Michael Granoff: Shqipëria e ka vendin në Europë. SHBA-të partner strategjik i ekonomisë dhe politikës suaj

674

 Flet për “Studio e Hapur” në News 24, Michael Granoff, President i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit

    Atëherë fillojmë me projektet tuaja? Si po shkojnë projektet e Fondit?

  Fillimisht në kemi marrë 30 milionë dollarë nga taksapaguesit  amerikanë në 1995-n, të cilat i investuam. Sot kemi krijuar një vlerë mbi 200 milionë dollarë, duke e kthyer  Fondin  ndoshta në Fondin e investimit më të suksesshëm që qeveria amerikane ka bërë pas rënies së komunizmit. Investimet  kanë qenë të suksesshme jo thjesht nga lekët që kemi bërë, por nga ndryshimi që kemi krijuar mund të përmendim, disa prej tyre janë shembuj të mrekullueshëm. Një nga investimet tona me të hershme ka qenë krijimi i Bankës Amerikane të Shqipërisë, jo vetëm që doli një investim shumë i mirë po mbi të gjitha ne ishim në gjendje të transformonim sektorin bankar në Shqipëri. Ne ndihmuam Bankën Qendrore ne atë kohë për të krijuar një strukturë rregulluese për të gjithë sektorin bankar që atë ta bënin më të qëndrueshëm, më të madh dhe për të ofruar më shumë produkte financiare apo investuese ne Shqipëri. Më së fundmi ne kemi një investim në “Aleat”  në prodhimin e pasaportave biometrike. Ky për ne jo vetëm që ishte një investim i suksesshëm, por mbi të gjitha ndikuam për zgjedhje më të mira në vendin tuaj dhe ndikuam për heqjen e regjimit të vizave.

  A mund të konsiderohet partneriteti me politikën (qeveritë apo opozitat)  çelësi i partneritetit të Fondit?

Politika është sport i vështirë, çdo qeveri na ka mbështetur dhe jemi përpjekur që ti kultivojmë këto marrëdhënie, që të punojmë me qeveritë në mënyrë shumë  të respektueshme për të garantuar suksesin që të dyja palët duan të shohin. Mendoj se partneriteti që  kemi krijuar me qeveritë e ndryshme në Shqipëri ka qenë një nga kushtet kryesore për suksesin tonë në Shqipëri. Ajo që kemi bërë ne në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera tregon se si një nga çelësat e suksesit ka qenë marrëdhënia jonë e suksesshme me qeveritë. Mendoj se, jo vetëm ka qenë përcaktuese për suksesin tonë historikisht, por është pjesë e rëndësishme e asaj qe ne duam të bëjmë në të ardhmen me Fondacionin sepse kërkojmë të jetë një marrëdhënie edhe më e thellë sesa në të shkuarën.

 Çfarë do të thotë të bësh biznes në Shqipëri?

Ne mendojmë gjithmonë që ne jemi më të veçantët në botë dhe kjo është natyrë njerëzore dhe të vish të bësh biznes në Shqipëri, reagimi e parë që dëgjon është se të vish të bësh biznes në Shqipëri është shumë më e vështirë se në çdo vend tjetër të botës. Për ne të vije të bëje biznes në Shqipëri ishte njësoj si në çdo vend tjetër, që do të thotë duhet të bësh detyrat e shtëpisë mire. Tani lidhur me  çështjet e Shqipërisë  si korrupsioni, zbatimi i ligjit, ndershmëria, natyrisht ne nuk mund të ndryshonim botën apo vendin brenda një nate.

 Por mund të na tregoni si ia keni dalë më korrupsionit në biznes dhe çështjet e drejtësisë?  

Natyrisht që, ne jemi ndikuar prej tyre, është e pamundur që të mos përballesh me to kur bën biznes  dhe ne jemi munduar të bëjmë dy gjëra. E para jemi munduar që të sigurohemi të investojmë në fusha të cilat pak a shumë ofronin një farë mbrojtje nga korrupsioni, p.sh që të hynim në sistemin bankar i cili ishte shumë i rregulluar, apo tek sigurimet, ku jemi me SIGAL-in…

 

Prej kohësh po synojmë statusin e vendit kandidat në BE, besoj ndiqni zhvillimet në Shqipëri edhe në këtë drejtim, e mendoni si përgjegjësi të politikës që BE na sheh ende me dyshim?

