Dëmi ekonomik, KLSH kallëzim penal kreut të DAR dhe spitalit rajonal Shkodër

814
Sigal

KLSH propozon: 17 masa organizative, “Lirim nga detyra” për Drejtorin e Spitalit,  “Largim nga puna” për ish Kryetarin e Degës së Shitjes

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas mangësive të konstatuara nga auditi i kryer në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër dhe në Ministrinë e Shëndetësisë për projektin “Rehabilitimi i spitalit të Shkodrës faza-III” ka kërkuar kallëzim penal për Drejtoren e Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër dhe Drejtorin e Spitalit Rajonal Shkodër. Mbështetur në materialin e auditimit, KLSH arriti në konkluzionin se, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Spitalit Shkodër, ish Kryetari i Degës së Shitjes aktualisht Jurist pranë Degës së Shitblerjes dhe Përgjegjësi Material në Degën Hoteliere, në lidhjen dhe zbatimin e kontratave “Blerje pajisje për lavanterinë” dhe “Blerje furnitura mjekësore”, gjatë zbatimit të këtij projekti kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në shumën 5,510,400 lekë. KLSH për këtë arsye ka propozuar 17 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,510,400 lekë, 1 masë administrative dhe 5 masa disiplinore, nga të cilat 1 “Lirim nga detyra” për Drejtorin e Spitalit, 2 “Largim nga puna”, përkatësisht për ish Kryetarin e Degës së Shitjes aktualisht Jurist pranë Degës së Shitblerjes dhe për Përgjegjësin Material në Degën Hoteliere, si dhe 2 “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për një jurist në Zyrën Juridike dhe një ekonomist në Degën Hoteliere, si dhe 2 kallëzime në Prokurori. Ndërkohë, nga auditi i kryer në Drejtorinë Arsimore Rajonal në Shkodër, KLSH ka vënë re mangësi dhe shkelje në zbatimin e projektit “Reduktimi deri në zero i braktisjes së shkollës në arsimin bazë në Shkodër” me vlerë 2,857,460 lekë, me pasojë mosarritjen e qëllimit dhe rezultateve të pritshme. Madje, 10 punonjës të DAR Shkodër dhe 2 punonjës të MASH kanë përfituar honorare nga ky projekt në shumën 651,114 lekë, nga e cila Drejtore e DAR 166,680 lekë, ndërkohë që DAR ishte përfituese e projektit dhe e ngarkuar me ndjekjen e zbatimit të tij dhe Zv/Ministre e MASH 28,800 lekë. Në tenderin “Për blerjen e librave artistik për arsimin 9-vjeçar dhe arsimin e mesëm”, me fond limit 2,820,413 lekë”, të realizuar në vitin 2010, është shmangur procedura e hapur dhe është përdorur procedura me negocim pa shpallje paraprake të kontratës, shkelje që ka sjellë pasojë dëm ekonomik në vlerën 423,918 lekë. Mangësi dhe parregullsi të shumta janë konstatuar edhe në mbajtjen dhe përpilimin e listë prezencave të punonjësve; në përzgjedhjen dhe punësimin e drejtuesve të shkollave e të mësuesve nga Drejtore e Drejtorisë Arsimore, pa konkurs dhe pa zbatuar asnjë kriter të përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për sa i takon shkeljeve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës KLSH ka kërkuar ndryshimin e disa akteve nen/ligjore në fuqi, si dhe i ka rekomanduar mjaft masa me karakter organizativ, masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 4,355,000 lekë, si dhe masa disiplinore. Në tërësi, KLSH ka propozuar 17 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,510,400 lekë, 1 masë administrative dhe 5 masa disiplinore, nga të cilat 1 “Lirim nga detyra” për Drejtorin e Spitalit, 2 “Largim nga puna”, përkatësisht për ish Kryetarin e Degës së Shitjes aktualisht Jurist pranë Degës së Shitblerjes dhe për Përgjegjësin Material në Degën Hoteliere, si dhe 2 “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna”  për një jurist në Zyrën Juridike dhe një ekonomist në Degën Hoteliere, si dhe 2 kallëzime në Prokurori.