Rikthehet projekti i HEC “Skavicës”, nis hartimi i studimit të fizibilitetit

454

Projekti i hidrocentralit të Skavicës është rikthyer edhe një herë në tryeza teknike për të parë mundësinë e zbatimit të tij. Korporata Elektro-energjetike Shqiptare bëri me dije se ka nisur puna për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë projekt si dhe për të bërë vlerësimin social-mjedisor të tij. Grupi i konsulentëve të grupi i konsulentëve të Konsorciumit IPF6 (Infrastructure Project Facility) me financimin e WBIF (Western Balkan Investment Frakmework) ka në fokus të tij projektin “Skavica Hydro Power Plant: Feasibility Study and ESIA. Ky grup do të përgatisë Studimin e Fizibilitetit dhe do të realizojë Vlerësimin e Ndikimit Social-Mjedisor dhe në fund të periudhës 21 mujore që të japë opsionet për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Drin. Skavica është pjesë e kaskadës së Drinit. Ai u projektua në vitet ’70 të ishte hidrocentrali i parë i kësaj kaskade para Fierzës, ndërkohë që në total në këtë kaskadë ishin projektuar pesë HEC-e. Në renditje do të ishin Skavica, Fierza, Vau i Dejës, Komani dhe Bushati. Hidrocentrali i parë dhe I fundit i kaskadës nuk gjetën zbatim. Fillimisht Skavica u planifikua që të ndërtohej me një fuqi të instaluar 350 megavat por ky variant u përgjysmua në një tjetër studim që bëri pak vite më parë kompania SOGREA e cila u zgjodh nga qeveria Berisha për të bërë studimin e varianteve më të përshtatshme për ndërtimin e këtij HEC-i. Në atë kohë projekti i zgjedhur për hidrocentralin e Skavicës parashikonte një fuqi të instaluar prej rreth 170 megavat. Madhësia e hidrocentralit, krahasuar me projektin e vjetër u ul, pasi kompania “SOGREA” dhe KESH-i kërkuan një projekt që do të merrte parasysh edhe pjesën sociale, duke minimizuar mundësitë e përmbytjeve në zonë, si dhe për të pasur një kaskadë të sigurt. Për Skavicën ka pasur interes edhe më vonë nga kompani të huaja. Në vitin 2014 përfaqësuesit e dy kompanive turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” shfaqën interes për ndërtimin e Skavicës. Në vitin 2016 do të prezantoheshin dy opsione të tjera ku njëri prej tyre parashikonte ndërtimin e dy hidrocentraleve ku i pari në 445 metra mbi nivelin e detit të quajtur Katund i Ri dhe i dyti Skavica, në kuotën 395 metra mbi nivelin e detit. Investimi për të dy HEC-et llogaritej në 348 milionë euro dhe një prodhim vjetor në rreth 649 milionë kWh./Monitor