Rënia e euros zvogëlon ndjeshëm eksportet, tkurrja më e fortë që nga pandemia

51
Sigal

Tregtia e jashtme e mallrave po tkurret. Të dhënat tregojnë se eksportet vijuan rënien edhe në muajin gusht, duke sjellë më pak të ardhura për vendin. Në muajin e 8-të të vitit, eksportet kushtuan 27 milionë lekë, duke u ulur 22%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Thellimi i rënies në gusht, ka përkeqësuar ecurinë për gjithë 8-mujorin. Sipas INSTAT, në këtë 8-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me 9 % krahasuar me një vit më parë. Kjo është rënia më e thellë mujore e këtij viti dhe më e forta që nga viti 2020, kur eksportuesit vuajtën më shumë se të gjithë pasojat e pandemisë.

Të gjithë grupmallrat kanë shënuar tkurrje, me përjashtim të plastikës dhe produkteve kimike, që nuk kanë ndonjë peshë të rëndësishme në ekonomi. Materialet e ndërtimit, metalet, këpucët por dhe ushqimet e makineritë janë mallra që po krijojnë vështirësi në zinxhirin e bizneseve vendase.

Kujtojmë se këta të fundit, prej një viti kanë ngritur shqetësimin për humbjet që iu ka shkaktuar rënia e euros në kursin e këmbimit. Në muajin gusht, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, janë Italia Austria dhe SHBA. Ndërkohë, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe janë Kosova, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.