Pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve – Për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët?

819
Sigal

Familjet me të ardhura të pakta shpenzimet kryesore i kanë për ushqim dhe strehim, ndërsa të pasurit për transport, restorante e arsim

Në vendin tonë fenomeni i pabarazisë midis shtresës së varfër dhe asaj të pasur është tejet I dukshëm në jetën e përditshme. Kjo diferencë vihet re në shumë aspekte që nga shpenzimet bazike e deri tek harxhimet e panevojshme apo të luksit. Sa më të ulëta janë të ardhurat e një familje, aq më pak mundësi kanë të shpenzojnë për gjëra që konsiderohen luks, pasi më e domosdoshmja është sigurimi i nevojave bazë të të ushqyerit dhe strehuarit. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, familjet që shpenzojnë pak, harxhimet e tyre kryesore i kanë për ushqim dhe strehim, me gati 74% e totalit. Pjesa tjetër e shpenzimeve të tyre shkon për nevojat e tjera si mirëmbajtje e shtëpisë dhe mobilim, rreth 5% e shpenzimeve, komunikim, shëndet, pije alkoolike dhe duhan. Ndërsa për sa i përket shpenzimeve për restorante, argëtim, kulturë dhe arsim, kanë një peshë të papërfillshme në strukturën e shpenzimeve. Por ndryshe ndodh me familjet që shpenzojnë shumë. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, familjet që i përkasin Kategorisë që shpenzojnë shumë, i kanë shpenzimet për ushqim sa 35% e totalit, ndërsa krahasuar me Kategorinë që shpenzojnë pak, kanë shpenzime më të larta për transport rreth 10.7% e totalit të shpenzimeve, për arsim 8.7%, banesë 8.4%, restorante dhe hotele 7.5%. Shpenzimet për transport për familjet që shpenzojnë shumë zënë 10.7% të totali, ndërsa për familjet me shpenzime të ulëta vetëm 1.8%. Ndryshe nga familjet me shpenzime të ulëta që preferojnë ushqimin e shtëpisë, familjet me shpenzime të larta shpenzojnë rreth 7.5% të shpenzimeve për të ngrënë jashtë, përkundrejt 1.4% që shpenzojnë familjet e klasës I. Për familjet me shpenzime të larta, shpenzimet për arsim kanë një peshë 8.7% të totalit, ndërsa në familjet me shpenzime të ulëta rreth 0.1%. Familjet me të ardhura të larta shpenzojnë më shumë edhe për veshje, ku sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, këto harxhime zunë 4.7% të totalit, për kundrejt 2.5% që zinin tek familjet e me të ardhura të pakta. Shpenzimet për Komunikim zënë një peshë më të lartë te familjet që shpenzojnë pak, sa 4.7% e totalit të shpenzimeve të tyre, ndërsa për familjet e pasura, 2.8% e totalit.