Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Je ylli im

461
Sigal

Të thërras Yll, të thërras, jo se je i bukur,
se të bukur, të bëj vet sa herë të dua,
Yll të thërras, se pranë teje jam e lumtur,
jam bukuria që ushqen ndjenjat e tua.

S’dua t’ia di për rrudhën që kam tek balli,
për thinjën që përshkëndit nuanca pa faj,
s’dua t’ia di për veshje luksi, a zinxhir ari,
kur tek çdo qelizë e jotja, jam shpirti yt binjak.

Se unë t’i njoh huqet dhe ndjenjën e gazmuar,
prandaj në djepin e ëndrrave të përkund,
bëhem hyjni lashtësie, që të flesh mrekulluar,
bëhem dhe demon,kur të prek një thumb.

Jam e zonja t’i mjaltëzoj shprehjet e athëta,
të të ngre moralisht,kur zvarritesh përtokë,
të mbjell e korr frytet e pasioneve të zjarrta,
ta gris errësirën, kur të rri si vello mbi kokë.

Se për ty jam parfumi i ditës së trishtuar,
esenca që kundërmon mbrëmjeve të gjata,
jam brishtësia e mëngjesit, që vjen vesuar,
qielli,ku ndrin Ti, më shumë,se yjet e paqta.

S’kam frikë nga stuhitë kur sillen tërbuar,
as prej dallgës së turbullt, kur trupin ndot,
se,në thellësi të shpirtit kapiten je graduar,
ndaj varkën me zgjuarsi e ankoron në mol.