OKB: Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend për shëndetësinë

362
Sigal

OKB e shqetësuar: Nga Covid-19, rrezik për mostrajtimin e sëmundjeve të tjera

Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend për shëndetësinë dhe parashikon t’i ulë më tej

Shqipëria, jo vetëm që ka shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë nga gjithë shtetet e Europës Juglindore, por dhe në vitet e ardhshme planifikon që t’i ulë më tej ato.

Në kontekstin e situatës që po kalon e gjithë bota, nga pandemia e Covid-19, kjo shihet me shqetësim në një raport të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19. Raporti thekson dhe rrezikun që të anashkalohet trajtimi i sëmundjeve të tjera. Këtu ndikon ndër të tjera dhe fakti që një pjesë e mirë e buxhetit është riaolokuar për Covid-19 dhe është ulur vëmendja për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të tjera.

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH-sw për vitin 2020-2022,  tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin,  nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor,  është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, -thuhet në raport.

Sidoqoftë, gjatë bllokimit, një numër i shërbimeve shëndetësore  publike  janë prekur, çka mund të çojë në një “valë” të mundshme  të sëmundjeve që nuk lidhen me COVID: në nivelin e pacientëve, të gjitha shërbimet u pezulluan përveç urgjencës dhe ndjekjes / trajtimit për disa kategori të pacientëve; dhe në nivelin ambulant, kontaktet e personelit shëndetësor me pacientët u minimizuan. Raporti thekson se riaolikimi i buxhetit për COVID -19 do të ketë efekte afatgjata në shërbimet shëndetësore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, si dhe të ndikojë sektorët e tjerë: 25 milion USD u transferuan nga sektorët e tjerë, fondet nga programet specifike shëndetësore të buxhetit u zhvendosën në aktivitetet e COVID-19, dhe një sferë e kontratave shëndetësore u pezullua. Kjo përkthehet në humbje, për sa i përket diagnozës së pazbuluar, humbjeve nga mosparandalimi, humbjet nga mungesa e trajtimit të duhur, si dhe humbjeve që mund të vijnë në vitet e shëndetshme të jetës.