Besoj është në interesin e Europës që Shqipërinë ta ketë pjesë të vetën të integruar dhe po ashtu është interes i Shqipërisë që të jetë pjesë e Europës. Pra kush është përgjegjës që ky boshllëk të mbyllet? Unë besoj që Komuniteti Europian ka përgjegjësinë e vetë sepse i takon që ta konsiderojë Shqipërinë në mënyrë të ndershme, të hapur dhe duhet se s’bën që ta inkurajoj integrimin e saj. Besoj shumë që komuniteti europian ka një përgjegjësi. Nga ana tjetër ka një përgjegjësi konkrete nga klasa politikë në Shqipëri qoftë kjo qeveri, qoftë opozitë, të gjithë pa përjashtim që ta shohin integrimin europian si një hap pozitiv dhe të bëjnë atë që duhet bërë për ta kapur atë.

 Zgjedhjet e 23 Qershorit sollën një qeveri të re, qeverinë e koalicionit të majtë pas 8 vitesh në opozitë. Çfarë mendoni për qeverinë?

Më pyetët më herët se kush është çelësi i suksesit të marrëdhënieve tona me qeveritë. Një ka qenë që të mos përfshihesha në politikë asnjëherë. Nuk kam eksperiencë për anën politike por mund t’ju them që Kryeministri është një mik shumë i mirë, është koleg prej shumë vitesh edhe më përpara se të bëhej Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

 Thjesht duke kërkuar në internet emri juaj i afrohet më shumë ish -Kryeministrit Sali Berisha?

 Zoti Berisha ka qenë në pushtet për 8 vjet dhe padiskutim që zhvilluam një marrëdhënie shumë të mirë me të dhe po, punuam po në të njëjtën mënyrë për shumë projekte dhe përpara tij kam punuar shumë me zotin Nano dhe të gjithë kryeministrat që kanë qenë para tyre. Meqë më pyetët Zoti Berisha ka qenë një mbështetës i fortë i programeve tona që nga dita e parë si Kryeministër deri në ditën e fundit.

 Siç thatë, keni bashkëpunuar me shumë kryeministra ju si do t’i krahasonit?

 Ka një thënie në anglisht “Njerëzit bëjnë fushatë  në poezi dhe qeverisin në prozë”, pra poezia e politikanëve tuaj besoj ma pranoni këtë është shumë ndryshe nga proza e tyre sepse e përditshmja e qeverisjes së vendit tuaj është shumë sfiduese është detyrë e vështirë.

  Ju ka pëlqyer më shumë tek Edi Rama poezia apo proza e tij?

 Në detyrën time  nga natyra unë jam më sanguin ndaj prozës sesa ndaj poezisë. Unë nuk e kam luksin e poezisë mua nuk më lejohet ai gabim kështu që më duhet proza ndaj dhe kam vendosur të mos rri në politikë por në biznes.

 Keni një opinion për Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha e keni takuar, keni filluar bashkëpunimin?

 Zoti Basha është një mik tjetër i vjetër, mbështetës i të gjithë projekteve tona  në Fond dhe Fondacion. Kemi punuar me të kur ka qenë ministër i Jashtëm, i Brendshëm dhe tani që është Kryetar i Bashkisë jemi duke punuar me një ose dy projekte. Një rol Fondi dhe Fondacioni e luan dhe këtu në Tiranë duke qenë së është kryeqytet i Shqipërisë dhe  për këtë arsye marrëdhënia jonë me Bashkinë është e rëndësishme. Kryetari Basha ka qenë një mik i yni gjatë kohës si Kryetar Bashkie dhe ne kemi nevojë të punojmë bashkë.

 Jeni shumë pranë qeverisë amerikane në mos gaboj edhe pranë stafit Obama. Keni lobuar për qeveritë shqiptare në Uashington dhe a e bëni aktualisht?

  Keni të drejtë kam pasur fatin dhe nderin që të njoh një numër presidentësh  në SHBA. Në këtë detyrë që kam jam emëruar nga Presidenti Klinton në 95 dhe kam punuar shumë me të, dhe jam përpjekur të këshilloj Zotin Obama me të njëjtin kapacitet. Diçka mbi presidentët e SHBA-ve. Nuk është se ka njerëz që hyjnë në zyrat e tyre që në këmbim nuk duan diçka. Ka një problem me Presidentët që njerëzit që janë direkt me ta dhe të ndershëm nuk janë aq të shumtë në numër sepse kanë interesa. Miqësia midis SHBA-ve dhe Shqipërisë është shumë e veçantë, shumë interesante.