Nga pensionet e ulëta te vitet e punës, ja ankesat e qytetarëve

773
Sigal

Avokati i Popullit: Mbizotërojnë ankesat për masën e ulët të pensioneve të pleqërisë

Nga mosnjohja e viteve të punës te miratimi i statuseve, ja ankesat e qytetarëve për sigurimet shoqërore

Problematika që ngrihet në ankesat e qytetarëve lidhur me sigurimet shoqërore vijojnë të jenë prezente. Kjo çështje, e theksuar nga Avokati i Popullit, përfshin ankesa për masën e përfitimit të pensionit të pleqërisë, mosnjohjen e vjetërsisë në punë, mosdhënien e invaliditetit nga Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë, mospërfitimin e shtesave të pensionit të pleqërisë, mosnjohjen si periudhë sigurimi të viteve të dënimit me burg jo politik, mosmarrje përgjigje për kërkesat për rishqyrtim të pensionit të pleqërisë apo dhe të shqyrtimit të kërkesave ankimore ndaj vendimeve të Degëve te Përfitimeve pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Nga ana tjetër, përfshijnë edhe raste të ndërprerje të padrejtë të pensioneve të pleqërisë, për mosvënie në dispozicion të kopjeve të dokumentacionit të dosjes të pensionit, mosdhënien e së drejtës për të përfituar pension suplementar, etj. “Përgjithësisht nga këto ankesa, kemi evidentuar se shpesh herë ankuesit, kryesisht për mosnjohje të ligjit, nuk kanë konsumuar shkallët e ankimit administrativ në Komisionet e Apelit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore si dhe në Komisionin Qendror të Apelit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në këto raste ndihma jonë juridike ka qenë e favorshme duke i dhënë mundësinë qytetarit të qartësohet për problemin e tij, pa i hyrë proçedurave të zgjatura administrative. Këtë veprim ua kemi orientuar që ta kryejnë në një moment të dytë, në qoftëse nuk mbeten të kënaqur dhe më pas t’i drejtohen komisioneve përkatëse të Apelit. Gjithashtu nga ana e Institucionit tonë është bërë një punë jo e vogël për informimin e qytetarëve për zhvillimet e herë pas hershme lidhur me përmirësimet në ligjin nr.7703 datë 11.05.1993 ‘‘Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë’’, për ndikimet në masat e tyre të pensioneve. Kjo sepse është konstatuar fakti se shumë qytetarë kur i drejtohen Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore marrin përgjigje në mënyrë verbale dhe jo shkresore, duke mos u qartësuar për kërkesat e tyre.”- bën me dije Avokati i Popullit në një raport të fundit.

Sipas AP, çështje të shqyrtuara gjatë vitit 2018:

-Mospërfshirja e personave të aksidentuar gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në ligjin nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Pas trajtimin të bërë për këtë çështje me institucionet kompetente, Ministria e Mbrojtjes në muajin Korrik 2018 na ktheu përgjigje se do e riaktivizojë praktikën e nisur në vitin 2016, e cila parashikonte ndërhyrje në ligjin 10142/2009, me qëllim gjetjen e një zgjidhje ligjore për këtë problematikë.

-Mosdhënie e shtesës në masën e pensionit të pleqërisë të personave që janë pajisur me Dëshminë e Statusit të Punonjësit të Industrisë së Naftës dhe Gazit. Nga shqyrtimi i kësaj problematike, kemi konstatuar se mosdhënia e kësaj të drejte nga ana e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ka ardhur si pasojë e mosnxjerrjes së akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr. 8/2017 “Për Statusin e Punonjësit të Industrisë së Naftës dhe Gazit”, si dhe interpretimi i cunguar i kategorive përfituese. Pas ndërhyrjes pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për këtë çështje, në muajin Gusht 2018, u informuam se janë duke u përgatitur të gjitha procedurat e nevojshme administrative në funksion të hartimit, shqyrtimit dhe miratimit të akteve nënligjore në Këshillin e Ministrave.

– Mosmiratim i Statusit të Minatorit. Ky status kërkohet, pasi minatorët në Shqipëri jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike, masa të ulëta të pensioneve të pleqërisë, shumë prej minatorëve kanë humbur jetën në krye të detyrës dhe familja duhet të përfitojë një pension të posaçëm. Në përgjigje të kërkesës sonë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, jemi infomuar se me Urdhrin e Përbashkët nr.158 datë 28.05.2018, është ngritur një grup pune për trajtimin dhe evidentimin e problemeve me pensionet e ish-minatorëve dhe hartimin e Statusit të Minatorit. Qëllimi i këtij grupi pune është që të përcaktojë pozitën juridike, ekonomike-financiare dhe sociale, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të nëntokës, duke garantuar një trajtim të veçantë për punonjësit e profesioneve të vështira në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese.

-Një numër i konsiderueshëm ankesash, kanë patur si objekt masën e ulët të pensioneve të pleqërisë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen tonë institucionale për rillogaritjen e masave të pensioneve. Pas shqyrtimit të ankesave, u kemi rekomanduar Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, rillogaritje të masave të pensioneve të pleqërisë. Rekomandimet tona janë marrë në konsideratë, duke u bërë rillogaritjet e përkatëse të pensioneve. Disa ankues kanë përfituar rritje të masës së pensionit si dhe u janë dhënë diferencat përkatëse.

-Mbrojtja e të drejtave të emigrantëve në fushën e sigurimeve shoqërore, mbetet një detyrim ligjor për shtetin shqiptar, i cili duhet të intensifikojë përpjekjet për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe me shtetet fqinje, Itali dhe Greqi.