parkingjet kanë disiplinuar trafikun”, shtoi.

Sipas arsimtarit në pension, investimet e fundit në Has si suvatimet e pallateve, mbulesa e tyre me çati, asfaltimi i rrugëve në lagjet e qytetit, por edhe në “Pazarin e Vjetër” kanë ndikuar pozitivisht për komunitetin dhe jetën e banorëve . Megjithatë, Sheta nënvizon se biznesi është në rënie për shkak të emigrimit masiv të të rinjve, kryesisht në Angli.

Shefqet Peka është pronari i një klinike dentare në Lagjen nr.2 të Krumës dhe ndodhet në anë të rrugës. Ai e vlerëson rikualifikimin urban të qytezës, por u ankua se tashmë lulishtet nuk po mirëmbahen dhe janë drejt degradimit, ndërsa rrugët e asfaltuara po çahen nga firma të ndryshme që kryejnë punë dhe nuk i kthejnë ato në gjendjen e mëparshme.

“Pazari i Vjetër” i Krumës ka qenë i njohur në mbarë Kukësin, por edhe në Gjakovë. Tregtarët gjakovarë pas viteve 1920 të shekullit kaluar kishin çelur në Krumë bizneset e tyre – si punishte të djathit kaçkavall, ato të tharjes së kumbullave, furra buke, dyqan manifakture etj.

Në periudhën e komunizmit, në “Pazarin e Vjetër” të Krumës ishin vendosur zyrat e administratës së lokalitetit, njësitë e shërbimit tregtar si dhe dy-tre ndërtesa dykatëshe që shërbenin për strehimin e të ardhurve nga rrethet e tjera që punonin në administratën e Ndërmarrjes Bujqësore, por edhe si mësues, mjekë etj.

Ndërkohë që pas rënies së regjimit komunist, “Pazari i Vjetër” i Krumës, thuajse është shkatërruar plotësisht me përjashtim të ndërtesave ku banojnë kryesisht banorë që kanë zbritur nga zonat e thella të Hasit.

Sherif Lleshi ka zbritur nga fshati i largët Kishaj i Hasit dhe ka blerë një apartament në katin e dytë të ndërtesës dykatëshe në “Pazarin e Vjetër”. Ai është i kënaqur me asfaltimin e rrugës dhe ndriçimin e saj.

“Rruga është bërë me parametra dhe me ndriçim. Kemi shpëtuar nga balta e pluhuri. Për herë të parë pas 30 vitesh është vënë dorë në këtë rrugë. Ndërtimi i rrugës më ka shtyrë që unë të investoj në rikonstruksionin e apartamentit”, tha Sherif Lleshi.

 

Ndërsa bashkëshortja e Sherifit u ankua, se rruga është ndërtuar, por ambienti nuk po pastrohet nga ana e bashkisë. Ish-Pazari i Vjetër përshkohet nga Lumi Kruma. Para viteve ’90-të në këtë lumë rritej peshku troftë. Ndërkohë sot ky lumë është tejet i ndotur, ku për peshk as që behet fjalë.

“Persona të ndryshëm hedhin mbeturina dhe inerte në lumë. Na kanë thënë që do e pastrojmë, madje do e bëjmë si Lumbardhin e Prizrenit, por deri tani asgjë nuk kanë bërë”, tha Sanije Lleshi.

Por ka nga ata persona në Has që më shumë se për transformimin e qendrës së tyre, kanë merak emigrimin e të rinjve.

“Sheshet dhe rrugët janë ndërtuar, po nuk ka se kush qarkullon në to, pasi kanë ikur të rinjtë në emigracion. Nga 800 nxënës që kishte shkolla vitin e kaluar, sivjet ka vetëm 500 nxënës”, tha Astrit Poga, mësues në shkollën 9-vjeçare të Krumës.

Me gjithë transformimit urban të qytezës, mentaliteti i saj mbetet provincial dhe të rinjtë ankohen se do të kërkojë më shumë se boja në muret e pallateve për ta ndryshuar.

“Ka vetëm një park dhe ky është vetëm për djemtë, pasi mentaliteti na ndalon ne vajzave që të dalim xhiro dhe të shëtisim në park; kështu që kohën e lirë ne e kalojmë në shtëpitë e njëra-tjetrës dhe në shkollë në aktivitete sportive ku luajmë volejboll e basketboll në palestrën e shkollës”, tha Marigona Mazreku, nxënëse e vitit të dytë në gjimnazin “Skënderbeu” të Krumës.

“Sheshet dhe rrugët janë ndërtuar e sistemuar, por ka nevojë ende për ndërhyrje,” shtoi ajo.