Prefekti i Korçës kërkon pronat ushtarake dhe pistën e aviacionit

1258
Sigal

Spirollari: Pista e aviacionit të Korçës mund të nisë fluturimet, ish-repartet të rikontrollohen nëse ka mbetje municionesh

Prefekti i Korçës, kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes: Pista e aviacionit dhe ish-repartet ushtarake t’i kalojnë pushtetit vendor

Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, pasi pa nga afër gjendjen e ish-reparteve ushtarake që ndodhen në këtë qark: Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë, Pustec etj, iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes me kërkesën që këto objekte t’i kalojnë në pronësi pushtetit vendor, bashkive të këtij qarku, me qëllim vënien në funksionim të tyre për interesa të biznesit ose për qëllime publike. Dalja me ketë ide e prefektit Spirollari, erdhi fill pas mbërritjes së lajmit nga Leshnica e Pogradecit, ku njoftohej plagosja në dorë e një fëmije në një ish-repart ushtarak, ku ai kishte rënë në kontakt me një granatë. “U ndjeva jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë ngjarje, tha prefekti Spirollari, ndaj që në çastin e parë mendova çfarë duhet të bëjmë që të mos kemi ngjarje të tilla. Vetëm transferimi i pronësisë së tyre, drejt pushtetit vendor, i bën ato të jenë të vlefshme dhe një mundësi më shumë për komunitetin, për t’i shfrytëzuar ato në të mirë të tij”.

Ish-repartet të rikontrollohen nëse ka mbetje municionesh

Gjithashtu prefekti i Qarkut Korçë, bëri të ditur se në të njëjtën kohë i ka kërkuar Ministrisë së Mbrotjes rikontrollimin e ish-reparteve ushtarake, pasi rasti i Leshnicës tregoi se municione të mbetura mund të ketë edhe në ndërtesat e tjera të ish-depove ushtarake. Gjithashtu, ky rast na tregoi se kontrolli i kryer në ish-repartet ushtarake në vitin 1997, nuk ka qenë i plotë, ndaj lind nevoja për një rikontrollim. Jo vetëm kaq, tha prefekti, – një pjesë e ndërtesave të ushtrisë janë dëmtuar nga persona që tentojnë t’u marrin hekurin për ta shitur si skrap. Ndërtesa të tilla janë burim aksidentesh dhe fatkeqësish, qoftë për të rriturit, qoftë për fëmijët, të cilët luajnë në këto objekte. Me kalimin e tyre në pronësi të pushteit vendor, përfituese do të jenë të gjitha rrethet e qarkut, pasi ndërtesa të tilla ndodhen në gjithë terriorin e këtij rajoni, por ne e pamë të arsyeshme që një kërkesë të tillë ta bëjmë për tre apo katër reparte.

Pista e aviacionit në Korçës mund të nisë fluturimet

Në të njëjtën kërkesë, drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është përfshirë edhe fusha e Lumalasit, ose më konkretisht, pista e aviacionit, ku i kërkohet Ministrisë në fjalë, që fusha t’i kalojnë në pronësi Bashkisë së Korçës. Dhe jo vetëm kaq, sipas prefektit, njëherazi mund të fillojnë edhe fluturimet, fillimisht për qëllime turistike dhe më pas edhe për qëllime udhëtimi. Ideja e hedhur prej prefektit ka qenë e dëshiruar prej vitesh, aq më shumë që ky qytet e ka patur një linjë ajrore dhe qyteti i Korçës, përveç se ia di vlerën, ka edhe nostalgjinë e fluturimeve të dikurshme. Realizimi kësaj nisme do të shtonte edhe më tepër numrin e vizitorëve dhe turistëve, ndërsa për biznesin do të ishte një burim i mirë të ardhurash, pasi Korça frekuentohet gjatë gjithë vitit nga mijëra turistë dhe vizitorë. “Tashmë jemi në pritje të përgjigjes, tha prefekti, duke mos e fshehur kënaqësinë që do t’i jepte realizimi i një projekti të tillë. Megjithatë, duhet pritur përgjigjja, pasi fusha e aviacionit ka edhe një studim fizibiliteti, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa  Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura mund ta bërdorin fri siç është përvoja, pra bëhet fjalë një projekt “smart”.