Qeveria shpërblen efektivët e FA, RENEA dhe FNSH, shuma sipas kategorive

985
Sa do të shpërblehen ushtarakët, Forcat RENEA dhe FNSH-së, pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomike, tabela për secilën kategori
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje shpërblimin e efektiveve të Forcave të Armatosura, RENEA dhe të FNSH-së. Menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, lajmin e bëri publikë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ajo tha se Qeveria u akordoi , 2917 punonjësve të Forcave të Armatosura si dhe 330 punonjësve të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe të reparteve të FNSH-së, shpërblimin financiar për angazhimin në operacione të shumta për përballimin e gjendjes së krijuar në vend, si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish. Në fjalën e saj Xhaçka tha se Forcat e Armatosura kanë qenë kurdoherë të parat, aty ku më shumë ka pasur nevojë për ta. Më tej shtoi se që prej vitit 2004 për efektivët në uniformë nuk është ndërmarrë asnjë trajtim i veçantë. “Me vendimin e sotëm, fondi prej 63 290 000 lekë do të shpërndahet në shenjë mirënjohjeje, për të gjithë ata, që u përfshinë në operacionin e jashtëzakonshëm përmes të cilit shteti përballoi një emergjencë të rrezikshme, dhe në veçanti për ata efektivë që ishin në vijën e parë të shpëtimit të jetëve.”, tha ministrja. Ajo deklaroi se në emër të Qeverisë Shqiptare siguron efektivët në uniformë, se jo vetëm janë krenarë për vajzat dhe djemtë për kontributin e tyre në shërbim të vendit e qytetarëve, por do të bëjnë ç’është e mundur për t’i shpërblyer moralisht dhe financiarisht për punën e sakrificën e tyre. “Jemi të ndërgjegjshëm, se shpërblimi i miratuar sot nuk është mjaftueshëm për sa meritojnë ushtarakët tanë, por është tregues i qartë i qasjes edhe më serioze të Qeverisë Shqiptare, ndaj Forcave të Armatosura, këtej e tutje. Ky shpërblim sot është vetëm fillimi i paketës së rritjes së trajtimin financiar të nisur në Mars të këtij viti nga Qeveria jonë, e që do të vazhdojë po ashtu me një tjetër rishikim të rëndësishëm për vitin 2019, vetëm për pagat e ushtarakëve shqiptare. Përmes reformave të ndërmarra, për forcimin e shtetit, rritjen e të ardhurave, dhe stabilitetit makro-ekonomik, do të jemi në gjendje të shlyejmë një borxh të madh moral, të akumuluar dhe të padrejtë ndaj të gjitha Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e jashtëzakonshëm, shpesh larg vëmendjes së opinionit publik, por aq shumë të vlerësuar nga: aleatët tanë në misionet e mbrojtjes kolektive në operacionet e NATO-s në Afganistan, Kosovë, Letoni, Mali apo Bosnjë – Hercegovinë, në çdo përpjekje për mbrojtjen e lirisë e vlerave të familjes së madhe të vendeve demokratike pjesë e Aleancës, e së fundmi, edhe për kontributin vetëmohues ndaj komunitetit e qytetarëve shqiptarë në ditët më të vështira.”, tha Xhaçka. 
Tabela e shpërblimit për ushtrinë dhe policinë
Personeli i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes do të shpërblehet si më poshtë:
298 Forca të armatosura, në shumën 14,900,000 lekë (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind lekë)
1 560 Forca të armatosura, në shumën 31,200,000 lekë (tridhjetë e një milionë e dyqind mijë lekë)
1 059 Forca të armatosura, në shumën 10,590,000 lekë (dhjetë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë lekë)
Shpërblimi i punonjësve të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit do të bëhet në masën 20,000 lekë/punonjës, për 330 punonjës dhe konkretisht:
Për Repartin Special “RENEA” dhe Repartet e FNSH-ve Tiranë, Fier dhe Shkodër, 70 punonjës;
për drejtorinë vendore te policisë Fier, 60 punonjës;
për drejtorinë vendore te policisë Durrës, 30 punonjës;
për drejtorinë vendore te policisë Tiranë, 30 punonjës;
për drejtorinë vendore te policisë Vlorë, 70 punonjës dhe,
për drejtorinë vendore të Kufirit Migracionit Vlorë dhe Repartin “Delta Forcë, 70 punonjës.
Sigal