Pandemia përgjysmon kosovarët – Me kufijtë e hapur, qershori solli dy herë më pak shtetas nga Kosova se një vit më parë

403
Sigal

Pavarësisht se kufijtë janë tërësisht të hapur mes të dyja vendeve, shtetasit nga Kosova që kanë ardhur në Shqipëri gjatë qershorit kanë qenë dy herë më pak se qershori i vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit të instat për lëvizjen e shtetasve tregojnë se, gjatë qershorit të këtij viti, ishin vetëm 109 mijë shtetasit nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar ndërkohë ishin rreth 213 mijë. Rënia është drastike, në masën 48%.

Paçka se qershori nuk përfaqëson një pjesë të rëndësishme të tortës së sezonit veror, është një sinjal i fortë se sektori i turizmit këtë vit do të vuajë shumë fluksin e ulët. Ndërkohë që do të mungojnë të huajt, dhe sidmos emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në masë, duket se edhe shqiptarët e Kosovës do të jenë më të pakët në numër.

Këta të fundit nuk kanë asnjë kufizim për të vizituar Shqipërinë, e për këtë arsye shifrat më të fundit nga instat duken të jenë alarmante. Oferta turistike duhet të jetë më joshëse në mënyrë që të mos cënohet ajo pjesë e tregut e cila ka potencial për të mos u ndikuar nga masat mbrojtëse të pandemisë, siç është mbyllja e kufijve.