Spitali i Mirditës, në rrugën e perspektivës për spital rajonal

1535
Sigal

Është fakt i pakontestueshëm që në pak muaj të ardhjes në krye të spitalit të Mirditës z. Pjetër Ndoj, janë vërejtur ndryshime thelbësore që i takojnë perspektivës së këtij spitali.

Janë pesë maunet e ardhura nga Gjermania, në adresë së spitalit të Mirditës, me aparatura teknologjike, moderne, që së shpejti pritet të vihen në punë, çka do sjellë jo vetëm shërbime për pacientët, por dhe mjekime të specializuara, çka do sjellë zgjerimin e gamës së shërbimeve, jo vetëm lokal siç është sot, por dhe rajonal që do përfshijë disa qytete e rrethe të vendit.
Është një tjetër ndryshim, që i takon të përhershmes, që ka ndodhur këto ditë në spitalin e Rrëshenit, çka të lë të kuptosh se qeveria i ka sytë drejt spitalit të Mirditës.
Të shtunën që sapo lamë pas, në oborrin e spitalit të Rrëshenit në prani të punonjësve të saj dhe të disa të ftuarve drejtues të Rrëshenit, n/Prefektit të Mirditës Kol Bardhoku, dhe Kryetarit të Bashkisë Rrëshen z. Ndue Gega, si dhe drejtuesve të shenjtë të Dioqezës dhe Kishës Rrëshen që ndihmuan në pajisjen e këtij objekti të inaguruar të shtunën paradite të “Kapela zonja e Lurdit”.
Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Spitalit z. Pjetër Ndoj tha se ky objekt është i pari në Shqipëri që ndërtohet në spitalin e Mirditës dhe që do pasohet nga të tjera të tilla. Në veçanti drejtori i spitalit ka falënderuar drejtuesit e fesë në Mirditë të Dioqezës Kristofor Palmiri dhe të Kishës Katolike, që  gjatë gjithë kohës kanë qëndruar  prezent në ndërtimin dhe pajisjen e kësaj qendre të lutjeve dhe faljeve, e cila është ndërtuar brenda oborrit të këtij institucioni mjekësor, jashtë ambienteve të godinës, ngjitur me të, në hyrje të spitalit që ka qenë zgjedhja më e favorshme dhe më e menduar për përdorimin pa pengesë e shqetësim për të kryer lutjet e faljet e të shtruarve dhe të afërmve të tyre. Ndërtimi i këtij objekti, thotë drejtori i spitalit, bëhet me qëllim që të bashkojë kurimin me shpresën e lutjeve e të faljeve për një besim të shërimit të shpejtë të pacientëve të cilët pranojnë të kthejnë sytë lart nga Zoti. Në këtë inaugurim Kreu i Dioqezës së Mirditës, bashkë me stafin e tij kreu ritet e zakonshme, duke kryer lutjet e faljet e para në këtë objekt. Pas kësaj u futën në këtë kult fetar dhe njerëz me të meta fizike e mendore që bënë lutjet dhe faljet ndaj Zotit. Në fund u shtrua një koktej për të ftuarit në këtë inaugurim, ku shërbimi kryhet falas.