Qeveria miraton tarifat shtesë për shërbimet në QKR

732
Qeveria ka shtuar tri shërbime me pagesë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Lëshimi i ekstrakteve historike, dokumentet ku janë të pasqyruara të gjitha lëvizjet në një biznes që prej datës së themelimit e deri në ditën që merret informacioni, do të jenë me pagesë që nga dita e hënë. Tri tarifat e miratuara nga qeveria janë botuar në Fletoren Zyrtare, të cilat u shtohen edhe 19 tarifave që aplikoheshin deri tani për veprimet me dokumentacionin në QKR. Tarifa aplikohet mbi bazën e fletëve që tërhiqen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe nisin nga 100 lekë deri në 1 mijë lekë. Kështu, lëshimi i ekstrakteve të historikut të veprimeve të kryera nga një subjekt, me 1 fletë deri në 20 fletë do të jetë 100 lekë; lëshimi i ekstrakteve të historikut të veprimeve të kryera nga një subjekt, me 21 fletë deri në 100 fletë do të jetë 500 lekë dhe lëshimi i ekstrakteve të historikut të veprimeve të kryera nga një subjekt, mbi 100 fletë do të jetë 1 000 lekë. Deri tani një lëshim ekstrakti për gjendjen e subjektit kushtonte vetëm 100 lekë.

Tarifat 
Qendra Kombëtare e Regjistrimit ofron 21 shërbime kundrejt pagesës, ku përfshihen edhe tarifat që hyjnë në fuqi ditën e hënë. Ndërkohë që shërbimet që ofroheshin deri tani nga QKR me pagesë ishin 18 shërbime dhe kishin tarifë fikse 100 lekë. Kështu, verifikimi i mundësisë së regjistrimit të emrit, rezervimi i emrit, transferimi i emrit të rezervuar, regjistrimi fillestar me formular-statut regjistrimi kushtonin 100 lekë. Edhe regjistrimi fillestar me statut të përgatitur nga palët, regjistrimet e tjera të detyrueshme dhe regjistrime vullnetare kushtojnë vetëm 100 lekë. Ndërsa regjistrimi me kërkesë të çdo të treti të vendimeve të autoritetit publik, (përveç atyre të bëra nga vetë subjekti) nuk ka kosto.

Regjistrimet
Aksioni kundër informalitetit, i cili nisi zbatimin në 1 shtator, ka bërë që në sportelet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të shtohen radhët e aplikuesve që kërkojnë formalizimin e biznesit të tyre. Mesatarisht çdo ditë kryhen 1000 regjistrime në sportelet e të gjithë vendit, një fluks që ka ardhur në rritje që nga dita e parë e shtatorit. Deri në datën 25 shtator janë regjistruar në QKR 14377 subjekte. Ndërkohë që vrulli më i madh i regjistrimeve ishte në 10-ditëshin e parë të muajit, kur u regjistruan 3,8 herë më shumë se në vitin 2014. Krahasuar me 9-mujorin e vitin 2014 (janar-shtator), numri i bizneseve të regjistruara në QKR i kalon 50%, duke kapur totalin e 20 370 biznese të reja. Për shkak të fluksit të madh, QKR-ja ka adresuar aplikuesit t’i drejtohen regjistrimit online, si një procedurë e thjeshtuar që kërkon më pak kohë. Regjistrimi në platformën online ofrohet nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit “e-albania”, bëhet thjeshtë dhe mund të kryhet nga individët dhe bizneset.
Sigal